Oligarkët e bllokuan Ligjin antimafia

  • 26 July 2016 - 07:58
Oligarkët e bllokuan Ligjin antimafia

Frikë e madhe në pushtet nga ndëshkimi ligjor.

Sipas analistëve, ky ligj mund të manipulohet në atë mënyrë që,duke lënë zbrazësi të ndryshme në përmbajtje, të vazhdojë ende të mbrojë mafiopolitikanët dhe pasurinë e tyre të fituar në mënyrë të paligjshme,raporotn Gazeta Kosova Sot

Muaji qershor ka qenë afati i fundit i kalendarit legjislativ të Qeverisë së Kosovës, respektivisht Ministrisë së Drejtësisë për miratimin e të ashtuquajturit Ligj antimafia- Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, por tani jemi në muajin korrik, në javën e fundit, dhe ky ligj nuk është miratuar në Qeveri, për t'u proceduar tutje në procedurë normale të shqyrtimit dhe diskutimit nga Kuvendi i Kosovës. Gazeta ka dërguar gjatë ditës së djeshme pyetje edhe në Ministrinë e Drejtësisë, që është resori përgjegjës që e ka në planin legjislativ hartimin e këtij ligji, por nuk kemi arritur të marrim përgjigje se çfarë po ndodh me vonesat e procedimit për miratim të Ligjit antimafia. Tanimë edhe ekspertët e kësaj fushe dyshojnë se zvarritja e këtij ligji po bëhet qëllimisht. Sipas tyre, nuk mund të anashkalohet domosdoja e hartimit të asaj përmbajtjeje të ligjit, të cilit së pari do t'i tremben pushtetarët e politikanët që në asnjë mënyrë nuk mund ta justifikojnë pasurinë e fituar në rrugë të paligjshme. Gjithashtu mbizotëron edhe dyshimi se në proces e sipër të blerjes së kohës, edhe ky ligj do të mund të manipulohet në atë mënyrë që, duke lënë zbrazësi të ndryshme në përmbajtje, të vazhdojë akoma të mbrojë mafio-politikanët dhe pasurinë e tyre të fituar në mënyrë të paligjshme, dhe këtë ligj ta keqpërdorin pushtetarët për t'i dëmtuar ata që nuk bashkëpunojnë me ta për të krijuar lidhje korruptive e kriminale.

Ndryshimet kushtetuese të kushtëzuara nga serbët Profesor Mazllum Baraliu konsideron se kjo zvarritje mund të jetë rezultat i veprimit të qëllimshëm të ngadalësimit të procedurës së bërjes së këtij ligji, si praktikë e avashllëkut të punës së organeve gjegjëse që punojnë në fushën e legjislacionit në kuadër të Qeverisë së vendi, dhe kjo mund të bëhet pikërisht për të ikur, për të shpëtuar nga konsekuencat, sepse disa segmenteve institucionale dhe qeverisëse nuk u konvenon që të nxirret një ligj i tillë, ngase dihet paraprakisht misioni dhe qëllimi i bërjes së këtij ligji. "Mirëpo, tani kur jemi në një situatë të tillë, ku paraqitet si domosdoshmëri ballafaqimi i drejtpërdrejtë me luftimin e pakompromis të krimit dhe korrupsionit, ndoshta do të ishte më mirë që të fillohet dhe të bëhet një pako e tërë e ligjeve antikorrupsion, përfshirë këtu edhe Ligjin antimafia, si pako e ligjeve që do të ndikonin të reformohet si tërësi sistemi i drejtë- sisë dhe gjyqësisë, si një model i përafërt me atë që po ndodh në Shqipëri", është shprehur ai. " Ndoshta jo si tërësi që të ketë edhe implikime kushtetuese, sepse ato do të kërkonin dy të tretat e deputetëve.dhe këtë mund ta paraqesë si pengesë Lista serbe dhe përfaqësuesit e Vuçiqit në Kuvendin e Kosovës, por kryesorja është që do të duhej pa vonesë ndërtim i një qasjeje të re, shumë të saktë e serioze, në fushën e sundimit të ligjit. Kjo qasje duhet të jetë më shumë se një ligj që është menduar deri më tash, sepse vetëm në atë mënyrë do të mund të vihen në binarë sistemi i drejtësisë dhe avancimi i tij në funksion të stabilizimit të shtetit ligjor", tha profesor Mazllum Baraliu për "Kosova Sot"

