ARKEP-i të liberalizojë tregun e telefonisë

  • 26 July 2016 - 08:15
ARKEP-i të liberalizojë tregun e telefonisë

Kosovës i duhet edhe një operator i ri.

Sipas ekspertit të fushës së monopoleve, ekonomistit Osman Ejupi, që ishte edhe kryetar i parë i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, licencimi i operatorit të tretë të telefonisë mobile në Kosovë do të ndihmonte në mënjanimin e dominimit të tregut vendor, që e kanë krijuar gati me vite VALA dhe IPKO,raporton Gazeta Kosova Sot

Tregu i telefonisë në Kosovë vazhdon që të dominohet nga dy operatorët, VALA dhe IPKO, që mbajnë më shumë se 90 për qind të tregut. Këtë vit Bordi i Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka marrë vendim për hapjen e garës për telefoninë e tretë mobile dhe brezin e ri frekuencor për territorin e Kosovës. Ky autoritet më 12 mars ka marrë vendim që të hapet ankandi publik për brez të ri frekuencor, që nënkupton hapje të tenderit për telefoninë e tretë mobile. Kjo është bërë e ditur nga zyrtarët e ARKEPit. Ata nuk e ka përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes në garë edhe të operatorëve serbë. Po ashtu, është thënë se edhe operatorët e tjerë mobilë, që janë të licencuar në Kosovë, si VALA, IPKO, 'Z mobile' e D3 kanë të drejtë pjesëmarrje në garë. Por, ARKEP-i ka shtuar se ata që i plotësojnë kriteret e fitojnë të drejtën e blerjeve të resurseve dhe kjo nënkupton se mund të kemi edhe një operator të tretë të telefonisë mobile. Sipas ARKEP-it kjo është garë ndërkombëtare dhe nuk mund të ketë diskriminime edhe për operatorët serbë.

Operatorët ilegalë nuk ndalen ARKEP-i e ka përkrahur Qeverinë e Kosovës gjatë procesit të dialogut me Serbinë, duke ofruar këshillëdhënie në zbatim të ligjit, ndërkohë ARKEP-i përkujton se tash e 15 vjet sektori i telekomunikacionit është penguar në zhvillim normal, kryesisht si pasojë e operimeve të paautorizuara të operatorëve serbë. Sipas tyre, marrëveshja e shtatorit 2013 për telekomunikacion parasheh rrugën dhe modalitetet se si të ndalohen këto operime të paautorizuara dhe ilegale. Deputeti Bali Muharremaj (AAK) thotë se ka dyshime të mëdha se pengesë për futjen e operatorit të tretë mobil, janë pushtetarët e tashëm dhe ata të koalicionit të mëhershëm që e kanë penguar këtë liberalizim të tregut të telefonisë mobile. "Ka dyshime të mëdha dhe në opinion po flitet se për këto monopole që janë krijuar nga këto dy kompani, një pjesë e madhe e politikanëve që janë në lidhje të ngushtë me liderët e tashëm të këtij koalicioni e marrin pjesën e vet të zhvatjes dhe të përfitimeve nga ky monopol që janë shuma milionëshe të parave gjatë një viti", ka thënë ai .

Kosova prin me çmime Ndërsa njohësi i kësaj fushe, Nëntor Shaqiri, ekspert i integrimeve evropiane, thotë se Kosova ka nevojë imediate edhe për një operator të ri të telefonisë mobile. "Kjo sepse në radhë të parë me rivalin e ri tregu i telefonisë do të ishte dukshëm më konkurrues e veç saj çmimet do të mund të ishin dukshëm më të ulëta, sepse Kosova sa u përket çmimeve të telefonisë mobile vlerësohet se është ndër më të shtrenjtit në rajon", ka thënë ai. Edhe lideri i AKB-së, Agim Shahini, është i mendimit se tregu i Kosovës ka nevojë imediate edhe për një operator të ri të telefonisë mobile, sepse, sipas tij, me rritjen e konkurrencës në tregun vendor do të kemi edhe një ngritje të cilë- sisë së shërbimeve e në të njëjtën kohë do të kemi edhe një zbritje të çmimeve, sepse jemi akoma vendi më i shtrenjtë në rajon sa u përket çmimeve që i paguajmë për këto shërbime të telefonisë mobile. Së këndejmi Shahini thotë se është i mendimit që ARKEP-i dhe Qeveria e Kosovës duhet që në tregun kosovar urgjentisht të licencojnë edhe operatorin e ri të telefonisë mobile, sepse kemi të bëjmë me një treg shumë fitimprurës. Ndërkaq, sipas ekspertit të fushës së monopoleve, ekonomistit Osman Ejupi, që ishte edhe kryetar i parë i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, licencimi i operatorit të tretë të telefonisë mobile në Kosovë do të ndihmonte në mënjanimin e dominimit të tregut vendor që e kanë krijuar gati me vite VALA dhe IPKO që e zotërojnë shumicën e tregut vendor të kësaj telefonie. 

(Kosova Sot)