Baraliu: Ndryshimet kushtetuese të kushtëzuara nga serbët

  • 26 July 2016 - 18:26
Baraliu: Ndryshimet kushtetuese të kushtëzuara nga serbët

Profesori Mazllum Baraliu konsideron se zvarritja e ligjit Antimafia mund të jetë rezultat i veprimit të qëllimshëm të ngadalësimit të procedurës së bërjes së këtij ligji, si praktikë e avashllëkut të punës së organeve gjegjëse që punojnë në fushën e legjislacionit në kuadër të Qeverisë së vendi, dhe kjo mund të bëhet pikërisht për të ikur, për të shpëtuar nga konsekuencat, sepse disa segmenteve institucionale dhe qeverisëse nuk u konvenon që të nxirret një ligj i tillë, ngase dihet paraprakisht misioni dhe qëllimi i bërjes së këtij ligji.

"Mirëpo, tani kur jemi në një situatë të tillë, ku paraqitet si domosdoshmëri ballafaqimi i drejtpërdrejtë me luftimin e pakompromis të krimit dhe korrupsionit, ndoshta do të ishte më mirë që të fillohet dhe të bëhet një pako e tërë e ligjeve antikorrupsion, përfshirë këtu edhe Ligjin antimafia, si pako e ligjeve që do të ndikonin të reformohet si tërësi sistemi i drejtësisë dhe gjyqësisë, si një model i përafërt me atë që po ndodh në Shqipëri", është shprehur ai në një prononcim për gazetën “Koosva Sot”.

" Ndoshta jo si tërësi që të ketë edhe implikime kushtetuese, sepse ato do të kërkonin dy të tretat e deputetëve dhe këtë mund ta paraqesë si pengesë Lista serbe dhe përfaqësuesit e Vuçiqit në Kuvendin e Kosovës, por kryesorja është që do të duhej pa vonesë ndërtim i një qasjeje të re, shumë të saktë e serioze, në fushën e sundimit të ligjit. Kjo qasje duhet të jetë më shumë se një ligj që është menduar deri më tash, sepse vetëm në atë mënyrë do të mund të vihen në binarë sistemi i drejtësisë dhe avancimi i tij në funksion të stabilizimit të shtetit ligjor", tha profesor Mazllum Baraliu.

(Kosova Sot)