Thaçi mbron vendimin e tij: 25 korriku ka shuar shpresat e Serbisë

  • 26 July 2016 - 17:54
Thaçi mbron vendimin e tij: 25 korriku ka shuar shpresat e Serbisë

Sot janë bërë 5 vjet kur me urdhër të kryeministrit të asaj kohe Hashim Thaçi, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, mori aksionin për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinje dhe Bërnjakë. Për këtë ditë dhe pse e ka marr vendimin, ka folur vetë presidenti Hashim Thaçi.

”Veprimi dhe aksioni i 25 korrikut është i një rëndësie të veçantë, sepse u tregua se Kosova është shtet sovran, shtet i cili merr vendimet e veta në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet dhe definitivisht sot në ato pika doganore kemi policinë dhe doganierët e Kosovës dhe kemi kontrollin nga institucionet e Kosovës. Sot nuk kemi asnjë barrikadë atje dhe kemi lirinë e lirë të mallrave dhe njerëzve”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, vendimi i 25 korrikut i vitit 2011 ka varrosur përgjithmonë pretendimin e Serbisë për ndarjen e Kosovës dhe ka shuar, sipas tij, çdo shpresë për çfarëdo lloj autonomie në atë pjesë të Kosovës.

”Kështu që në një formë apo formën tjetër janë shuar shumë apetite dhe aspirata, e po ashtu edhe projekte të Serbisë për ato pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe kemi kaluar në veprime konkrete të aksionit të Kosovës për stabilitet, rend demokratik, demokraci dhe integrim të komunitetit serb. Ai veprim nuk ka qenë i drejtuar kundër komunitetit serb por ka qenë i drejtuar kundër strukturave paralele dhe paramilitare të Serbisë të instaluar në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

Ai për Radio Dukagjinin ka folur edhe për pasojat në rast se nuk do të merrej ky vendim.

“Sot do të kishim një realitet të hidhur, mund të them edhe një pajtueshmëri ndërkombëtare me ‘status qou’ të ndikimit dhe prezencë të Serbisë në territorin e Kosovës. Sot prezenca e Serbisë në atë pjesë është zero me përjashtim të ndikimit politikë apo vullnetar të qytetarëve e komunitetit serb. E ritheksoj vetë pjesëmarrja e tyre në institucionet e Kosovës, parlament, qeveri dhe institucioneve lokale dëshmon se ata zbatojnë respektimin e institucioneve, kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ata janë qytetarë të Kosovës dhe ne do të jemi pranë tyre dhe do tu shërbejmë gjithmonë”, ka përfunduar Thaçi.

(Kosova Sot)