Alarmi për sulme, ndalohen çantat dhe valixhet në plazhet e Kanës

  • 29 July 2016 - 15:24
Alarmi për sulme, ndalohen çantat dhe valixhet në plazhet e Kanës

Çantat e mëdha nuk do të jenë më të lejueshme në plazhet e Kanës, mjaft të frekuentuara nga yjet e botës së spektaklit. Pas sulmit në Nicë që i kushtoi jetën 84 personave dhe atij në një kishë të Rouenit ku një prifti ju pre fyti nga dy militantë të ISIS-it, alarmi në Francë është maksimal dhe masat e sigurisë po ashpërsohen në të gjithë vendin.

Policë dhe ushtarë të armatosur do patrullojnë zonat turistike, përfshirë edhe plazhet. Edhe marshimi në nder të viktimave të masakrës së Nicës që duhej të mbahej më 31 korrik në “Promenade des Anglais”, u anulua për shkaqe sigurie.

Inciativa lindi në rrjetet sociale ku 11 mijë persona kishin konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, por autoritetet mendojnë se është më mirë të mos rrezikojnë. 

Kryebashkiaku i Kanës, David Lisnard, njoftoi hyrjen në fuqi të urdhrit që parashikon ndalimin e çantave apo valixheve në plazh, pasi aty mund të fshihen armë ose lëndë shpërthyese. 

Kështu turistët dhe vendasit që duan të shijojnë verën, duhet të mbërrijnë në plazh, praktikisht me duart bosh. Në të kundërtën do të përballen me gjoba ose do të detyrohen të kthehen në shtëpi.

Disa pushues u shfaqen skeptikë lidhur me efektshmërinë e një mase të tillë, por të tjerë e konsideruan si të nevojshme. “Nuk e di se sa mund të ndihmojë kjo, por ata e dinë më mirë”, tha një turist. “Pranoj çdo gjë që është e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe për t’i bërë njerëzit të ndjehen më të relaksuar”, u shpreh një tjetër.

Masa do të qëndrojë në fuqi deri më 31 tetor. Edhe autoritetet në Bavarinë e shënjestruar nga sulmet njoftuan më herët se gjatë Festivalit të famshëm të Birrës “Octoberfest” do të ndaloheshin çantat.

(Kosova Sot)