Indiferenca e sovranit i lejon politikanët të sundojnë

  • 28 July 2016 - 07:59
Indiferenca e sovranit i lejon politikanët të sundojnë

Sapo marrin votën, harrojnë premtimet dhe ligjin.
 

Sipas analistëve, shumica e kësaj klase politike është mësuar dhe po vazhdon të luajë rolin e pashallarëve dhe të sundimtarit, sepse është një klasë politike, e cila akoma nuk është ndërgjegjësuar sa duhet për besimin që i jep qytetari, por i shikon interesat e veta individuale, apo qofshin edhe ato të klientelave e grupeve të interesit,raporotn Gazeta Kosova Sot

Shumica e partive politike ekzistuese në Kosovë, pa ndonjë dallim të theksuar, respektivisht zyrtarët e tyre të zgjedhur në pozita të ndryshme të institucioneve të nivelit lokal e qendror, e kanë bërë pothuajse praktikë dhe rregull të zakonshëm që nga momenti i marrjes së pushtetit, rehatisë në kolltukun që ia ka siguruar vota, të sillën sikur të kishin qenë pashallarë dhe sundues të përjetshëm, shefa të pazëvendësueshëm dhe sundues të këtij populli që po mashtrohet vazhdimisht, nga një proces elektoral në tjetrin. Vetëdijesimi i kësaj klase politike që të mos shkëputet nga interesi bazë i qytetarit, por të merret seriozisht me zgjidhjen e problemeve të tij, sipas analistëve politikë, do të ndodhë vetëm pasi të merret një mësim i mirë nga një ndëshkim i madh me votën e qytetarëve dhe të vetëdijesohet pjesa dërmuese e këtyre politikave se nuk mund të jenë sundues të përjetshëm dhe mashtrues të qytetarëve. Analisti politik dhe profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, për këtë lloj fenomeni një pjesë të fajësisë ia adreson edhe qytetarit që po i voton mashtruesit recidivistë në politikën kosovare.

Spahiu: Na duhen politikanë si Rufki Suma Sipas analistit Spahiu, ka mjaft njerëz të ndershëm që brenda listave kandiduese mund të ofrojnë vlera, ngase jo të gjithë janë të prirë që të sillen si sundues të popullit. Madje ai ka marrë edhe një shembull shumë konkret, me të cilin mburren gjithandej qytetarët e Kosovës, edhe pse shumica prej tyre nuk janë votues të rajonit përkatës. Kjo është arsyeja që Spahiu thotë se nuk pajtohet që të gjitha figurat politike të futen në një thes, por duhet të diferencohen për t'u përcaktuar vlerat reale. "Jo, kjo nuk është e vërtetë se të gjithë janë njësoj. Ta zëmë, nuk mund të themi për Rufki Sumën që po sillet ashtu, si sundues. Mendoj se Rufkiu është një kryetar tipik në shërbim të qytetarëve. Tani problemi është se shumica nuk janë si Rufki Suma. Problemi është se shumica e qytetareve tanë janë kabullxhinj dhe pajtohen me i qit edhe hajnat në pushtet, me shpresën se edhe ata do të kenë hise në hajninë e tyre. Pikërisht ky mentalitet duhet të ndryshohet", tha Spahiu për "Kosova Sot"

Qytetarët duhet të vetëdijesohen se kush po u prin Sido që të jetë, politologu Albinot Maloku konsideron se megjithatë shumica e kësaj klase politike është mësuar dhe po vazhdon të luajë rolin e pashallarëve dhe të sundimtarit, sepse është një klasë politike e cila akoma nuk është ndërgjegjësuar sa duhet për besimin që i jep qytetari, por i shikon interesat e veta individuale, apo qofshin edhe ato të klientelave grupore. Edhe politologu Maloku thotë se një masë e madhe e përgjegjësisë bie edhe mbi qytetarin, që akoma nuk është vetëdijesuar për të gjykuar dhe vlerësuar si duhet, për ndarë vlerat nga antivlerat. "Ndërgjegjja e garniturave politike ndaj qytetarit është në deficit të theksuar dhe i pa ndryshime, që po tentohet të vazhdohet me këtë metodë. Para çdo procesi zgjedhor politikani aktual po i aktron qytetarit të "brengosurin", mirëpo kjo "brengosje" nuk po zgjat me të njëjtin ritëm pas procesit zgjedhor. Kjo vjen edhe si pasojë e mungesës së parimeve në politikë", është shprehur ai. "Pjesë përgjegjësie mban edhe qytetari, i cili duhet të vetëdijesohet në lidhje me dënimin e atyre politikanëve, të cilët nuk po vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve me nivelin e "brengës" karshi qytetarit sikur para procesit zgjedhor. Konform kësaj, qytetari e ka fuqinë më të madhe dhe atë duhet ta shfrytëzojë në plotni", tha Albinot Maloku për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)