Aprovohet rregullorja për monitorimin e 'Trepçës'

  • 28 July 2016 - 18:36
Aprovohet rregullorja për monitorimin e 'Trepçës'

Një prej pikave më me prioritet për Bordin dhe Menaxhmentin e AKP-së, sot është konsideruar Trepça, ku në mbledhjen e këtij bordi pati diskutime të shumta në lidhje me këtë ndërmarrje të rëndësisë së veçantë për ekonominë e Kosovës, ku u shqyrtua raporti i punës së ndërmarrjes Trepça, si dhe u aprovua rregullorja për monitorimin e ndërmarrjes shoqërore “Trepça” nën administrimin e AKP-së.

U diskutua edhe në lidhje me kërkesat për ndryshimet e Ligjit të AKP-së, me ç’rast komisioni i formuar nga Agjencia për këtë qëllim është duke hartuar propozime për ndryshime dhe përmirësime të përmbajtjes së ligjit, të cilat propozime do t’i dërgohen organeve qendrore vendimmarrëse, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Gjatë këtij takimi Bordi aprovoi raportet e pagesave për kreditorët e 11 ndërmarrjeve shoqërore me shumë rreth 250 mijë euro. Po ashtu, Bordi aprovoi raportet e komisionit për shitjen e 28 banesave të NSh-ve tek shfrytëzuesit e ligjshëm bazuar në Ligjin në fuqi.

Po ashtu, gjatë kësaj mbledhje u shqyrtua edhe kërkesa e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor për dhënien e pëlqimit për lejimin e bartjes së pronës së N.Sh. “Auto Moto” dhe NSh “Ina Zagreb” për nevojat e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës së Kosovës, e paraqitur konform vendimit përfundimtar të Qeverisë dhe e miratoi këtë kërkesë.

Bordi shqyrtoi dhe aprovoi një numër të qiradhënieve të aseteve të N.Sh.-ve. Gjithashtu shqyrtoi raportin e Komisionit përkatës në lidhje me përcaktimin e statusit të personin juridik “Lotaria e Kosovës” dhe në harmoni me Ligjin e AKP-së e liroi atë nga administrimi i Agjencisë dhe e miratoi bartjen e kësaj ndërmarrje nën administrim të Qeverisë së Kosovës.

(Kosova Sot)