Pjekësit e gurit

  • 31 July 2016 - 08:24
Pjekësit e gurit

Rreth 2 mijë furra me shqiptarë nga Hasi janë
hapur në trevat e ish- Jugosllavisë.

"Ne gurin gëlqeror e nxjerrim nga bjeshkët e Pashtrikut, ndërsa e pjekim në fshatin tonë. Është punë e vështirë, pasi për t'u prodhuar 3 tonë gëlqere, sa zë një 'furrë gëlqereje', duhet të thyhen rreth 40 tonë gurë, bile me kusht që guri të jetë i cilësisë së mirë", shprehet Ismajl Ibrahimi, që merret me prodhimin e gëlqeres ,raporton Gazeta Kosova Sot 

Nga shteti, që dikur quhej Jugosllavi, tash kanë dalë shtatë shtete të pavarura. Dikur, kur ai shtet ekzistonte, kushdo që ka pasur rast të shëtit në qytetet e tij kryesore, kuptohet pak sa më të mëdha, sigurisht se ka hasur së paku në një furrë buke ku pronari ishte shqiptar nga Kosova. Se është kështu kemi pasur rast të bindemi edhe nga përvoja personale. Kureshtja, domosdo, të nxiste që të mësosh se kush janë pronarët e atyre furrave? Prej nga vijnë, si janë gjendur aty? Dhe, në shumicën e rasteve, për të mos thënë në të gjitha, kemi marrë përgjigje thuajse identike. "Jemi nga Hasi i Thatë dhe këtu jetojmë e veprojmë shumë gjatë", ishte përgjigjja e zakonshme e pronarëve të këtyre furrave. Përmendeshin fshatrat si Demjani, Gërqina, Lipoveci, Gjonaj apo ndonjë fshat tjetër i kësaj zone, e cila, për ata që nuk e dinë, ka shtrirje shumë të gjerë, shtrihet në dy komuna të Kosovës (Gjakovë e Prizren) e një pjesë edhe në territorin e Shqipërisë. 

Rreth 2 mijë furrat e hasjanëve "Jemi kudo nëpër shtetet që kanë dalë nga shkatërrimi i ish-Jugosllavisë, por edhe në shumë shtete të tjera ballkanike, meqenëse zejen e furrtarëve, ne nga Hasi, e kemi ushtruar tash e shumë dekada bile edhe shekuj dhe vazhdojmë ta ushtrojmë edhe më tej. Këtë profesion e kemi trashëgim nga të parët tanë dhe e kemi përcjellë dhe do të vazhdojmë ta përcjellim brez pas brezi. Pa hezitim mund të them se ky është profesion identifikues për trevën tonë të Hasit", rrëfen Muharrem Cena nga fshati Demjan. Mbase për të na bindur se kjo nuk është vetëm një deklaratë emocionale dhe e rastit, por e mbështetur në fakte, Muharremi fillon të numërojë vendet ku anëtarët e familjes së tij kanë të hapura furra të bukës."Gjendemi në të gjitha qytetet e Kosovës, në Shqipëri, në Vojvodinë, në Kroaci dhe në Hungari. Kjo shtrirje jona nuk është bërë brenda natës apo brenda një jave, një muaji apo një viti. Kuptohet, kemi filluar së pari në Gjakovë e në Prizren, pastaj jemi shtrirë në qytetet e tjera të Kosovës. Mirëpo, atëherë kur Kosova na është bërë "e vogël" kemi kërkuar tregje të tjera dhe kjo na ka dërguar në të gjitha ato vende që iu numërova pak më parë. Mua, fjala vjen, më ka dërguar në kryeqytetin hungarez, në Budapest, ku aktualisht jetoj dhe punoj", fliste me një vendosmëri të theksuar Muharremi. Zaten, jo zyrtarisht thuhet se në shumë vende të Evropës janë madje rreth 2 mijë furra që për pronar kanë dikë nga treva e Hasit!

