Maqedonia e krizave tërheq shumëfish investime më tepër se Kosova

  • 29 July 2016 - 07:37
Maqedonia e krizave tërheq shumëfish investime më tepër se Kosova

Dështim total në agjendën ekonomike

Politikat e gabuara mbajnë larg investitorët e huaj

Specialisti i ekonomisë, Milazim Abazi, bankier, tha se arsyeja kryesore pse në Maqedoni ka së paku 10 fish më shume investime të huaja, sesa në Kosovë, është klima e biznesit shumë më e mirë sesa tek ne. Sipas Abazit, në Kosovë edhe më tutje janë prezente: korrupsioni i lartë, shantazhi, burokracia e tepruar dhe administrata publike shumë joefikase

Me gjithë premtimet bombastike, që u dhanë gjatë fushatës së zgjedhjeve nacionale të para dy viteve, por edhe pas formimit të koalicionit të ri qeverisës në mes të PDK-së dhe LDK-së, Qeveria e 'Isa Mustafës' sikurse qeveritë paraardhëse kanë dështuar në joshjen e investitorëve të huaj dhe në përmirësimin e ambientit të biznesit. Të dhë- nat e ekspertëve flasin se vetëm në vitin e kaluar në Maqedoni ishin mbi 5 miliardë euro investime, derisa në Kosovë ato ishin diçka më shumë se 300 milionë euro. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të tyre, zyrtarët e MTI-së nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën se përse nuk ka klimë të investimeve në vendin tonë. Deputeti i opozitës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), e ka akuzuar Qeverinë e 'Isa Mustafës' dhe ministren Hykmete Bajrami se përse ata nuk po bëjnë më shumë në krijimin dhe garantimin e kushteve më të mira për investitorët e huaj, por edhe ata të vendit me synimin për të rritur investimet, punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Deputeti Hoti thotë se të investosh sot në Kosovë me këtë qeverisje e me këta sundimtarë gati është e pamundur të ndodhë. "Në Kosovë mund të investojnë vetëm ato biznese mafioze të huaja, që paraprakisht pëlqejnë që ta japin "tallin" apo hisen e ndarë të ryshfetit për politikanët tanë të nivelit më të lartë shtetëror", theksoi ai.

Ambienti biznesor i përkeqësuar

Besnik Kada, zëdhënës në BQK, tha se investimet e huaja direkte në vitin 2015 ishin 324.4 milionë euro. Në tremujorin e parë të këtij viti investimet e huaja janë rreth 72 milionë euro. Po, sipas BQK-së, mësohet se një vit para se të shpallej pavarësia më 2007, investimet kanë qenë në vlerën prej 440 milionë eurove, në 2008 - 370 milionë euro, 2009 - 295 milionë euro, 2010 - 368 milionë euro, 2011 - 384 milionë euro, 2012 - 229 milionë euro, 2013 - 280 milionë euro, 2014 -151 milionë euro. Analistët vlerësojnë se ato që më së shumti po i trembin investitorët e huaj janë kërkesat e pareshtura për marrje të ryshfetit nga ana e pushtetarëve tanë në të dyja nivelet në partitë që udhëheqin me shtetin apo me komunën, që edhe ka bërë të na dështojnë shumë projekte kapitale të investimeve të huaja dhe të privatizimit, si janë PTK-ja dhe 'Brezovica'. Specialisti i ekonomisë, Milazim Abazi, bankier, tha se arsyeja kryesore pse në Maqedoni ka së paku 10 fish më shumë investime të huaja sesa në Kosovë është klima e biznesit shumë më e mirë që ekziston në Maqedoni, sesa në Kosovë. Sipas Abazit, në Kosovë edhe më tutje është prezent korrupsioni i lartë, shantazhi, burokracia e tepruar dhe administrata publike shumë joefikase. "Për të marrë një licencë, një leje pune apo një dokument sado qoftë të thjeshtë, qoftë ajo edhe një regjistrim veture, te ne në Kosovë duhet që të sorollatesh nga zyra në zyrë, duke nxjerrë vërtetime krejt të panevojshme", tha ai. Ndaj, sipas Abazit, këto gjëra duhet që të thjeshtëzohen dhe duhet të reduktohen dokumentet e panevojshme, si dhe të krijohet mundësia që të gjitha këto dokumente të jepen në një zyre, e jo që të shëtisin investitorët e huaj nga një zyrë në zyrën tjetër dhe nga një organ në organin tjetër... (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)