Qeveria shqiptare vendos rritjen me vetëm 1.6 % të pensioneve

  • 27 July 2016 - 15:37
Qeveria shqiptare vendos rritjen me vetëm 1.6 % të pensioneve

Qeveria shqiptare miratoi sot rritjen e pensioneve për 635,000 pensionistë në bazë të indeksit të çmimeve. Rritja e këtij viti është 1.6 përqind. Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi bëri me dije edhe disa nga vendimet e tjera të qeverisë, miratuar sot që lidhen me pensionistët dhe skemën e kontributeve shoqërore. Klosi tha se rritja e pensioneve në masën 1.6 % është më e lartë se një vit më parë, ku pensionet u rritën me 1.3% dhe më e lartë se inflacioni i këtij viti është 1.2 %.

“Rritja e pensioneve të këtij viti për herë të parë është përllogaritur mbi bazën e çmimeve të shportës së posaçme të mallrave dhe shërbimeve për pensionistët. Kjo na ka dhënë mundësinë të bëjmë një rritje të pensioneve më të lartë se çmimet e inflacionit të shportës për pjesën tjetër të qytetarëve”, theksoi ai. Ministri Klosi vuri në dukje se filozofia e qeverisë për rritjen e pensioneve është e ndryshme nga ajo e paraardhësve, të cilët, shtoi ai, pa asnjë lloj analize dhe në kundërshtim të hapur me ligjin, çuan drejt falimentimit skemën e kontributeve shoqërore.

“Ndryshe nga kundështarët tanë polikë, që pa pikë çdo përgjegjësie, pensionet i trajtuan si vendime politike elektorale, qasja jonë është krejtësisht e ndryshme. Vendimet tona për pensionet, kanë në balancë rritjen e pensioneve dhe garantimin e qëndrueshmërisë së skemës së kontributeve shoqërore”, deklaroi Klosi.

Vendimi i sotëm i qeverisë nis zbatimin nga data 1 gusht, ndërsa sipas Klosit, efektet financiare për zbatimin e tij për pjesën e mbetur të vitit llogariten 662 milionë lekë dhe do të përballohen nga fondet e planifikuara për rritjen e pensioneve në buxhetin e shtetit për vitin 2016, pra vetëm për gjysmën e mbetur të vitit. Nga rritja e pensioneve e parashikuar në këtë vendim do të përfitojnë rreth 635 mijë pensionistë, prej të cilëve 461 mijë janë pensione qyteti, rreth 142 mijë janë pensionistë që marrin pensione fshati dhe rreth 32 mijë janë pensione të parakohshme suplementare të ish-ushtarakëve, policëve dhe punonjësve të Gardës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë si dhe trajtime të veçanta, të ish-punonjësve të nëntokës, të industrisë ushtarake, ish-pilotëve, ish-ushtarakëve të nëndetëseve.

Ministri Klosi, po ashtu informoi se Këshilli i Ministrave miratoi edhe vendimin “Për barazimin e masës së shtesës së pensioneve të posaçme shtetërore”.  Vendimi, tha ai, rregullon një padrejtësi ndër vite ndaj një sërë figurash të vlerësuara, të artit, kulturës, sportit e shkencës, që kanë dalë në vite të ndryshme në pension dhe vendimet për pensionet e posaçme për këto personalitete kane dale ne kohe te ndryshme.

“Këto pensione kanë qenë jo të barabarta, duke qenë se në vite të ndryshme trajtimet me pensione të vecanta kanë qënë të ndryshme. Për këtë shkak këto emra të shquar të këtyre fushave, ndaj të cilëve kemi të gjithë nderimin dhe respektin maksimal për kontributin që kanë dhënë , kanë marrë pension jo të barabartë”, u shpreh ministri.

Përmes këtij vendimi, vijoi ai, shmangim këtë padrejtësi, duke barazuam trajtimin financiar, përmes akordimin të shtesës së pensioni të posaçem shteteror.  Referuar vendimit, parashikohet të përfitojnë 286 persona, të cilat aktualisht përfitojnë pension pleqërie, ose familjar dhe kanë kontribuar në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës. Efektet financiare të këtij vendimi fillojnë nga data gushti i këtij viti. Fondi për këtë në gjysmën e dytë të mbetur të vitit, është 6 milion lekë dhe do të jepet nga Buxheti i Shtetit. Edhe këto pensione indeksohen në masën 1.6 %, si gjithë pensionet e tjera.

Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu edhe dy vendime të tjera që shkojnë në drejtim të përmirësimit të kritereve, rregullave dhe procedurave për përfitimin e pensionit. “Janë bërë disa rregullime të tjera për disa kategori të tjera, që nga skema e vjetër e pensionit kishin pengesa apo problematika. Me këto vendime dhe të tjera që i kemi në shqyrtim do ti japim fund njëherë e përgjithmonë të gjithë kaosit që ishte krijuar në skemën e kontributeve shoqërore, do tu japim fund padrejtësive, trajtimit të pabarabartë, burokracive, zvarritjeve e mundimit të qytetarëve shqiptarë për përfitimin e pensionit”, deklaroi ministri Klosi.

(Kosova Sot)