Trump: Askush nuk logjikon me keq sesa Hillary

  • 29 July 2016 - 14:58
Trump: Askush nuk logjikon me keq sesa Hillary

Kandidati republikan për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u është kundërvënë fjalës dhe kritikave të Hillary Clintonit, në natën kulminante të Konvertës së Demokratëve në Filadelfia.

Me anë të disa postimeve në rrjetin social “Twitter”, Trump u ndal tek pikat kyçe të programit politik të kandidates demokrate, që nga politika për emigrantët, terrorizmi dhe deri tek “Wall Street”.

Në postimin e parë, ai shkruan: “Askush nuk logjikon më keq sesa Hillari Klinton. Korrupsioni dhe shkatërrimi e shoqërojnë atë kudo që shkon”.

Ndërkohë Trump e quan kërcënim bindjen “globaliste” të rivales demokrate. “Vizioni i Hillary-t është një botë pa kufij, ku amerikanët nuk do të kenë as pushtet, as punë dhe as siguri”, shkruan ai.

“Lufta e Hillary Clintonit në Lindjen e Mesme ka çliruar shkatërrimin dhe terrorizmin e ISIS-it në shkallë globale”, reagon Trump në lidhje me terrorizmin.

“Mënyra jonë e jetesës, vetë jeta jonë është nën kërcënim nga islami radikal dhe Hillary nuk guxon as që ta përmendë këtë”, shkruan më tej republikani.

Pika e vetme e politikës së brendshme, ku u ndal miliarderi njujorkez, ishte “Wall Street”. Në  postimin e fundit, ai shkruan: “Hillary nuk do të mund të reformojë kurrë “Wall Street”. Ajo kontrollohet nga “Wall Street””.

(Kosova Sot)