Dështimet e planeve, traditë institucionale Edhe ekspertja e fushës së sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit, Albana Rexha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, konsideron se kjo zvarritje e bërjes së këtij ligji mund të jetë një nga ato sëmundjet kronike që vazhdimisht i mundojnë institucionet tona dhe i bëjnë të dështojnë në realizimin e plotë të planit vjetor të bërjes së ligjeve, pavarësisht nëse ndodh qëllimshëm apo për arsye të mungesës së ekspertizës. "Vlerësoj se është bërë tashmë traditë e qeverive të Kosovës, që plani legjislativ të mos përmbushet, ashtu siç parashihet në fillimvit, prandaj edhe këtë vit besoj se nuk do të befasohemi. Pjesë e kësaj vonese është edhe Projektligji për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme, i cili ende nuk është vendosur në mbledhjen e Qeverisë dhe rrjedhimisht nuk është sjellë në Kuvend për shqyrtim dhe miratim, ndonëse ky ligj është ndër më të rëndësishmit në strategjinë legjislative dhe ligj ky me interes nacional për shtetndërtimin e Kosovës", ka potencuar ajo, duke e vlerësuar një ndër ligjet kryesore të kornizës legjislative antikorrupsion. "Por, siç duket, për Qeverinë lufta kundër korrupsionit është vetëm prioritet fjalësh, por jo prioritet në praktikë, përkundër kërkesave të vazhdueshme të shoqërisë civile dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë për të instaluar rendin dhe sundimin e ligjit në Kosovë", tha Albana Rexha për "Kosova Sot". Edhe ajo nuk e fsheh dyshimin e bazuar se zvarritja e ligjit bëhet qëllimisht nga politika, e cila i frikësohet atij, bërjes së ligjit për vetëndëshkim, rezistencë që ndodhi në Shqipëri, por u votua falë presionit të faktorit ndërkombëtar dhe shoqërisë civile. "Natyrisht, ky ligj prek direkt të gjithë ata ta cilët janë të përfshirë në afera korruptive, prandaj edhe mund të ketë hezitim dhe shtyrje të procesit derisa të ketë hapësirë për të bërë një gjë të tillë. Edhe në Shqipëri u deshën rreth 18 muaj për të miratuar ndryshimet e reformës në drejtësi, dhe kjo si pasojë e presionit të vazhdueshëm nga ana e faktorit ndërkombëtare dhe jo nga vullneti i liderëve politikë", tha Rexha për "Kosova Sot".

Pushtetarët përpiqen ta shpëtojnë veten Eksperti i së drejtës, Muhamet Kelmendi dyshon shumë se përmes zvarritjes pa afat të bërjes së këtij ligji, politika në pushtet do të arrijë që ta përfundojë krejt këtë mandat, i cili, sipas tij, do të përfundojë para kohe, prandaj përmes blerjes së kohës provon të shpëtojë nga sanksionet që mund të parashohë një ligj i tillë. " Për aq sa kemi informacione edhe ne si ekspertë, Ligji "antimafia" nuk është sjellë akoma nga Qeveria dhe as që po planifikohet të shkojë shpejt për trajtim në Kuvend dhe në komisionet përkatëse të Kuvendit të Kosovës. Kjo po bëhet me qëllim që aktualisht edhe ndjekjet penale ndaj qeveritarëve, përkatësisht pushtetarëve, atyre të cilëve u dedikohet ky ligj për të ndjekur pasurimin e tyre të paligjshëm, për këtë natyrë të veprës penale, të mos të kenë bazë juridike, penale të nxjerrjes para përgjegjësisë nga institucionet e drejtësisë së shtetit. me siguri që ka mjaft njerëz të tillë që do të prekeshin nga ky ligj', ka potencuar ai. "Tani, ne vetëm mund të flasim me perceptime, por nuk mund ta dimë saktësisht se sa në fakt është Qeveria e kriminalizuar dhe njerëzit e saj të pasuruar kundërligjshëm. Në kohën dhe momentin e duhur, me miratimin e ligjit, këtë duhet ta thotë gjyqësori, sepse është kompetent për të konstatuar dhe për të vlerësuar edhe përgjegjësinë eventuale penale", vijoi më tej Kelmendi.

(Kosova Sot)