Zjarrëvënia në spital, shkak konflikti për rradhën e analizave

  • 28 July 2016 - 16:15
Zjarrëvënia në spital, shkak konflikti për rradhën e analizave

Ngjarja tragjike që shënoi katër të vdekur në mjediset e një spitali privat dyshohet se ka ndodhur për shkak të një konflikti për radhën.

Një burim pranë Prokurorisë së kryeqytetit i tha Top Channel se, nga metarialet e administruara për llogari të hetimeve rezulton se, dëshmitarët kanë treguar se mes një pacienti dhe Lefter Canajt është dëgjuar një debat i tillë pak para se ai të kryente krimin.

Siç ata kanë rrëfyer më pas, Lefter Canaj ka dalë jashtë sallës ku kryhej trajtimi, duke u kthyer me një shishe, që sikurse ndodhi më pas rezultoi të ishte lëndë djegëse benzinë. Ndërsa pritet që të pyeten administratorët e spitalit të ndodhur në zonën e Laprakës, prokurorët do të sekuestrojnë rregulloren e sigurisë për këtë spital.

Çështja është regjistruar për veprën penale të “vrasjes së dy apo më shumë personave”, sipas nenit 79 të Kodit Penal, megjithëse për këtë vepër parashikohet që hetimi të pushohet, duke qenë se autori i krimit Lefter Canaj ndërroi jetë në spital.

Por prokurorët thonë se hetimet do të fokusohen veçanërisht te motivi i ngjarjes dhe kushtet e sigurisë së spitalit. Më këtë ngjarje humbën jetën pacientet Sanije Sulaj, Hani Mali, Dashamir Saraçi, si dhe autori që u vuri flakën, Lefter Canaj. Aktualisht ndodhet nën trajtim mjekësor infermieri, që raportohet se është jashtë rrezikut për jetën.

(Kosova Sot)