Miliardat e diasporës mbajnë gjallë Kosovën

  • 27 July 2016 - 08:07
Miliardat e diasporës mbajnë gjallë Kosovën

Remitencat konsiderohen burimi kryesor financiar .

Popullatën e Kosovës edhe pas luftës po e mbajnë paratë e mërgimtarëve tanë, kurse remitencat e diasporës, në mungesë të zhvillimit ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës, janë bërë burimi kryesor financiar i ekonomisë sonë. Ndërkaq, një studim i bërë nga një OJQ-vendore ka treguar se, sikur mos të ishin remitencat, norma e varfërisë në Kosovë do të kishte shkuar në rreth 52 për qind, që paraqet një rritje prej 100 për qind. Bazuar në disa të dhëna të ASK-së, thuhet se janë rreth 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shumica prej tyre në Evropë. Kosova është ndër vendet në Ballkan me më se shumti dërgesa të pranuara nga mërgimtarët. Ndërkaq, sipas ekspertëve, sjellja e parave ka ndikim edhe në rritjen e konsumit e rrjedhimisht edhe ndikim në ekonominë e gjithmbarshme të vendit. Në një Raport të BQK-së, ndër të tjerash thuhet se remitencat në vitet e fundit ndikuan që Kosova të arrijë rritjen ekonomike që pati për më pak se 3 për qind. Sipas Raportit Vjetor të BQKsë, të publikuar vitin e kaluar, shifrat tregojnë për efektet e përmirësimit të ekonomisë në Eurozonë ndikim kanë në ekonominë e Kosovës nëpërmjet remitencave, investimeve të huaja direkte. "Remitencat, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, vazhdojnë të kontribuojë në ngushtimin e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Vlera e gjithsej remitencave të pranuara në vend në vitin 2014 arritën më shumë se 693.7 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 11.7 për qind derisa në vitin 2015 këto remitenca e kalojnë këtë shifër ", thuhet në këtë raport. 

Familjet përfitojnë mijëra euro në vit Në muajt e verës diaspora kosovare me të madhe ia mësynë Kosovës dhe janë të shumtë ata që sjellin edhe para të kursyera. Kështu, qytetari nga Prizreni, Kurtesh Biba, që e takuam të martën në qendër të Prishtinës, tregon se këtë verë ai solli rreth 15 mijë euro. I ardhur nga Gjermania për kalimin e pushimeve në vendlindje, ai tregon se këtë vit solli në shtëpi më shumë para se sa viteve të kaluara. "Kemi planifikuar me vëllain renovimin e shtëpisë gjatë kësaj vere. Kjo është arsyeja e sjelljes së këtyre parave. Por, gjatë qëndrimit këtu për tri javë, sigurisht se do të dalin edhe shpenzime të tjera", tha Biba. Ai bën të ditur se bashkë me familjen e tij 5 anëtarëshe, të paktën dy herë brenda vitit vijnë në Kosovë, por jo gjithherë ai sjell para në familje. "Sivjet kemi planifikuar investime në shtëpi se kur të vijmë herëve të tjera nuk besoj se do të sjellim kaq para", theksoi ai. Deputeti i opozitës, Bali Muharremaj thotë se nuk ka asnjë fije dyshimi se është diaspora kosovare ajo që po e mban në këmbë ekonomikisht popullatën dhe ekonominë e brishtë kosovare. Ai thotë se po mos të ishte diaspora jonë, Kosova nuk do të qëndronte në këmbët e veta. "Është për keqardhje për ekonominë e një vendi që mbetet e varur nga remitencat e bashkatdhetarëve të tyre", ka potencuar ai. Sipas deputetit Muharremaj, këto remitenca janë treguesi më i mirë se çfarë pune dhe çfarë strategjie zhvillimore ka Qeveria "Mustafa" dhe koalicioni aktual PDK-LDK, që e kanë sjellë ekonominë vendore buzë falimentimit. 

Remitencat, burimi kryesor financiar Ndërsa lideri i AKB-së, Agim Shahini pajtohet me vlerësimin se remitencat e diasporës, në veçanti gjatë tre muajve të verës, janë burimi kryesor financiar i jetës ekonomike për qytetarët tanë. Sipas Shahinit, kjo po vërehet si te shitjet gjatë verës, kur diaspora është në Kosovë, dhe gjatë gjithë vitit, kur njerëzit nga diaspora mbajnë familjen dhe remitencat paraqesin një infuzion të madhe për qytetarët tanë. "Hulumtimet dhe analizat tona tregojnë se me ardhjen e diasporës edhe shitjet në tregun vendor shënojnë një rritje nga 30 deri në 35 për qind për sektorin e ndërtimtarisë, sidomos gjatë stinës së verës", potencoi ai. Eksperti i ekonomisë, Milazim Abazi, bankier, thotë se remitencat nga diaspora e Kosovës janë burimi kryesor financiar i zhvillimit të jetës sociale dhe ekonomike në Kosovë. Sipas statistikave zyrtare, të hyrat nga diaspora sillen në mes të 650-700 milionë euro gjatë një viti dhe, fatmirësisht, këto po vazhdojnë të rriten nga viti në vit, ndoshta edhe për shkak të rritjes së vazhdueshme të emigrimit. Bankieri Abazi thotë se diaspora kosovare jo vetëm që po ndikon në ruajtjen e stabilitetit social, por nëpërmes rritjes së konsumit po ndikon edhe në këtë rritje sado të vogël ekonomike. (Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)