Partitë kosovare i shmangen reformës në drejtësi

  • 28 July 2016 - 08:03
Partitë kosovare i shmangen reformës në drejtësi

Politikanët shprehin vetëm keqardhje që nuk ka konsensus.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni në pushtet, Sadri Ferati (LDK), në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se ishte dashur që të gjitha partitë politike të uleshin dhe të gjenin një konsensus minimal për hapat që do duhej të merreshin në këtë drejtim, dhe, sipas tij, është për keqardhje pse ajo nuk po ndodh,raporton Gazeta Kosova Sot 

Edhe pse janë pjesë e koalicionit aktual që po e qeverisin vendin, ka deputetë të sinqertë nga radhët e partive në pushtet që e pranojnë haptazi dhe shprehin keqardhje se përse partitë politike nuk po ulen në një tryezë të përbashkët për të gjetur një konsensus nacional, në mënyrë që ta reformojnë sa më thellësisht sistemin e brishtë të drejtësisë. Kjo pasi në një mënyrë edhe situata ku kemi ardhur si vend është treguesi më i mirë se me këtë drejtësi të kalbur dhe të brishtë asnjëherë nuk do të na hapet rruga drejt integrimeve evropiane. Lidhur me çështjen në fjalë një pasqyrë më të qartë e japin opinionet e njohësve të kësaj fushe. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni në pushtet, Sadri Ferati (LDK), në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se një gjendje jo e mirë në cilëndo fushë, e posaçërisht në drejtësi, që është në interes të forcimit të shtetit dhe në interes të qytetarëve, është e një rëndësie aq të madhe saqë, sipas tij, realisht ishte dashur që të gjitha partitë politike të uleshin dhe të gjenin një konsensus minimal për hapat që do duhej të merreshin në këtë drejtim dhe është për keqardhje pse ajo nuk po ndodh.

Mungojnë dialogu dhe mirëkuptimi Ferati thotë se përveç drejtësisë ka edhe plot çështje të tjera për të cilat nuk po krijohet konsensusi ndërmjet partive politike në vend. "Nuk është e vetmja fusha e drejtësisë që në Kosovë nuk po krijohet konsensusi, pasi kemi edhe tema të tjera politike që ne kemi mbetur rob të një viti, duke i diskutuar dhe nuk po gjendet forma e hapjes së dialogut dhe krijimit të disa parimeve, pra minimumi konsensusi për të shkuar më tutje. Unë nuk e di arsyen pse nuk po ulen, por dua të shpreh keqardhjen time se pse nuk po ulen", është shprehur deputeti Sadri Ferati. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka bërë me dije për gazetën "Kosova Sot" se ligjet të cilat aprovohen sa i përket lëmit të drejtësisë ato shkojnë përmes harmonizimit të grupeve parlamentare, duke i amendamentuar në komisionet përkatëse, ku marrin pjesë si pozita, por edhe opozita, mirëpo, sipas tij, gjithmonë kur shumicën e votës e ka pozita, atëherë, siç tha, këtu qëndron edhe favorizimi tek ajo në kuptimin e votimit, duke dalë kësisoj edhe ligjet e dobë- ta. "Sigurisht se kjo formë e veprimit i konvenon pozitës për shkak se do që ta politizojë drejtësinë duke e mbajtur peng dhe duke i realizuar qëllimet e veta". Ndërsa sa i përket asaj nëse ishin ulur në një tryezë me partitë në pushtet për të diskutuar rreth mundësisë së një reformimi të plotë në sistemin e drejtësisë, Isufi ka thënë se ata si opozitë kanë marrë pjesë në hartimin dhe në amendamentimin e ligjeve që kanë të bëjnë në sferën e drejtësisë, por që, siç tha, "ato gjithmonë bazohen në interesat që i imponon pozita momentalisht", ka theksuar Isufi. .(Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)