Pacienti i vë flakën vetes me benzinë, tentoi të djegë pacientin tjetër (Foto)

  • 25 July 2016 - 13:55
Pacienti i vë flakën vetes me benzinë, tentoi të djegë pacientin tjetër (Foto)

Një pacient humbi jetën ndërsa një tjetër u plagos me plagë djegieje në repartin e dializës në Spitalin Amerikan në Tiranë.

Lajmi fillimisht u konfirmua nga burime nga vendi i ngjarjes, më pas edhe nga burime nga policia dhe nga Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj.

Flakët përfshinë repartin e dializës në Spitalin Amerikan paraditen e sotme, rreth orës 11:00.

Si ka ndodhur ngjarja?

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, nga vendi i ngjarjes informon për Ora News se dy pacientë janë konfliktuar brenda shërbimit të dializës.

Pacientët ka marrë benzinë për ta hedhur në drejtim të tjetrit dhe kanë ndezur zjarrin.

Në panik e sipër pacienti i ka vënë flakën vetes, ndërsa pacienti tjetër ka marrë plagë djegieje.

“Pacienti që ka ndezur zjarrin është futur në dhomë dhe nuk ka dalë më. Personi tjetër është në repartin e djegies në QSUT. Mendojmë se mund të jetë përdorur si lëndë e djegshme benzinë”.

Burime nga policia thotë se viktima është një pacient i identifikuar me inicialet L. C, 41 vjeç.

Gjithashtu, nga ngjarja raportohet edhe për lëndimin e lehtë të një punonjëseje të spitalit.

Ndërkohë, në vendngjarje shkuan menjëherë zjarrfikësit, të cilët i vunë nën kontroll flakët.

I pranishëm është edhe një grup hetimor, i cili nisi hetimet mbi shkaqet e zjarrit dhe arsyet e vetëdjegies së pacientit.

(Kosova Sot)