Nuk ka bujqësi intensive pa sistemin e ujitjes

  • 28 July 2016 - 19:55
Nuk ka bujqësi intensive pa sistemin e ujitjes

Ndërtimi një pende në shtratin e Lumëbardhit në lokacionin e fshatrave Jabllanicë e Leshanit - Rosujë, pritet që të ndikojnë në bujqësinë e këtij rajoni. Ky është një projekt që mbështetet nga qeveria në masën 80 për qind të mjeteve, kurse pjesa tjetër nga mjetet e buxhetit komunal. "Ndërtimi i një kanali të ujitjes prej dy kilometrash në drejtim të Bashkësisë Territoriale të Poqestës për fshatrat Poqestë, Kërstovc, Babiq, Pishtan dhe ky donacion i fituar ka bërë që të rriten në masë të madhe sipërfaqet e tokave nën sistemin e ujitjes, duke krijuar parakushte për ngritjen e prodhimtarisë së produkteve bujqësore në fushat pjellore të komunës së Pejës", ka thënë Mehdi Mulaj, drejtor për Bujqësi në Komunën e Pejës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Zhvillimi i bujqësisë është njëra nga shtyllat kryesore të zhvillimit të ekonomisë pejane. Për zhvillimin e bujqësisë kjo komunë ka resurse të bollshme. Agronomi Mehdi Mulaj i ka thënë gazetës "Kosova Sot" se për të pasur një nivel më të lartë të zhvillimit të bujqësisë lypset që të investohet më shumë në infrastrukturën e rrjetit të kanaleve të ujitjes, duke mundësuar ndryshimin e strukturës së kulturave të prodhimeve bujqësore. Ai thotë se janë ndërtuar një pendë në shtratin e Lumëbardhit në lokacionin Jabllanicë e Leshanit - Rosujë, dhe me këtë është mundësuar ujitja e disa qindra hektarëve të tokave bujqësore në këto lokalitete.

Më shumë kanale ujitjeje

Komuna ka fituar edhe një grand qeveritar për ndërtimin e një kanali prej dy kilometrash në Bashkësinë Territoriale të Poqestës që shpie drejt fshatrave Kërstovc, Babiq, Pishtan, Vragoc, Millovanc etj. që mundëson ujitjen e disa qindra hektarëve tokë. Mulaj thotë se vetëm në këtë vit për rrjetin e kanaleve të ujitjes do të investojnë mbi 250 mijë euro. Sipas tij, nga këto investime janë ndërtuar ose janë në fazën e ndërtimit shumë kanale për ujitje në fshatrat: Llabjan, Novosellë, Radavc, Terstenik, Raushiq, Llozhan, Loxhë, Kotradiq, Terstenik dhe Nabergjan, ku gjatësia minimale e këtyre kanaleve është 270 metra, kurse maksimalja mbi një kilometër. "Me këto investime do të përmirësohet dukshëm struktura e prodhimtarisë bujqësore, respektivisht me ketë ju mundësohet fermerëve që në pronat e tyre të ndryshojnë prodhimin e kulturave bujqësore, pra më futjen në sistemin e ujitjes tani këta fermer mund të merren më perimekultura, të cilat atyre u sjellin përfitime më të mëdha", thotë Mulaj. Komuna e Pejës ka në plan ngritjen edhe të tri pendave në shtratin e Lumëbardhit dhe atë në zonat e fshatrave Gllaviqicë, Ramun dhe Zahaq, varësisht se ku do të vlerësojnë ekspertet e fushës. Mulaj thotë se me këtë do të stabilizojnë edhe shtratin e Lumbardhit, i cili kishte degraduar dukshëm nga shfrytëzuesit e egër të zhavorrit.

Kompania e ujitjes dështoi me zgjerimin e rrjetit

Dukagjini ka një traditë të gjatë në sistemin e ujitjes. Që nga koha e Luftës së Dytë Botërore ka pasur një kanal të ujitjes, i cili nga gryka e Rugovës sipër Pejës vazhdon drejt tokave pjellore të fshatrave nga Rushiqi - Logja drejt fshatrave të Lugut të Baranit. "Me këtë sistem të kanaleve të ujitjes menaxhon ndërmarrja "Drini i Bardhë", e cila në periudhën e pasluftës së fundit nuk ia ka dalë që të thith investime të duhura për të zhvilluar dhe zgjeruar këtë sistem të ujitjes", ka thënë drejtori Mehdi Mulaj. Sipas tij, mbetet imperativ i kësaj kompanie që të gjejë investime dhe të zgjeroj edhe ketë sistem të tanishëm të ujitjes që ka. Sipas Mulajt, Peja ka resurse të bollshme të ujit për ujitje të tokave bujqësore dhe ato duhet t'i shfrytëzojmë maksimalisht në interes të rritjes së prodhimeve bujqësore.  

(Kosova Sot)