Smaka: Për demarkacionin të flasin profesionistët, jo servilët e Qeverisë

  • 29 July 2016 - 14:01
Smaka: Për demarkacionin të flasin profesionistët, jo servilët e Qeverisë

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, është shumë i bindur se ligjvënësit mund të binden për dëmin që e pëson Kosova nga ratifikimi eventual i këtij versioni të marrëveshjes për Demarkacionin.

Në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, Smaka thotë se ata do ta kundërshtonin atë me votë në Kuvend, vetëm nëse në tryezën e 3 gushtit krijohen kushte për analizë të ekspertëve dhe jo për përfshirje në diskutim manipulativ, me qëllim të mbështetjes së qëndrimit të tanishëm të disa pseudo- ekspertëve që do të provojë t'i sjellë aty ekzekutivi për të forcuar qëndrimin e deritanishëm të Qeverisë dhe të subjekteve politike të pozitës si bllok, në mbështetje të kësaj marrëveshje.

 "Në kuptimin e mirëfilltë, nëse ftohen vetëm shkencëtarët, që të jenë aty prezentë dhe t'i sjellin argumentet e tyre shkencore, sigurisht që ai takim do ta ketë një vlerë shumë të madhe të argumentimit shkencor dhe dhënies së rekomandimeve se si të veprohet tutje, mirëpo, sipas disponimit të tanishëm dhe paralajmërimeve nga pozita, gjasat janë shumë të mundshme që treshja qeveritare, kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe presidenti, e kanë ndërmend që ta manipulojnë këtë takim duke dërguar aty një numër të madh të përfaqësuesve të Qeverisë që nuk janë as ekspertë dhe as shkencëtarë", theksoi ai.

"Rrezikohet seriozisht manipulimi i kësaj konference, tani këtu mbetet edhe një pikëpyetje e madhe që duhet të pritet se si do të ndodhin ato zhvillime, nëse vërtet do të pranojë opozita që të marrë pjesë në një konferencë të tillë, kur spekulohen çështjet paraprake që duhet të analizohen shkencërisht. Unë që tani konsideroj se në rast se përgatitet ky skenar i tillë opozita nuk do të duhej fare të merrte pjesë aty, në një konferencë të emëruar si konferencë shkencore, por ku dominojnë dhe japin vlerësim personat të cilët nuk kanë lidhje me atë fushëveprim dhe që nuk janë shkencëtarë të fushës', tha prof. Smaka për 'Kosova Sot'.

(Kosova Sot)