Maqedonia e krizave tërheq shumëfish investime më tepër se Kosova

  • 29 July 2016 - 07:37
Maqedonia e krizave tërheq shumëfish investime më tepër se Kosova

Dështim total në agjendën ekonomike

Politikat e gabuara mbajnë larg investitorët e huaj

Specialisti i ekonomisë, Milazim Abazi, bankier, tha se arsyeja kryesore pse në Maqedoni ka së paku 10 fish më shume investime të huaja, sesa në Kosovë, është klima e biznesit shumë më e mirë sesa tek ne. Sipas Abazit, në Kosovë edhe më tutje janë prezente: korrupsioni i lartë, shantazhi, burokracia e tepruar dhe administrata publike shumë joefikase

Me gjithë premtimet bombastike, që u dhanë gjatë fushatës së zgjedhjeve nacionale të para dy viteve, por edhe pas formimit të koalicionit të ri qeverisës në mes të PDK-së dhe LDK-së, Qeveria e 'Isa Mustafës' sikurse qeveritë paraardhëse kanë dështuar në joshjen e investitorëve të huaj dhe në përmirësimin e ambientit të biznesit. Të dhë- nat e ekspertëve flasin se vetëm në vitin e kaluar në Maqedoni ishin mbi 5 miliardë euro investime, derisa në Kosovë ato ishin diçka më shumë se 300 milionë euro. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të tyre, zyrtarët e MTI-së nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën se përse nuk ka klimë të investimeve në vendin tonë. Deputeti i opozitës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), e ka akuzuar Qeverinë e 'Isa Mustafës' dhe ministren Hykmete Bajrami se përse ata nuk po bëjnë më shumë në krijimin dhe garantimin e kushteve më të mira për investitorët e huaj, por edhe ata të vendit me synimin për të rritur investimet, punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Deputeti Hoti thotë se të investosh sot në Kosovë me këtë qeverisje e me këta sundimtarë gati është e pamundur të ndodhë. "Në Kosovë mund të investojnë vetëm ato biznese mafioze të huaja, që paraprakisht pëlqejnë që ta japin "tallin" apo hisen e ndarë të ryshfetit për politikanët tanë të nivelit më të lartë shtetëror", theksoi ai, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Ambienti biznesor i përkeqësuar

Besnik Kada, zëdhënës në BQK, tha se investimet e huaja direkte në vitin 2015 ishin 324.4 milionë euro. Në tremujorin e parë të këtij viti investimet e huaja janë rreth 72 milionë euro. Po, sipas BQK-së, mësohet se një vit para se të shpallej pavarësia më 2007, investimet kanë qenë në vlerën prej 440 milionë eurove, në 2008 - 370 milionë euro, 2009 - 295 milionë euro, 2010 - 368 milionë euro, 2011 - 384 milionë euro, 2012 - 229 milionë euro, 2013 - 280 milionë euro, 2014 -151 milionë euro. Analistët vlerësojnë se ato që më së shumti po i trembin investitorët e huaj janë kërkesat e pareshtura për marrje të ryshfetit nga ana e pushtetarëve tanë në të dyja nivelet në partitë që udhëheqin me shtetin apo me komunën, që edhe ka bërë të na dështojnë shumë projekte kapitale të investimeve të huaja dhe të privatizimit, si janë PTK-ja dhe 'Brezovica'. Specialisti i ekonomisë, Milazim Abazi, bankier, tha se arsyeja kryesore pse në Maqedoni ka së paku 10 fish më shumë investime të huaja sesa në Kosovë është klima e biznesit shumë më e mirë që ekziston në Maqedoni, sesa në Kosovë. Sipas Abazit, në Kosovë edhe më tutje është prezent korrupsioni i lartë, shantazhi, burokracia e tepruar dhe administrata publike shumë joefikase. "Për të marrë një licencë, një leje pune apo një dokument sado qoftë të thjeshtë, qoftë ajo edhe një regjistrim veture, te ne në Kosovë duhet që të sorollatesh nga zyra në zyrë, duke nxjerrë vërtetime krejt të panevojshme", tha ai. Ndaj, sipas Abazit, këto gjëra duhet që të thjeshtëzohen dhe duhet të reduktohen dokumentet e panevojshme, si dhe të krijohet mundësia që të gjitha këto dokumente të jepen në një zyre, e jo që të shëtisin investitorët e huaj nga një zyrë në zyrën tjetër dhe nga një organ në organin tjetër.

Mungojnë ofertat joshëse

Ndërsa specialisti i Integrimeve Evropiane, Nëntor Shaqiri, thotë se institucionet e vendeve të rajonit po bëjnë më shumë për të pasur një zhvillim ekonomik, duke krijuar kushte shumë më të favorshme për investitorët e huaj. Thithja e investimeve të huaja është një faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas Shaqirit, ambienti i të bërit biznes ende nuk është përmirësuar që të kemi investitorë seriozë siç kanë vendet e rajonit. "Institucionet e nivelit qendror dhe ato lokal duhet të punojnë bashkërisht për krijimin e ambientit të favorshëm për të bërë biznes. Imazhi aktual i sistemit të drejtësisë konsiderohet gjithashtu të jetë një pengesë për tërheqjen e investitorëve të huaj", tha ai. Shaqiri thotë se si pengesë për tërheqjen e investitorëve të huaj konsiderohet të jetë edhe mungesa e një platforme, ku do të mund të përfshiheshin: hapja e disa zyrave për investitorët e huaj në vende të ndryshme të Unionit Evropian , dhënia e tokës falas, ofrimi i infrastrukturës shtesë deri te ndërmarrja prodhuese, tatimi në fitim të jetë nën normën 10 për qind, mundësia që fitimi i krijuar nga investimet që riinvestohet, të mos tatohet, shpallja e më shumë zonave të lira ekonomike në vend, si dhe të bëhet lehtësimi i procedurave për marrjen e lejeve dhe licencave.

KIE-ja propozon koordinim aktivitetesh

Njohësi i kësaj fushe, Shpend Balija, drejtor ekzekutiv në Këshillin e Investitorëve Evropianë, në zyrën e tyre në Prishtinë, sugjeron se ambienti i të bërit biznes në Kosovë duhet të vazhdojë të përmirësohet, duke krijuar kushte më të favorshme për prodhuesin vendor, si dhe për të tërhequr sa më shumë investime të huaja direkte (IHD) në Kosovë. "Për ta krijuar një ambient të tillë nevojitet që të koordinohen një numër i aktiviteteve ekonomike, si dhe institucioneve përkatëse e sidomos të agjencive të pavarura, të cilat duhet ta zbatojnë mandatin e tyre në plotëni, sepse pa këtë segment aktiviteti ekonomik do të stagnojë", theksoi ai. Sipas analistit Balija, të gjitha institucionet qoftë në nivelin lokal, qendror apo edhe institucione të pavarura duhet të harmonizohen dhe të punojnë së bashku për të pasur një kontinuitet në zbatimin e incentivave, në mënyrë që ato të jenë të shfrytëzueshme për investitorët. Ai sugjeroi se, gjithashtu, institucionet përkatëse duhet të fokusohen në krijimin e një imazhi pozitiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare, e cila pastaj duhet të përputhet me realitetin në terren, pra duhet të zbatohen ligjet në praktikë dhe mos të mbesin vetëm në letër. "Investitorët duhet ta ndiejnë këtë siguri të plotë se rregullat janë të zbatueshme dhe të zbatueshme për të gjithë në mënyrë të barabartë", theksoi ai. 

(KOSOVA SOT)