Korrupsioni e mosndëshkimi e shtrijnë përtokë drejtësinë

  • 31 July 2016 - 08:08
Korrupsioni e mosndëshkimi e shtrijnë përtokë drejtësinë

Baraliu: Strukturat oligarkike, të cilësdo qeverie,nuk kanë qenë të interesuara për zbatim të ligjit.

"Kredibiliteti dhe besimi i sistemit të drejtësisë karshi qytetarëve mjerisht kanë rënë në pikën më të ulët të mundshme. Asnjëherë Gjyqësori nuk ka qenë në nivelin më të ulët të efiçiencës dhe efikasitetit, derisa edhe sipas Raportit të fundit të Progresit nga KE-ja për Kosovën shumë lëndë janë të pakryera, madje një numër i madh i tyre të zhdukura e të parashkruara", shprehet profesori Riza Smaka,raporton Gazeta Kosova Sot

Ka plot arsye dhe fakte se përse sistemit të drejtësisë në vend i ka rënë kredibiliteti dhe besimi karshi qytetarëve ka rënë në pikën zero. Prezenca e korrupsionit, krimit të organizuar, pastaj keqfunksionimi i drejtësisë, mungesa e etikës dhe integritetit, pavarësisë, e llogaridhënies, si dhe ajo e mosndëshkimit, janë vetëm disa nga faktorët, të cilët e kanë degraduar, dërrmuar e shtrirë përtokë tërë sistemin e drejtësisë në Kosovë. Së këndejmi, sipas njohësve të kësaj fushe, dukuritë dëmtuese dhe të shëmtuara në fjalë nuk japin as edhe një shpresë të vetme për një drejtësi, e cila do t'i hapë rrugën Kosovës drejt integrimeve evropiane, por edhe e cila do të shërbente për të mirën e qytetarëve. Është shumë e habitshme se asnjëherë politikanët kosovarë nuk preferojnë të debatojnë për drejtësinë e kapur nga vetë ata, por për temat e tjera. Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se drejtësia është një temë jotransparente, e cila, sipas tij, asnjëherë nuk është debatuar seriozisht në Kuvend dhe të gjithë i kanë ikur këtij diskutimi. 

Edhe presidenti i painteresuar për ndryshime Në këtë drejtim, Burjani ka nënvizuar se presidenti i vendit mund t'i prijë debatit për drejtësinë në Kuvend, pasi ai është edhe përgjegjës për funksionimin e rendit kushtetues, derisa ka edhe kompetenca të mjaftueshme për ta ndalë konfliktin e interesit në drejtësi, bazuar në kapitullin e pestë të Kushtetutës."Presidenti duket se nuk është i interesuar për të bërë këto ndryshime. Ky president është pa staf mbështetës profesional, derisa kam përshtypjen se është pensionuar dhe po merret me shëtitje, pastaj lobim, duke e thënë aty-këtu ndonjë fjali në 'Facebook' dhe organizon ceremoni që janë të tejkaluara për këtë lloj presidenti. Ai ka nxitur ndryshimin e Kodit Penal, por se di unë se çka do të ndryshojë dhe nuk e ka të qartë", është shprehur Burjani. 

Isufi: Drejtësia u shërben më shumë qarqeve politike në pushtet Kurse, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, u shpreh për gazetën "Kosova Sot" se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë kanceri i Kosovës dhe me një drejtësi të dobët, çfarë ka ekzistuar në Kosovë, nuk kanë mundur të luftoheshin dukuritë negative në fjalë. "Kjo u shërben më shumë qarqeve politike në pushtet, në mënyrë që të mund të përfitojnë nga të gjitha abuzimet, të cilat janë duke i bërë. Së këndejmi shpresa është që të ndryshohet qeverisja e vendit, në mënyrë që nga kreu të fillojë të funksionojë shteti dhe të mos ketë ndërhyrje politike në drejtësi", ka theksuar Isufi. E, analisti politik dhe juridik, Mazllum Baraliu, ka specifikuar se problemi i shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Kosovë është që nga zanafilla, pra nga administrimi i UNMIK-ut e deri më tani asnjë përpjekje e strukturave vendore dhe qeverisjeve, por në fund edhe EULEX-i bashkë me qeverisjet e një- pasnjëshme, nuk kanë qenë të angazhuara dhe të përkushtuara sa duhet e as të suksesshme në vënien e një sistemi të drejtë, të pavarur e funksional të drejtësisë. "Gabimet në këtë aspekt në radhë të parë janë tonat, për arsye se në rrugëtim e sipër kanë pasur ndikim të huajt dhe animim nga strukturat e brendshme, gjithmonë pa e njohur mirë sistemin, por as rrethanat dhe specifikat. Andaj, ka përplot faktorë, të cilët kanë ndikuar, e këtu përfshihen edhe kërkesat e opozitës, të cilat herë pas here kanë qenë jo sa duhet të zëshme dhe pa ndonjë efekt. Strukturat oligarkike, të cilësdo qeverie, që nga fillimi apo bashkëqeverisje kanë qenë mbase shumë të interesuara që të mos ketë sa duhet avancim dhe as përparim në zbatimin e ligjit dhe në funksionalizimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi", ka deklaruar për gazetën Baraliu.

Pa u reformuar drejtësia nuk ka përparim" Ndërkaq, profesori i së drejtës, Riza Smaka, thotë se gjasat se përse politikanët dhe qeveritarët nuk debatojnë asnjëherë për drejtësinë janë se atyre nuk u përshtatet për t'u angazhuar me çështjet e sistemit të drejtësisë, pasi në të kundërtën sistemi i drejtësisë do ta luftonte korrupsionin në masë të konsiderueshme dhe tani të korruptuarit do të ndodheshin në pozitë të ndëshkimit dhe do t'i fshinin përpara Prokuroria dhe Gjyqësori. "Nëse e marrim Qeverinë e Kosovës, të cilën e drejton Isa Mustafa, shohim se ka më shumë ministra sesa qeveria të cilën e drejton znj. Merkel, që është së paku më e pasura në Evropë, e gati edhe në botë. Kjo nuk është aspak në rregull, që të ketë super ekstra luks nga benefitet e shtetit, në vend që Qeveria të përgjysmohej me ministra, zv.ministra, ndihmësministra, këshilltarë etj., dhe rrjedhimisht paratë të orientoheshin në sistemin e Gjyqësorit, pasi atje ka nevojë për më shumë prokurorë dhe më shumë gjykatës. Në këtë aspekt pa u reformuar rrënjësisht drejtësia nuk ka përparim as në rrugën e Kosovën në integrimet evropiane", është shprehur ai. Më tej, Smaka ka nënvizuar se edhe kredibiliteti dhe besimi karshi qytetarëve mjerisht sistemit të drejtësisë i kanë rënë në pikën më të ulët të mundshme."Asnjëherë Gjyqësori nuk ka qenë në nivelin më të ulët të efiçiencës dhe efikasitetit, derisa edhe sipas Raportit të fundit të Progresit nga KE-ja për Kosovën shumë lëndë janë të pakryera, madje një numër i madh i tyre të zhdukura e të parashkruara. Në anën tjetër kemi edhe skandale të ndryshme që kanë ndodhur në dhomën e sigurisë së lartë në Prishtinë dhe tjetri në Pejë dhe nuk janë zbuluar asnjëherë, duke mos u dhënë asnjë komunikatë dhe kjo është e paparë dhe e padëgjuar në asnjë shtet të së drejtës", ka pohuar Smaka për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)