Rrjeti i restoranteve britanikë fut në kurth emigrantët shqiptarë

  • 30 July 2016 - 10:01
Rrjeti i restoranteve britanikë fut në kurth emigrantët shqiptarë

Një rrjet restorantesh të “Byron Hamburger” në Britani është kthyer në tmerrin e emigrantëve, mes të cilëve edhe shqiptarë.

Restorantet në fjalë spiunojnë tek autoritetet për emigrantët e paligjshëm. Mediat britanike shkruajnë se të paktën 35 emigrantë, midis të cilëve edhe shqiptarë u deportuan nga Britania, pasi u ndaluan nga autoritetet e emigracionit. Emigrantët punonin për këto restorante.

Ata u futën në kurth nga drejtuesit, duke i thirrur në një trajnim, por realisht ishte një marrje në pyetje dhe ata që rezultuan emigrantë të paligjshëm u ndaluan, me qëllim për t’u dëbuar. Përveç se nga Shqipëria, emigrantët vijnë edhe nga Nepali, Brazili, Egjipti e vende të tjera.

“Kjo është e ndyrë dhe e neveritshme. Disa nga këta njerëz kanë punuar këtu për 4 ose 5 vite dhe atyre nuk ju dha mundësia as për të thënë lamtumirë”, tha një punonjës i restorantit në kushte anonimati.

Vetë drejtuesit e restorantit thanë se kishin zbatuar ligjin, duke deklaruar se punonjësit nuk kishin dokumentacionin e nevojshëm.

(Kosova Sot)