Statistikat e kurorëzimeve në Kosovë, ky është qyteti që prinë për martesa

  • 28 July 2016 - 20:33
Statistikat e kurorëzimeve në Kosovë, ky është qyteti që prinë për martesa

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar “Statistikat e Kurorëzimeve në Kosovë” për vitin 2015. Të dhënat e paraqitura në këtë publikim janë paraqitur sipas bazës së grumbullimit të të dhënave administrative për vitin 2015 nga zyrat e Gjendjes Civile në Kosovë, ku janë grumbulluar gjithsej 17 494 fleta statistikore për kurorëzime DEM-3.

Këto të dhëna tregojnë se në Kosovë në vitin 2015 janë kurorëzuar 16 274 qifte-bashkëshortore.

Femrat e kurorëzuara me përkatësi etnike shqiptare janë 92.8%, kurse meshkuj të kurorëzuar me përkatësi etnike shqiptare janë 95.7%; femra të kurorëzuara me përkatësi etnike serbe janë 0.8%, kurse meshkuj të kurorëzuar me përkatësi etnike serbe janë 0.8%; femra të kurorëzuara të përkatësisë etnike turke janë 0.4%, kurse meshkuj të kurorëzuar me përkatësi etnike turke janë 0.5%; femra të kurorëzuara me përkatësi etnike boshnjake janë 1.4%, kurse meshkuj të kurorëzuar me përkatësi etnike boshnjake janë 1.3%; femra të kurorëzuara me përkatësi etnike romë, ashkali dhe egjiptian janë 1.2%, kurse meshkuj të kurorëzuar me përkatësi etnike romë, ashkali dhe egjiptian janë 1.1%; ndërkaq, femra me përkatësi tjetër etnike janë 3.4% dhe meshkuj 0.5%.

Mosha mesatare e të martuarve ishte 29.5 vjeçare. Prej tyre, mosha mesatare e meshkujve ishte 31.2 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave 27.7 vjeçare.

Kurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë femrat e moshës 20-24 vjeçare me 5 604 ose 34.4%, ndërsa te meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 5 020 ose 30.8%.

Komuna e Prishtinës zë vendin e parë në Kosovë me 1 403 kurorëzime ose 8.0%, pastaj vjen Prizreni 1 325 ose 7.6%, ndërsa në vendin e tretë gjendet Podujeva me 1 206 ose 6.9% kurorëzime.

Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri i femrave të kësaj kategorie është 10 656 ose 65.5%, kurse e meshkujve 12 002 ose 73.7%.

(Kosova Sot)