Pusi i Zanave

  • 25 July 2016 - 17:15
Pusi i Zanave

Rrëfime për kroin e Kangjës  

Banorët tregojnë legjendën për burimin e pakrahasueshëm

Te ky burim tani nuk zbresin më njerëzit, ose shkojnë rrallë dhe me kujdes, sepse ka ngelur pranë kufirit me Serbinë dhe druajnë se në vend të zanave të bukura të malit, mund të takohen me xhandarët serbë dhe të përfundojnë në burgun e Vrajës

Dikur banorët e Muçibabës lëshoheshin te pusi i Kallakangjës, për të marrë ujë, ose për t`u freskuar ditëve me vapë, kur punonin në ara aty pranë ose kur kositnin livadhet. Natën nuk e bënin këtë asnjëherë, sepse atje laheshin zanat dhe nuk mund t`i trazonin ato. Ky burim uji, ekziston edhe sot, por tani atje nuk zbresin më njerëzit, ose shkojnë ndonjëherë rrallë dhe me kujdes, sepse ka ngelur pranë kufirit me Serbinë dhe druajnë se në vend të zanave të bukura të malit, mund të takohen me xhandarët serbë dhe të përfundojnë në burgun e Vrajës. Banorët e këtij fshati, që ka edhe një emër karakteristik, që disa thonë se ndërlidhet me vuajtjet për mbijetesë në një terren të vështirë, kanë pasur gjithmonë problem me ujët e pijes. Kroje kishte, por të gjithë ishin larg shtëpive. Ata që shkonin për ujë, duhet të bënin dy ose tri pushime deri në shtëpi, me kënata uji. Edhe rruga ishte e gjatë, po edhe pesha ishte e madhe. Kjo reflektohet te shëndeti i njerëzve të këtushëm me dhembje në duar e krahë, veçmas te gratë të cilat kujdeseshin për ujë. Ato ishin shndërruar në zana të ditës te krojet e fshatit, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Ditën laheshin njerëzit, natën zanat

Vehid Ibrahimi, banor i fshatit, thotë se ka shumë rrëfime për pusin e Kallakangjës (Kangjës)  ku dikur shkonte shpesh edhe ai, por tani shumë rrallë zbret atje. Pos terrenit të vështirë që duhet kapërcyer për të zbritur poshtë tek ujët, që është aq shumë i ftohtë sa të pikë në ballë kur e pi, një problem tjetër është distanca e afërt me kufirin serb. Është një burim uji i pakrahasueshëm, prandaj e kanë lakmuar edhe zanat, siç thonë të vjetrit, po edhe njerëzit. “Natën, kroi ka qenë i zanave, e ditën janë larë njerëzit aty”, tregon Ibrahimi, duke u bazuar te rrëfimet e hershme për Kallakangjën. Në këtë zonë, ku dikur kishte jetë e gjallëri, tani mund të takosh ndonjë banor të rrallë. Këtu kanë ngelur familje të pakta, të cilat nuk kanë pasur mundësi të shpërngulen, ose që janë të lidhura fort me vendlindjen. As zanat nuk shihen më te kroi i Kallakangjës. Ndoshta ato edhe janë, por njerëzit shkojnë rrallë, mbase edhe hiq, gjatë natës dhe, nuk ka se kush t`i shohë. Tokat e shumta prej të cilave dikur banorët siguronin bukën e familjes, tani janë kthyer në lëndina ku kullosin gomarët, të cilët përdoren për mbijetesë. U duhen për të bartur ujë e dru. Me ta nuk mund ta punosh tokën. Gomarët janë pasuria më e madhe e tyre. Edhe kryetari i fshatit, Vehid Ibrahimi, mban gomarë, madje disa. Janë kafshë të lira, të rezistueshme në kushte të vështira dhe që nuk duan përkujdesje të veçantë.

Gomarët për mbijetesë

“Jeta jonë është e lidhur ngushtë me gomarët. I përdorim për mbijetesë”. Edhe në këto kushte, banorët e mbetur, nuk e shohin si zgjidhje shpërngulje. Zor e kanë t`ia kthejnë shpinën vendlindjes, por as nuk e përjashtojnë këtë mundësi, si sakrificë për fëmijët e tyre. Fëmijët nuk meritojnë që jeta e tyre të varet prej gomarëve, sikur e paraardhësve. Mbase edhe gomarët meritojnë të lirohen prej këtij mundimi, duke iu shërbyer njerëzve të kësaj zone, maje kodrine, ku nuk ka as kroje afër.  “Edhe ne e dimë rrugën për të ikur nga ky mundim, por nuk po mundemi t`ua kthejmë shpinën tokave që na kanë mbajtur me bukë, me shekuj dhe as varreve të të parëve tanë, krojeve të ujit, ku kemi shuar etjen, rrëfimeve për zanat e bukura të pusit të Kallakangjës”.    

Familjet u shpërngulën, legjendat mbetën

Bashkësia lokale e Myçibabës dikur i kishte 95 shtëpi, me afër 700 banorë, ndërkaq sot këtu kanë ngelur më pak se 20 familje në tri fshatra. Familje të tëra kanë migruar në Lladovë, Velekincë, Gjilan dhe gjetiu nëpër Kosovë e madje edhe në Kumanovë e Stamboll. Ibrahimi dhe të tjerët shpresojnë në ditë më të mira, prandaj u bënë thirrje të gjitha familjeve të shpërngulura pas luftës, të kthehen dhe ta ngjallin jetën në këtë anë, sepse zonat kufitare janë të rëndësishme për çdo shtet. Po të mos ishte kështu, nuk do të bëhej kaq zhurmë për kufirin me Malin e Zi. Komuna i ka meremetuar sivjet rrugët, për t`ua lehtësuar jetesën banorëve. Vehidi beson se edhe Qeveria qendrore do të interesohet më shumë për këtë dhe fshatrat e tjera, pavarësisht numrit të banorëve për të lehtësuar jetën e njerëzve që kanë zgjedhur të rrinë në trojet e tyre, për të mos përfunduar si raste sociale ose lypsa rrugësh në qytet. As zanat e malit nuk duhet të lihen vetëm. Ato nuk jetojnë dot pa njerëzit, të cilët i kanë krijuar legjendat për to. Ndoshta legjenda janë edhe vetë zanat e kroit të Kallakangjës. Njerëzit betohen se i kanë parë.       

(Kosova Sot)