Kapja për kompetenca ua bën tërkuzë punën zjarrfikësve

  • 27 July 2016 - 19:21
Kapja për kompetenca ua bën tërkuzë punën zjarrfikësve

Brigada e Zjarrfikësve në Gjakovë, për një kohë të gjatë, është llogaritur si njëra ndër më të suksesshmet në Kosovë. Përgatitja profesionale dhe efikasiteti në punë, respektivisht në fikjen e zjarreve, kishin bërë që kudo për këtë brigadë të flitet me respekt. Mirëpo, tash, aktualisht, situata në këtë brigadë nuk është edhe aq e mirë. Në fakt, problemet kanë filluar të paraqiten që në kohën e dilemave se kush duhet të menaxhojë këtë brigadë - Komuna, respektivisht Drejtoria Komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim, apo Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës? Edhe sot e gjithë ditën kjo dilemë nuk është zgjidhur deri në fund, pasi menaxhimin e bëjnë në mënyrë të kombinuar dy subjektet e lartpërmendura, por kjo nuk po i zgjidh problemet, shkruan gazeta Kosova Sot.

Katër zjarrfikësit e pensionuar nuk janë zëvendësuar ende!

Këtë e thotë edhe vetë komandanti i kësaj brigade, Pashtrik Xërxa, i cili ka mjaft ankesa si në buxhetin e pamjaftueshëm ashtu edhe në mungesën, përkatësisht zvogëlimin e kuadrit profesional në krahasim me të kaluarën! "Kemi mjaft probleme me të cilat po ballafaqohemi, bile duke mos ia dalë që t'i zgjidhim ato vetëm sa po shtresohen dhe po shumohen dhe gjithë kjo po na pengon që të jemi në gatishmëri të plotë për intervenime të suksesshme. Mekanizmin të cilin aktualisht e disponojmë kryesisht është mjaft i vjetër, madje edhe deri në 40 vjet. Ai, për këtë arsye, ka shumë nevojë për mirëmbajtje dhe riparime, por në mungesë të fondeve të domosdoshme ne nuk po kemi mundësi ta bëjmë këtë në nivelin e duhur. Posaçërisht problem po kemi me sigurimin e pjesëve rezervë, m'u për mungesë të mjeteve materiale", ka thënë Xërxa, duke shtuar se ky mekanizëm kohët e fundit është ripërtëritur pak sa dhe atë kryesisht falë donacioneve të fondacioneve të huaja që janë siguruar përmes angazhimit të rotarianëve gjakovarë. Komandanti Xërxa ankohet edhe me numrin e pamjaftueshëm të zjarrfikësve. "Aktualisht kemi së paku 4 zjarrfikës më pak se që kishim pak kohë më parë, pasi aq zjarrfikës janë pensionuar, por ende nuk janë zëvendësuar me të tjerë! Duket se edhe kjo është pasojë e fondeve të pamjaftueshme për brigadën tonë", ka sqaruar Pashtrik Xërxa.

Sivjet më pak zjarre se viteve të kaluara

Zjarrfikësit gjakovarë ankohen edhe për faktin se, siç thonë ata, nganjëherë e kanë të paqartë se kujt "i takojnë" ata, kujt duhet t'i japin përgjegjësi?! "Sipas të gjitha dokumenteve ne jemi të lidhur me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa zyrtarisht menaxhohemi nga Drejtoria Komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim (DKMSH). Drejtori i kësaj drejtorie thotë se nuk ka buxhet të mjaftueshëm dhe se nuk ka ku të sigurojë fonde shtesë, ndërsa pa lek, pa buxhet, nuk mund të zgjidhen këto probleme. Problemet buxhetore e limitojnë edhe gatishmërinë tonë për intervenime efikase", thotë Xërxa. Me problemet e zjarrfikësve është i njohur edhe drejtori i DKMSH-së në Gjakovë, Ndue Muqaj. Ai shpjegon se menaxhimin e Brigadës së Zjarrfikësve e bën drejtoria që ai e udhëheq, ndërsa buxhetin e ndan agjencia përkatëse që vepron në kuadër të MPB-së."Nuk janë duke munguar përpjekjet tona të vazhdueshme për sigurimin e fondeve shtesë për kompletimin dhe meremetimin e mekanizmit të kësaj brigade, mirëpo duhet pranuar se në këtë drejtim po hasim në mjaft vështirësi.

Në MPB thonë se aktualisht nuk mund të garantojnë fonde shtesë për këtë qëllim, edhe pse ekziston disponimi që kjo të bëhet, ndërsa nga ana tjetër mundësitë e rotarianëve që sërish të ndihmojnë në këtë drejtim duket se janë shterë" e pranon Muqaj. Kështu, del qartë se në këtë stinë, kur numri i zjarreve zakonisht është më i madh se në periudhat e tjera të vitit, Brigada e Zjarrfikësve në Gjakovë ballafaqohet me mekanizëm të vjetërsuar dhe me mungesë kuadri, që mund të jetë fatale. Në tërë këtë situatë megjithatë është një e dhënë optimiste, e kjo ka të bëjë me numrin e zjarreve të këtij viti. Në 6 muajt e parë të këtij viti këta zjarrfikës kanë pasur gjithsej 150 intervenime, që është dukshëm më pak se viteve paraprake, e edhe aktualisht në këto ditë vape situata është më e qetë se vitet paraprake. 

(Kosova Sot)