Dekriminalizimi e shpëton Kosovën

  • 26 July 2016 - 08:02
Dekriminalizimi e shpëton Kosovën

Vetëm shteti ligjor e rikthen besimin në institucione.

"Politika e këtij modeli në Kosovë është kooperim për përfitim material. Kjo klasë politike, dikur shumë e varfër, e tash më shumë se askush e pasur, po dëshmon se biznesi është bërë njësh i kapur nga politika për shtrembërim dhe keqpërdorim të vullnetit të qytetarëve", theksoi Burjani,raporotn Gazeta Kosova Sot 

Mungesa e vullnetit politik të klasës politike në pushtet, për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe mosndëshkimi e mosdistancimi më i prerë i politikës nga rrjetet kriminale, sipas analistëve politikë, po ndikon në rrënimin ekstrem të imazhit dhe humbjen e besimit të qytetarëve në pjesën dërmuese të politikanëve të Kosovës. Vazhdimi i ruajtjes së lidhjeve të fshehta të politikës me mafinë kriminale, sipas njohësve të rrethanave politike në vend, po ia varros edhe atë pak imazh mashtrues që ka pasur deri dje pjesa dërmuese e politikës vendore. Tani shpresa e vetme dhe si dritë e vogël në fund të tunelit po mbetet për qytetarin pastrimi i kësaj skene politike nga lidhjet me oligarkinë kriminale nëpërmjet Ligjit të dekriminalizimit në funksion të ndërtimit të një shteti ligjor dhe kthimit të besimin në institucione. Profesori i së drejtës, Riza Smaka, ka pohuar për 'Kosova Sot' se fenomeni i lidhjeve të politikës me krimin, kryesisht asaj qeveritare, shpërfaqet kryesisht me mashtrimin e qytetarëve me premtime boshe nëpër fushatat zgjedhore, duke premtuar shtet ligjor e projekte pompoze zhvillimi, derisa tërthorazi vazhdon ruajtja dhe forcimi i lidhjeve të partive politike me strukturat kriminale dhe grupeve të ngushta të interesit, duke i injoruar kështu vlerat profesionale dhe akademike të kësaj shoqërie, duke pamundësuar pjesëmarrjen e tyre në politikëbërje për të ndërtuar oferta alternative programore dhe me vizion të interesit të përgjithshëm, pa ambicie grupore e personale.

Institucionet e kanë humbur besimin Kjo qasje e politikës në vend, sipas profesorit Riza Smaka, po zbeh gjithnjë e më shumë besimin e qytetarëve jo vetëm në këtë lidership aktual, por edhe në institucionet e ndërtuara nga ky spektër politik i familjarizuar me krimin e organizuar. "Përderisa dukuritë negative dhe shumë të dëmshme për shtetin tonë, ndër të tjera evazioni fiskal, përafërsisht aq sa është buxheti vjetor i shtetit dhe monopoli tregtar me pozita dominuese në treg të entiteteve biznesore qartazi të favorizuara nga pushtetarë të caktuar funksionojnë pothuajse lirshëm, pa ndërmarrje të masave ligjore kundër tyre, rezulton se qytetarët jo që nuk kultivojnë besim për subjektet politike pushtetare, por të njëjtin me kohë e kanë humbur dhe për të janë të rezignuar dhe të dëshpëruar', tha prof. Riza Smaka për 'Kosova Sot'. Sipas tij, vetëm pas një faze të re të pastrimit të skenës politike nëpërmes një dekriminalizimi gjeneral, sikur u pa që po ndodh edhe në fqinjësi, në politikën shqiptare Kosova mund të ketë në të ardhmen edhe politike, por edhe institucione, që do të fitojnë besimin e popullit. Smaka pohon se sa është e dëmshme lidhja e politikës me oligarkinë kriminale dhe grupet e ngushta mafioze të interesit, më së miri e dëshmon qeverisja aktuale që nuk po arrin të krijon shtet të mirëfilltë ligjor, po edhe vetë në situata të caktuara po bëhet pjesë e shkeljes së ligjeve dhe të Kushtetutës. "Qeveria e Kosovës pos mospërfilljes së Kushtetutës e të akteve të tjera të rëndësishme ligjore, të hartuara për të qenë një institucion i bazuar në fuqizimin e shtetit ligjor të së drejtës, në atë drejtim gjithnjë po tregohet impotente, joefikase. Kjo ka të bëjë kryesisht dhe ndër të tjera në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar", u shpreh më tej Smaka.

Politika profitabile dhe kriminale Gjykim identik ka edhe analisti politik Ilir Fetau."Shteti i Kosovës dhe qytetari i saj nuk e kanë merituar të kthehen nga një shkallë maksimale e optimizmit dhe shpresës në një shkallë nën minimum e pesimizmit dhe joshpresës. Kjo ka ndodhur si pasojë kryesisht e fenomeneve të përhapura dhe të njohura gjerësisht, e që janë nepotizmit familjar e kryesisht politik dhe korrupsioni pa limit. Fenomeni tjetër ishte dhe është mbytja e meritokracisë individuale e profesionale. Si pasojë e këtyre fenomeneve, kemi një shtet që i themi Kosovë, ku qytetari i saj nuk ndihet aspak rehat, por është në kërkim të një shprese të re", tha Ilir Fetahu për 'Kosova Sot'. Edhe analisti politik Blerim Burjani konsideron se e vetmja mundësi e shkëputjes së lidhjeve kriminale të politikës me krimin e organizuar, si fenomen që po e varros çdo ditë besimin qytetar në politikë dhe institucione, mbetet shpresa ne dekriminalizimin me ligj të politikës dhe të vetë institucioneve të shtetit."Politika e këtij modeli në Kosovë është kooperim për përfitim material. Kjo klasë politike, dikur shumë e varfër, e tash më shumë se askush e pasur, po dëshmon se biznesi është bërë njësh, i kapur nga politika për shtrembërim dhe keqpërdorim të vullnetit të qytetarëve. Pra, kjo klasë politike duhet të pastrohet, por edhe duhet të shkojë nga skena politike dhe institucionet e ndëshkuara nga vullneti i qytetarëve", theksoi Burjani. 

(Kosova Sot)