Katërvjeçarja është sa një kukull!

  • 26 July 2016 - 22:19
Katërvjeçarja është sa një kukull!

E lindur më e vogël sesa një kukull, Sophia Hecimovic tanimë është 87 centimetra e gjatë - dukshëm më e shkurtër sesa mesatarja e vajzave të moshës së saj, që mbërrin në 102 centimetra dhe peshon vetëm 13 kilogramë, rreth 6 kilogramë më pak sesa bashkëmoshataret e saj. Çuditërisht, testet tregojnë që vogëlushja po vazhdon të prodhojë hormone të rritjes, andaj doktorët janë të befasuar dhe nuk mund ta kuptojnë se ajo ka mbetur kaq e vogël, transmeton gazeta Kosova Sot.

Nëna e saj, Effie Panayiotou, 29-vjeçare, ka thënë: "Është frustuese, sepse nuk kemi asnjë përgjigje pse ajo është më e vogël sesa fëmijët e moshës së saj. Njerëzit çuditen kur e shohin dhe e kuptojnë moshën e saj, sepse ajo është shumë më e vogël".

Image

Humbja e aftësisë së të folurit

Doktorët për herë të parë kishin vërejtur çrregullim në rritjen e Sophia-s kur nëna e saj ishte në javën e nëntëmbëdhjetë të shtatzënisë. Effie kishte lindur në javën e 36-të në Spitalin Privat të Sidneit Jugperëndimor dhe stafi mjekësor me vigjilencë kishin përcjellë çdo moment të procesit të lindjes. Sophia kishte ardhur në jetë me një gjatësi prej 46 centimetrash, më e vogël sesa mesatarja e foshnjave të porsalindura. Ajo ishte vendosur pranë një kukulle, të cilën ia kishte blerë nëna dhe Sophia ishte më e shkurtër sesa ajo. Nënë e bijë ishin mbajtur për tri javë në spital, ku ishin monitoruar me shumë kujdes. Meqë dukej e dobët dhe e venitur, ajo u ishte nënshtruar edhe testeve të gjakut, mirëpo gjithçka dukej në rregull. Përkundër formulës së veçantë të ushqimit, me sasi të lartë të kalorive, ajo kishte dështuar të shtonte në peshë dhe nuk ka arritur të zhvillohet normalisht."Kur i pati mbushur tetë muaj ajo kishte mbërritur në gjatësinë prej 61 centimetrash. Kemi qenë shumë të shqetësuar pasi që nuk arrinte të qëndronte ulur. Për më tepër, Sophia e pati humbur edhe aftësinë e të folur pas ditëlindjes së parë, përkundër faktit që ka artikuluar fjalët 'nënë' dhe 'qen' kur ka qenë pesëmuajshe", ka thënë nëna e saj.

Çrregullimi nuk ia rrezikonte jetën vogëlushes

Në moshën njëvjeçare ajo është diagnostikuar me sindromën 'Robinow', një çrregullim i rrallë gjenetik që prek zhvillimin e eshtrave. Vetëm 250 familje në mbarë botën janë të prekura nga kjo sindromë. Megjithatë, familja ishte qetësuar paksa nga fakti që çrregullimi nuk ia rrezikonte jetën vogëlushes, e cila në moshën 17- muajshe kishte filluar të zvarritej dhe dalëngadalë po e kthente aftësinë e të folurit. Më vonë, kur ajo i kishte mbushur dy vjet, asaj i ishte thënë që vogëlushja vuante nga një formë e autizmit. Më vonë ishte bërë e ditur që ajo ishte diagnostikuar gabimisht me sindromën 'Robinow', pasi që fëmijët e prekur nga ky çrregullim zakonisht kanë kokë më të madhe sesa trupi, gjë e cila nuk e karakterizon Sophia-n. 

(Kosova Sot)