Kur të tjerët flenë, ata punojnë Muharremi tregon se shtrirja e veprimtarisë në të gjitha këto vende nuk ka qenë aspak e lehtë dhe është ballafaquar me sprova të ndryshme, të cilat në momente të caktuara, bile duke filluar që nga viti 1991, kanë qenë mjaft të vështira, por hasjanët nuk janë dorëzua asnjë herë. Falë punës së palodhshme, por edhe profesionalizimit të lartë dhe cilësisë së shërbimeve, ata ia kanë dalë t'u bëjnë ballë të gjitha sfidave që nuk kanë qenë aspak të lehta. "Dikush mbase mund të mendojë se kjo zeje është e lehtë, por kushdo që së paku një javë e ka ushtruar atë, e ka kuptuar se nga ky profesion nuk mund të përfitosh nëse djersa nuk të shkon rrëke. Duhet të jesh zgjuar edhe kur të gjithë të tjerët flejë, duhet të durosh temperatura shumë të larta edhe në ato ditë kur dielli përcëllon, me një fjalë duhesh të sakrifikosh shumë që të kesh përfitime nga kjo punë. Ne si familje kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë vërtet shumë, por dua ta pranoj se jemi të ndërgjegjshëm dhe e pranojmë se ia kemi pa hairin këtij zanati. Kështu, tash, e kemi siguruar një standard relativisht të mirë, dhe atë jo vetëm për ne që punojmë, por edhe për anëtarët e tjerë të familjes", e pranon Muharremi. Kanë ndërtuar shtëpi të reja në fshat i kanë shkolluar fëmijët, e kanë zgjeruar biznesin, por u kanë ndihmuar edhe shumë të afërmve dhe bashkëfshatarëve.

Thyhen 13 tonë gurë për 1 ton gëlqere Furrtarët hasianë të shpërndarë në shumë vende të ndryshme asnjëherë nuk e kanë harruar vendin e tyre të lindjes. Kanë kontribuar që shumë fshatra të kësaj treve të ringjallen, të ndryshojnë pamjen veçanërisht me ndërtimin e shumë shtëpive të bukura. Por, jo të gjithë hasianët janë furrtarë. Ata shquhen edhe për një zeje tjetër, e cila është karakteristikë e tyre, por, me të cilën, ç'është e drejta, nuk ia kanë dalë të depërtojnë jashtë Kosovës. Fjala është për prodhimin e gëlqeres, zeje kjo që këtu kultivohet tash e shumë shekuj dhe për çka hasianët janë bërë të njohur në Kosovë. Ajo ushtrohet në shumë fshatra të kësaj treve, por, megjithatë, shquhet Gërqina, nga i cili fshat vjen edhe familja Ibrahimi, e cila familjarisht e ushtron këtë zanat."Është një profesion shumë i rëndë që kërkon një angazhim dhe sakrificë maksimale. Ne, në familjen tonë, këtë e kemi kuptuar, prandaj edhe jemi përgatitur për një sakrificë të tillë. Ne gurin gëlqeror e nxjerrim nga bjeshkët e Pashtrikut, ndërsa e pjekim në fshatin tonë", shpjegon njëri nga vëllezërit Ibrahimi, Ismajli, duke mos e mohuar se janë të kënaqur me përfitimet që kanë. Ismajli thotë se është punë e vështirë, pasi për t'u prodhuar 3 tonë gëlqere, sa zë një "furrë gëlqereje", duhet të thyhen rreth 40 tonë gurë, bile me kusht që guri të jetë i cilësisë së mirë. "Paratë nuk pikin nga qielli! Për t'i fituar ato, në cilindo zanat, duhet shumë mund dhe ne e kemi të qartë këtë, prandaj ia "dimë kimetin" kësaj pune që bëjmë, sepse nga ajo tërë familja jeton mirë, prandaj edhe do ta vazhdojmë edhe më tej këtë profesion", është shumë i sinqertë në rrëfimin e tij Ismajl Ibrahimi. Prodhuesit hasianë të gëlqeres janë të vetëdijshëm se e kanë të vështirë të arrijnë namin e furrtarëve të kësaj treve, por siç thonë ata "kurrë nuk i dihet"!

(Kosova Sot)