Smaka: Partitë qeveritare janë kondensuar në piramida të burokratizuara

  • 27 July 2016 - 13:09
Smaka: Partitë qeveritare janë kondensuar në piramida të burokratizuara

Profesori i së drejtës, Riza Smaka thotë se kryesisht pas rehatimit të partive politike në pushtet, kur përfundohet bilanci i numërimit të votave dhe vjen faza e rehatimit në institucione, e harrojnë votuesin dhe problemet që e preokupojnë atë.

 "Partitë politike, në radhë të parë ato qeveritare, ka kohë që janë kondensuar në piramida të burokratizuara të grupeve ca më të ngushta të interesit, të privilegjuara me benefite pushtetare, dhe si të tilla po solidarizohen negativisht me disa njerëz në funksion të realizimeve të synimeve personale, të personave që i përbëjnë ato grupe", tha prof. Smaka për "Kosova Sot".

Ai ka pohuar se sado që ata persona thirren pastaj në emër të partive politike, shumë nga ata mund të jenë aspak të njohur për votuesin dhe janë mospërfillës ndaj interesit qytetar.

"Më tej është vërejtur se po ata persona zakonisht thirren në emrin e partive politike përkatëse dhe spekulojnë me akte e veprime, jo rrallëherë problematike, referuar edhe respektimit dhe zbatimit të ligjit të aplikuar. Tani bëhet praktikë që interesat personale të personave të favorizuar arrijnë të influencojnë që strukturimet e tilla të vetëmbahen edhe përkundër opinioneve kundërshtuese të mbështetura në masa të gjera. Pra, po shihet ashiqare që solidarizimet grupore të oligarkëve në fjalë veprojnë në uzurpimet e posteve dhe të pozicioneve pushtetare të larta nga ku kanë edhe autorizime, të cilat jo rrallëherë i abuzojnë, veçanërisht në përfitime ilegale nga procedurat tenderuese", tha prof. Riza Smaka

(Kosova Sot)