Shtëpia ku të burgosurit hapën kanal 300 metërsh me lugë

  • 31 July 2016 - 08:19
Shtëpia ku të burgosurit hapën kanal 300 metërsh me lugë

Randobravë: Arratisja e kaçakëve të asaj kohe bëri jehonë të madhe.

Në rrugën "Gjergj Fishta" në Prizren ndodhet një ndërtesë e vjetër, për të cilën thuhet se ka qenë konsullatë, por edhe burg i regjimit serb. Ajo ishte konsullatë në kohën e AustroHungarisë, pastaj ka shërbyer edhe si burg e së fundi si spital, ku shëroheshin njerëzit me tuberkuloz,raporton Gazeta Kosova Sot.

Në Arkivin Shtetëror të Austrisë, sipas profesor Sylejman Randobravës, ndodhet një numër i madh i dokumenteve dhe i raporteve që Konsullata e Prizrenit ia ka adresuar Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë në Vjenë, përmes shefit të saj Graf Andrassy, përmes të cilave pasqyroheshin, në njërën anë, zhvillimet politike shqiptare në kohën e Lidhjes së Prizrenit dhe, në anën tjetër, pozicioni i diplomacisë vjeneze karshi shqiptarëve. "Një javë pas hapjes së Kongresit të Berlinit, më 18 qershor 1878, në raportin politik nr. 11, të konsullit austro-hungarez nga Prizreni, Jelinek, informohet qeveria habsburgiane se shqiptarët kanë ftuar në Prizren të gjithë prijësit e Shqipërisë, përkatësisht të Vilajetit të Kosovës, të Sanxhakut të Jeni Pazarit, të Hercegovinës, të Manastirit, të Epirit dhe të Thesalisë, me qëllim të mbajtjes së një tubimi të përgjithshëm, thuhet në një studim të S.Ukshinit", tregon Randobrava.

Ndërtesa ishte e rëndësisë së madhe edhe gjatë kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Randobrava tregon ndërtesën gjatë regjimit serb para Luftës së Dytë Botërore që ka shërbyer edhe si burg. "Kjo ndërtesë ka pasur rëndësi edhe gjatë kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kurse ka mundur të shërbente dhe si burg i regjimit të egër serb. Burgu ka qenë i njohur edhe për faktin se aty të burgosur patën arritur që me lugë të ushqimit të hapin një kanal nën tokë të gjatë mbi 300 metra dhe nga aty të arratisen. Arratisja asokohe ka pasur një jehonë, sepse ata nga burgu u vendosën në male si kaçakë". Historiani Qazim Kabashi nga Korisha tregon se ka ndodhur edhe maskara e Kabashit si një revoltë e shqiptarëve. "Masakra e Kabashit e vitit 1913 nuk qe e vetmja në tokat shqiptare të pushtuara nga serbët gjatë luftërave ballkanike ose më vonë, por kjo jehoi më shumë se ishte e para, të tjerat ndodhën pas kryengritjes së shtatorit të 1913, të tilla masakra ndodhën edhe në Nishor, Bllacë, Bellanicë, Jezerc, Kabash të Moravës, Dobrusht, Pobreg etj. Kjo kohë e rëndë e luftës për mbijetesë ekonomike politike e mbi të gjitha fizike e kombëtare u dhuroi gjeneratave të reja nga 4 këngët që këndoheshin për të bëmat e burrave të Kabashit. Rapsodi popullor krijoi këngët për Sali Shabanin, Mahmut Halitin, Hysen Rexhepin dhe Hajrush Sylemanin. Nga koha e luftërave antiosmane ishin krijuar edhe dy këngë e Vesel Kukës dhe e Haxhi Rrustës. E ndoshta këto ishin ato që kësaj lufte i bënë vend shumë të favorshëm në ndërgjegjen kombëtare, ndërsa burrave të Kabashit nder dhe respekt në rrethinë" tregon ai. Kabashi pohon se nuk di a ishin të burgosur, porse që të gjithë u ekzekutuan, sepse ishin atdhetarë e burra të fjalës.

E bukura e kohës Për rëndësinë e kësaj shtëpie dinë pak njerëz. Për këtë shtëpi avokati Ethem Rogova tregon se si fëmijë e di kur ajo ka shërbyer si spital, ku atë kohë shëroheshin të sëmurit me tuberkulozë. "Unë mbaj mend si i vogël aty shëroheshin të sëmurit me tuberkuloz, ngase ne e kemi pasur aty afër vreshtin", është shprehur Rogova. Ai shton se në thellësi të kësaj ndërtese ishte burgu, por më vonë edhe ndërtesë konsulore. Rogova thotë se si shtëpi ishte e bukura e kohës. Kjo shtëpi sot është para rrënimit dhe rrezikon edhe jetën e qytetarëve dhe kalimtarëve. Një ndërtesë e tillë grandioze ka mbetur nën mëshirën e kohës. Nëse vazhdon moskujdesi ndaj kësaj shtëpie, atëherë ajo rrezikon jetën e qytetarëve. Një ish-banore e kësaj shtëpie Rabije Osmani tregon se është vështirë të jetohet. Ajo tregon se kjo shtëpi ka plot histori dhe mendohet se dikur ishte ndërtesa më e bukur e Prizrenit, por dhëmbi i kohës e ka stërvjetruar. 

(Kosova Sot)