Tre nga gjashtë të akuzuarit në rastin e dallavereve me patentë shoferë e pranojnë fajësinë

  • 25 July 2016 - 20:40
Tre nga gjashtë të akuzuarit në rastin e dallavereve me patentë shoferë e pranojnë fajësinë

Tre nga gjashtë të akuzuarit në rastin e dallavereve për lëshimin e patentë shoferëve ku përfshihen instruktorë të autoshkollave dhe mjekë e kanë pranuar fajësinë për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, “dhënie ose përdorim i certifikatës së rremë të mjekut” dhe “falsifikim të dokumentit zyrtar”.

Pranimi i fajësisë nga të pandehurit Muhamet Karameta, Bekim Gjeli dhe Viola  Mujaj-Sokoli u bë gjatë seancës fillestare, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Habibe Salihu.

Ndërsa, tre të akuzuarit tjerë të këtij rasti, Nexhat Shala, Kadrush Kameri dhe Ismet Muhaxheri, u deklaruan të pafajshëm dhe mohuan akuzat të cilat rëndojnë mbi ta,njofton betimipërdrejtësi.

Pas kësaj, prokurorja e rastit, Habibe Salihu kërkoj që të bëhet veçimi i procedurës penale, propozim ky që u mbështet edhe nga mbrojtësit e të pandehurve të cilët pranuan fajësinë.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Beqir Kalludra, pas dëgjimit të të gjitha palëve mori aktvendim që të bëhet veçimi i procedurës penale kundër Muhamet Karametës, Bekim Gjelit dhe Viola Sokolit.

Ndërsa shqyrtimin dytësor ndaj tre të akuzuarve të tjerë, Nexhat Shala, Kadrush Kameri dhe Ismet Muhaxheri, gjyqtari Kalludra e caktoj më 1 shtator 2016, në ora 13:00.

Gjatë kësaj seance me kërkesë të mbrojtësve të tre të pandehurve, të cilët pranuan fajësinë, u dha edhe fjala përfundimtare.

Prokurorja e rastit i propozoj gjykatës që të marr parasysh rrethanat e kryerjes së veprës penale dhe pasojën e kësaj vepre penale, përfshirë edhe korrektësinë e tre të akuzuarve, të cilët e pranuan fajësinë në fazën e hershme procedurale, dhe të njëjtit t’i shpall fajtor dhe t’i dënon sipas ligjit.

 Mbrojtësit të pandehurve, avokatët  Fatlum Podvorica , Nikë Shala dhe Osman Mehmeti, kërkuan nga gjykata që t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese, dhe të shqiptoj dënim sa më të lehtë ndaj klientëve të tyre.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet të martën në ora  9:00.

 Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ngarkon të pandehurin Nexhat Shala me veprën penale “mashtrimi”, pasi që i njëjti pretendohet se ka mashtruar të dëmtuarit Drilon Thaçin, Mursel Smajlin, Shaban Maliqin, Ylber Drenicën dhe Driton Hajdarin në vlerë totale prej 1550 eurove duke i ndihmuar në marrjen e patentë shoferit.

 Tutje i njëjti ngarkohet edhe për “ushtrim të ndikimit”, pasi që ka ushtruar ndikim tek instruktorët Kadrush Kameri dhe Ismet Muhaxheri, të akuzuar në këtë rast, duke nxjerrë certifikata mjekësore për të dëmtuarit e lartpërmendur me qëllim që të i’u ndihmoj në dhënien e provimit për patentë shofer.

 I pandehuri Kadrush Kameri akuzohet për “dhënie ose përdorim i certifikatës së rremë të mjekut”, pasi që i njëjti ka siguruar për të pandehurin Shala, certifikatat e të dëmtuarve për regjistrimin e patentë shoferit, duke e ditur se ato certifikata janë të rreme. Në vijim, Kameri akuzohet edhe për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” meqenëse në cilësinë e inspektorit ka vazhduar t’i marrë shumën prej 150 eurove, të dëmtuarit Thaçi për të hyrë në provim.

 

 (Kosova Sot)