“Qeveria Rama 2”, A po blen Edi Rama deputetë të LSI-së?!

  • 29 July 2016 - 15:46
“Qeveria Rama 2”, A po blen Edi Rama deputetë të LSI-së?!

Në llogoret politike flitet edhe për një qeveri Rama, nëse Ilir Meta del nga koalicioni. Shumë portale shkruajnë për atë që flitet lart e poshtë mbi opsionet e mundshme, kur krisja në koalicion është më se e dukshme.

Por si mund ti bëjë Rama 71 vota për të qendruar Kryeministër pa Ilir Metën?

Më poshtë janë disa llogari të bëra nga portali 360 gradë që drejtohet nga Artur Zheji.

“Përshkallëzimi nga numuri 60 drejt numërit 71, është një e përpjetë jo e lehtë. Mungesa e 20 deputetëve të Ilir Metës, është një boshllëk realisht i madh”, shkruan ky portal dhe më tej thuhet se “negociatorët e Ramës kanë bërë bisedime intensive, me të paktën 2 deputetë të LSI. Njeri me bindje shumë të njohura dhe shumë të Majta dhe tjetri mendohet se është nga fusha e biznesit”.

Paralelisht me LSI, negociatorët e PS kanë bërë bisedime konkrete dhe intensive me PDIU, për të cilat bisedime ka shenja të dukshme dhe të lexueshme kënaqësie. Thuhet se janë siguruar 5 votat e PDIU, për Qeverinë Rama 2, duke ofruar të paktën dy poste ministrore për PDIU dhe vendin e Kryetarit të Kuvendit për zotin Idrizi.

Nëse bëhet një veprim i vogël aritmetik, nëse “nënshtrohet” dhe “tradhëtohet” nga Ben Blushi, deputetja e Shkodrës, zonja Hafizi, plus 5 deputetët e PDIU dhe deputetët e tjerë të “rehabilituar” apo të paqtuar në PS, arrihet te numuri 69.

Thuhet se deputeti Nard Ndoka, është i gatshëm për të votuar qeverinë e re.

Kurse deputeti Agron Duka, që do të bënte numurin 71, është shumë i pavendosur për të marrë një veprim dhe një qëndrim të tillë. Kjo do ta armiqësonte në mënyrë të panevojshme me Lulëzim Bashën dhe Ilir Metën, armiqësi të cilën, Duka, nuk ka përse ta ngarkojë mbi vete, aq më tepër kur deputeti Lefter Koka, kunati i tij, ka marrëdhënie shumë të mirë me Metën.

Gjithë shpresat e negociatorëve, janë te dyshja e deputetëve të LSI, te “kthesa” e Hafizit dhe te joshja ndaj Agron Dukës. Ata mburren lart e poshtë, se kanë të paktën 3 deputetë të PD, që do ta votonin Qeverinë Rama2

(Kosova Sot)