Shala: Konkursi për mësimdhënës në shkollat e Prishtinës, kundërligjor

  • 28 July 2016 - 12:28
Shala: Konkursi për mësimdhënës në shkollat e Prishtinës, kundërligjor

Asambleisti i LDK-së në Kuvendin komunal të Prishtinës, Flamur Shala ka thënë se konkursi për mësimdhënës i shpallur në faqen e komunës është kundërligjor.

Ai në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se në konkurs askund nuk ceket se për në cilën shkollë janë të lira vendet e punës.

Sipas tij, me këtë lloj manipulimi shkaktohet huti dhe mësimdhënësve konkurrentë iu bëhet e padrejtë qysh në fazën e parë.

Lexoni postimin e plotë të Shalës në Facebook:

Konkursi për plotësimin e vendeve të punës për mësimdhënës në shkollat e Prishtinës i datës 25.07.2016, i shpallur në faqen e Komunës së Prishtinës, duket mirë të jetë kundërligjor! Në konkurs, në asnjë rast nuk shënon se në cilën shkollë të qytetit a në cilën shkollë të fshatit janë ato vende të lira të punës.

Me këtë lloj manipulimi, duke shkelur ligjin, shkaktohet huti dhe mësimdhënësve konkurrentë iu bëhet e padrejtë që në fazën e parë. Ata nuk e dinë se në cilën shkollë po konkurrojnë. Shumë keq të bëhen përpjekje të tilla për manipulimin e opinionit dhe të vetë konkurrentëve. Shumë keq që mësimdhënësit e ardhshëm të bien pre e manipulimeve me konkurs kundërligjor që në fillim të realizimit të tij.

Komuna, duke i fshehur dhe duke mos i bërë publike shkollat, qoftë në fshatra qoftë në qytet, po i fsheh tendencat e saj të selektimit të konkurrentëve sipas dëshirës dhe jashtë kritereve të transparencës së plotë, madje duke i kamufluar kriteret politike të kryetarit Ahmeti dhe zgjedhjes sipas listave të zyrave të VV.

Më e keqja do të ishte të shpallej konkursi e të mos përmenden vendet e lira sipas lëndëve mësimore!!!

Për të parë konkursin e publikuar në faqen e komunës klikoni më poshtë:

http://kk.rks-gov.net/prishtina/getattachment/4508894c-5bdb-490d-8b5f-cc717800f537/Konkurs-per-plotesimin-vendeve-te-punes-per-mesimd.aspx

(Kosova Sot)