Çarshia e Pejës, si zgjua bletësh

  • 27 July 2016 - 19:37
Çarshia e Pejës, si zgjua bletësh

Përbri Bajrakli Xhamisë janë një varg stendash të shitësve të artikujve të shumtë, duke filluar nga gjësendet më të imta, pastaj punimet artizanale, plisat, flamujt, shallet, fanellat sportive etj. Aty në këto ditë vere frekuentojnë me shumicë bashkatdhetarët tanë, të cilët nuk po kursejnë për të marrë ndonjë suvenir me identitet të qytetit të tyre, apo identitet kombëtar, për t'ua kujtuar qytetin apo në përgjithësi kombin."Dua ta blej këtë çifteli, jo pse di t'i bie, por dua ta kem në banesë atje në Gjermani, ngase sa herë ta shoh do të ma kujtojë Pejën time", thotë për gazetën "Kosova Sot" Shaban Gashi, një bashkatdhetar që jeton në Gjermani. Agim Cena, shitës në këtë vend, thotë se me ardhjen e bashkatdhetarëve po vlon Çarshia në Pejë,shkruan Gazeta Kosova Sot.

 Ai pranon për gazetën se muajt më të bereqetshëm për të janë korriku e gushti, si dhe fundi i dhjetorit në prag të vitit të ri.

Image

Plisat shkojnë "flakë"

Edhe shitësi i plisave, Afrim Lata, në dyqanin e tij në fund të çarshisë këto ditë është i kënaqur, ngase plisat e tij po shkojnë jashtëzakonisht mirë. "Mërgimtarët tanë po i duan plisat për kujtim, ose po ua dërgojnë miqve atje në perëndim", shprehet Lata. Këto ditë mjaft punë kanë edhe argjendarët, të cilët kanë një gamë të madhe ofertash të stolive nga ari, qoftë për vajzat që bëhen nuse, apo edhe për shumë bashkatdhetarë, të cilët i blejnë stolitë nga qejfi. Marrë në tërësi, Çarshia e Pejës këto ditë është ngjallur. Edhe restorantet dhe kafenetë e qytetit këto ditë vere janë përplot mysafirë. Në disa restorante nuk mund të gjesh vend të lirë. Në mbrëmje kafenetë gumëzhijnë si zgjua bletësh."Janë këta dy muaj tanë pothuajse për tërë vitin", thotë Bashkim Bytyqi, njëri nga pronaret e një restoranti në qendër të qytetit, i cili e kishte përplot lokalin e tij me mysafirë, ngase ishte kohë dreke. Ai është i njohur për specialitetet e tij të kulinarisë. "Për këta dy muaj, sa janë bashkatdhetarët tanë, kam një shumëfishim të mysafirëve, të cilët kryesisht vijnë për dreka apo darka, ngase u pëlqen kuzhina e këtij restoranti", shprehet Bashkimi për gazetën. "Për këto dhjetë ditë, sa do të jem në Pejë, nuk do të ndalem se shijuari qebapët në qebaptoren e njohur të Pejës 'Te Lala'", thotë Agimi që jeton në Londër. Ai nuk mund ta mposhtë dëshirën e madhe të tij për specialitetet e kuzhinës që ofron Peja. "Njëherë në vit i përjetoj këto gjëra, kështu që nuk mërzitem që shpenzoj diç më tepër", shprehet ai. Para vetes kishte një dhjetëshe me kajmak dhe një birrë të Pejës.

Shijojnë bjeshkët dhe specialitetet kosovare

Edhe dasmat dhe ahengjet familjare janë pjesë e përditshmërisë së qytetit tonë, nga të cilat përfitojnë restorantet e shumta që ka qyteti i Pejës, e të cilat gjashtë muaj më parë për këtë periudhë i kanë terminët e rezervuar, ku dominojnë organizimet familjare të mërgatës sonë. Kjo gjallëri e mërgimtarëve tanë vërehet jo vetëm në qytet, por edhe në vendet turistike, siç janë Bjeshkët e Rugovës dhe Burimi Drinit të Bardhë. Në orët e mbrëmjes restorantet në kanjonin e Rugovës dhe ato në Bogë dhe mjedise të tjera janë përplot me mysafirë, ku dominojnë bashkatdhetarët tanë, të cilët me familjarët e tyre shkojnë për t'u freskuar dhe shijuar specialitetet që ofrojnë kuzhinat në këto vende. "Unë jetoj në Zvicër dhe atje ka shumë bjeshkë dhe vende të rralla turistike, por asnjëherë nuk kam mundur t'i dua ashtu sikurse i dua këto bjeshkë të Rugovës, që me të drejtë po i quajnë Alpet e Kosovës", shprehet për gazetën Gani Thaçi, i cili jeton që 30 vjet në Zvicër. Mërgata jonë jo vetëm me remitancat që ndihmon familjet dhe të afërmit e tyre, por ajo për këto ditë vere, kur ata vijnë për pushime, një pjesë të mirë të kursimeve të tyre e shpenzojnë në këtë qytet.

(Kosova Sot)