Befason Erdogani: Populli dëshiron rivendosjen e dënimit me vdekje

  • 26 July 2016 - 19:39
Befason Erdogani: Populli dëshiron rivendosjen e dënimit me vdekje

Liderët evropianë janë të pasinqertë për dështimin e zbatimit të marrëveshjes së migrimit me Turqinë, deklaroi presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan në një intervistë me televizionin gjerman, ARD.

Erdogan e shfrytëzoi këtë intervistë edhe për të folur për mundësinë e rivendosjes së dënimit me vdekje pas grushtit të dështuar të shtetit që, nëse merr zbatohet, do t’u jepte fund negociatave mes BE-së dhe Ankarasë.

”Bashkimi Evropian ka transferuar vetëm pak më shumë se dy milionë dollarë për Ankaranë, nga tre miliardë të premtuara përgjatë dy viteve”, tha Erdogan, raporton atsh.

Megjithatë, BE thotë se ka disbursuar deri tani 106 milionë euro për organizatat ndërkombëtare që punojnë në Turqi me refugjatët.

”BE ka grumbulluar deri tani 740 milion euro, me synimin për 2,1 miliardë deri në fund të muajit”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.

Erdogan akuzoi gjithashtu BE për dështim në realizimin e premtimit për heqjen e vizave për qytetarët turq.

Ndërkohë, për rivendosjen e dënimit me vdekje, Erdogan tha se përpjekja e qeverisë për këtë veprim është në linjë me kërkesën e popullit.

”Dënimi me vdekje ekziston në të gjithë botën, përveç Evropës”, tha presidenti turk.

“Nëse jemi në një shtet të së drejtës, atëherë vendos populli. Çfarë thonë njerëzit sot? Ata duan rivendosjen e dënimit me vdekje”, theksoi Erdogan për ARD.

(Kosova Sot)