Ndryshimet kushtetuese shkojnë tek presidenti Nishani

  • 25 July 2016 - 16:08
Ndryshimet kushtetuese shkojnë tek presidenti Nishani

Mëngjesin e së hënës ka mbërritur në selinë e Presidencës ligji i ndryshimeve kushtetuese, i miratuar me shumicë absolute të votave, në seancën plenare të 21 korrikut.

Moment i cilësuar si historik i parlamentarizmit shqiptar.

Burime zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë thanë për mediat shqiptare, se e gjithë procedura e redaktimit të ndryshimeve që iu bënë ligjit themeltar të vendit, përfundoi mbrëmjen e së premtes së kaluar, e menjëherë pas këtij momenti ligji u nënshkrua nga kreu i Parlamentit Ilir Meta.

Duke marrë në konsideratë se e shtuna dhe e diela ishin ditë pushimi, Kuvendi i dërgoi Presidentit ligjin që parashikon një rishikim thelbësor të Kushtetutës, mëngjesin e së hënës.

Në Kushtetutë, parashikohen qartë afatet kohore, që kreu i shtetit ka në dispozicion për të dekretuar ose jo një ligj të miratuar nga vota e ligjvënësit.

Në nenin 84, theksohet se Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Kushtetuta bën të qartë se ligji quhet i shpallur, në qoftë se Presidenti i Republikës nuk e kthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend.

Ndërkohë, që pas kalimit të këtyre procedurave, ligji hyn në fuqi me kalimin e jo më pak se 15 ditëve nga botimi i tij në Fletoren Zyrtare.

Duke marrë në konsideratë se votimi i ndryshimeve kushtetuese, në funksion të reformës në sistemin e drejtësisë shqiptare, u miratua me votat 140 deputetëve, por edhe mbështetjen që kjo reformë pati nga partnerët ndërkombëtarë, nuk pritet asnjë surprizë për dekretimin nga ana e Presidentit të këtyre ndryshimeve kushtetuese.