Tkurret "Fehmi Agani" , mungesë kuadrosh

  • 25 July 2016 - 19:23
Tkurret

Kur, para më shumë se tre vjet, pas kërkesave të shumta dhe këmbëngulësi, në Gjakovë, më në fund u hap universiteti publik që u pagëzua me emrin e veprimtarit të shquar Fehmi Agani, qytetarët e Gjakovës dhe të trevave përreth iu gëzuan shumë këtij vendimi të cilin e kishin pritur me padurim. Kjo ishte e kuptueshme pasi gjakovarëve dhe qytetarëve të komunave përreth, por edhe atyre të komunave kufitare matanë kufirit në Shqipëri, u rriteshin mundësitë e studimit me shpenzime më të vogla, transmeton gazeta Kosova Sot.

Në momentin e themelimit, ky universitet kishte startuar me 7 programe studimi. Vazhdimisht ishte premtuar se janë duke u bërë përpjekje maksimale për zgjerimin e gamës së studimeve, për ç'arsye para fillimit të vitit të kaluar akademik kishin aplikuar edhe me 8 programe të reja, por Këshilli Shtetëror i Cilësisë, i cili vepron në kuadër të Agjencisë Kosovare për Akreditim (AKA) kishte marrë vendim që këto programe të mos akreditohen.

Asnjë doktor shkencash në anglisht

Dhe kur pritej që të zgjerohet gama e studimeve në "Fehmi Agani" sivjet ndodhi e kundërta, ajo do të "tkurret"(!), jo për nga numri i studentëve që mund të regjistrohen këtu, por për nga numri i programeve të studimeve. Në fakt, në vitin e ri akademik do të pranohen studentë vetëm për 6 programe të studimeve, ndërsa në njërin prej programeve do të vazhdohet puna vetëm në vitet 2, 3 e 4. "Me aplikimin e rregullave të reja të aplikimit për licencim të aprovuara nga MASHT-i, programi i gjuhës dhe letërsisë angleze nuk është kualifikuar për të hyrë në procesin e akreditimit për shkak se nuk i ka pasur në marrëdhënie të rregullt pune së paku 3 doktorë të shkencave, që është parakusht për secilin program për të hyrë në procesin e akreditimit apo të riakreditimit. Fatkeqësisht, në këtë program ne nuk e kemi asnjë doktor të shkencave në marrëdhënie të rregullt pune. I kemi nja 3 kandidatë që janë në procesin e doktoratës, kështu që tash, studimet në këtë program do të vazhdojnë vetëm për vitet 2, 3 e 4 ku kemi mjaft studentë", ka thënë Shaban Buza, rektor i universitetit "Fehmi Agani" në Gjakovë. "Duke i analizuar mundësitë reale për punësim dhe duke e vërejtur se me kryerjen e fakultetit të anglishtes ato janë relativisht të mëdha, pata planifikuar që të regjistrohem në këtë fakultet në Gjakovë. Por, tash mora vesh se në anglishte nuk do të pranohen studentë të rinj. Dëgjova se ka probleme me akreditim, por unë nuk i kuptoi shumë ato procedura administrative, mirëpo e di se kam rënë në hall të madh se çka të bëj tash", ka thënë për gazetën maturanti gjakovar, Admir Morina

Për afatin e dytë, edhe 204 vende të lira

Kështu, universiteti "Fehmi Agani" për vitin e ri akademik do të pranojë studentë në 6 programe të studimit, dhe atë gjithsej 540 studentë. Në fakt, me konkursin fillestar ishin parapa rreth 100 vende më pak, por në ndërkohë, me vendimin e ministrit, Senati i Universitetit e ka rritur këtë numër. "Në Fakultetin e Edukimit, në dy programet ekzistuese, numri prej nga 70 studentëve që duhej të pranoheshin është rritë në nga 100. Në Fakultetin e Mjekësisë, në programin e infermierisë nga 60 studentët e paraparë, do të pranohen 100 sosh, ndërsa në programin e mamisë ishin paraparë 40 vende të lira, e tash do të pranohen dyfish më shumë, 80", ka thënë Buza. Numrit të përgjithshëm prej 540 studentëve që duhet të regjistrohen në këtë vit akademik, mund t'i shtohen edhe 12% të studentëve nga popullata joshumicë, 5% për studentët nga Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës si dhe 2% për fëmijët e dëshmorëve. Në afatin e parë, për 540 vendet e lira kishin konkurruar 1.088 kandidatë, ndërsa pas provimit pranues të mbajtur ditë më parë, të drejtën për t'u regjistruar në universitetin "Fehmi Agani" në Gjakovë e kanë fituar 336 veta, kështu që për afatin e dytë kanë ngelur edhe 204 vende të lira. Vende të lira kanë ngelur në programin parashkollor - 9, në Letërsi shqipe 49, në Gjuhë shqipe 40, në programin për mami 69, ndërsa në atë për infermieri edhe 37 vende të lira. Sipas kësaj, del se vetëm në programin fillor janë plotë- suar të gjitha vendet (100) e lira.

(Kosova Sot)