Në Shqipëri nisi vaksinimi i gjedhëve për parandalimin e ”dermatozës modulare”

  • 26 July 2016 - 15:35
Në Shqipëri nisi vaksinimi i gjedhëve për parandalimin e ”dermatozës modulare”

Ministria e Bujqësisë në Shqipëri ka nisur vaksinimin parandalues për sëmundjen ”dermatoza nodulare të gjedhit”.

Janë mbi 25 mijë doza vaksine që i janë ofruar vendit nga fondi i emergjencës së BE-së.

Drejtori i Veterinarisë në Ministrinë e Bujqësisë, Edi Ferro thotë se janë evidentuar disa vatra sporadike lokale nga sëmundja e gjedhit, në kufi me Kosovën e Maqedoninë, tek te cilat po ndërhyhet me intensitet.

Ndërsa deklaron ai, janë në vëmendje si fillim fermat me mbi 20 krerë dhe më pas do të nisë vaksinimi edhe për fermerët e vegjël. Sipas drejtorit të veterinarisë kjo sëmundje nuk është e rrezikshme për shëndetin e njeriut.

Sëmundja mendohet se ka ardhur nga vendet e largëta si Siria apo Turqia dhe zonat e prekura në vend janë ato kufitare ku janë evidentuar 65 vatra me shenja klinike dhe 100 krerë gjedhë të prekur nga sëmundja.

Në fillim të korrikut Ministria e Bujqësisë njoftoi praninë e sëmundjes ”dermatoza nodulare e gjedhit” në disa shtete të rajonit si: Turqi, Maqedoni, Kosovë, Serbi, Bullgari e Greqi.

(Kosova Sot)