Kthetrat e politikës e kapën edhe policinë

  • 23 August 2016 - 07:42
Kthetrat e politikës e kapën edhe policinë

Gashi: Në polici marrin urdhër nga shefat e politikës.

"Meqenëse i tërë mekanizmi, që është në Kosovë dhe që ka për qëllim luftimin e dukurive negative dhe ndërtimin e shtetit ligjor, është i kapur, është shumë vështirë që vetëm një mekanizëm ta zbatojë ligjin, nëse nuk bëhet spastrimi i të gjithë kuadrit, të gjitha këtyre tri instancave shtetërore, policisë, prokurorisë dhe gjykatës. Nuk mund të krijohet një situatë shumë e favorshme, nëse kemi gjykata, prokuroi e polici jo të pastër", shprehet profesori Muhamet Kelmendi,raporton Gazeta Kosova Sot

Mbase jo në masën sikurse që janë prokuroritë dhe gjykatat e vendit, por edhe Policia e Kosovës si duket nuk përjashtohet nga ndikimi i politikës ditore. Ani pse llogaritet si njëri nga institucionet më kredibile dhe të besueshme, së bashku me FSK-në. Por, analistët, deputetët opozitarë dhe njohësit e fushës së drejtësisë, ngritin dilemën dhe dyshimin se as ajo nuk ka shpëtuar nga kthetrat e politikës, pasi në Policinë e Kosovës ka individë të politizuar aq shumë, saqë ata urdhrat i marrin nga shefat e tyre të politikës, apo nga eprorët vartës të të cilëve janë. Veç kësaj ata thonë se meqë policia po vazhdon të jetë e atakuar nga politizimi ajo edhe s'po mund ta thotë fjalën e vet në drejtim të luftimit të krimit e dukurive të tjera negative. Andaj, në këtë drejtim është shtruar edhe pyetja se cilat janë problemet e pengesat e mëdha që po shkakton policia e 'politizuar', si dhe mungesa e një policie speciale gjyqë- sore, që të kryente punën e hetimeve të mirëfillta të prokurorisë dhe drejtë- sisë në Kosovë?

"Pastrimi fillohet me policinë, kalohet në hallkat e tjera" Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se çështja e paraqitur lidhur me atë se a kemi polici, e cila është e mbështetur në ligj dhe në bazë të tij e zhvillon veprimtarinë hetuese, sipas tij, është një çështje shumë delikate dhe e mprehtë për situatën nëpër të cilën po kalon Kosova. Por, pavarësisht kësaj, Kelmendi mendon se të gjithë mekanizmat e shtetit në këtë pozicion siç jemi në një mënyrë apo tjetrën janë të politizuar për faktin, siç tha, se kemi të bëjmë me një sistem politik, i cili i ka kapur të gjithë mekanizmat e shtetit, duke arritur që t'i fusë mendimet dhe qëndrimet e veta nëpërmjet njerëzve, të cilët i ka dërguar nëpër instancat e tilla si në polici, po ashtu në prokurori dhe gjykata në përgjithësi, duke bërë që të ketë një sistem që nuk e lufton krimin e organizuar, korrupsionin e dukuritë e tjera negative të shoqërisë, të cilat janë të mbërthyera dhe kjo rrjedh nga dy faza kryesore. " Faza e parë se kemi të bëjmë me mekanizma ku njerëzit e vendosur nga ana e qeveritarëve që janë aktualisht në pushtet vijnë nga ish-regjimi, të cilët kanë një të kaluar jo të pastër morale politike, për shkak të veprimtarive të ndryshme dhe dëmshme që kanë kryer në kuadër të regjimit të tillë dhe shumë lehtë të shantazhuar nga ana e pushtetarëve. Së dyti kemi atë se pushtetarët kanë vendosur njerëzit e vet të ndryshëm nga ish-regjimi i tillë, por që vijnë nga struktura të tilla politike që i kanë vendosur në polici, prokurori dhe gjykata. Meqenëse i tërë mekanizmi që është në Kosovë dhe që ka për qëllim luftimin e dukurive negative dhe ndërtimin e shtetit ligjor, është i kapur, është shumë vështirë që vetëm një mekanizëm të zbatojë nëse nuk bëhet spastrimi i të gjithë kuadrit, të gjitha këtyre tri instancave shtetërore edhe të policisë, edhe prokurorisë dhe gjykatës, pasi nuk mund të krijohet një situatë shumë e favorshme nëse kemi gjykata, prokuroi e polici jo të pastër", shprehet Kelmendi. Sipas tij, çdo çështje fillohet me policinë, kalon nëpër hallkat e tilla duke shkuar tek prokuroria, duke ngritur aktakuza nga ana e kësaj të fundit tek gjykata kompetente. Kësisoj, Kelmendi ka nënvizuar se duhet të bëhet në tërësi një spastrim total si i policisë, prokurorisë, por edhe gjykatave dhe rrjedhimisht edhe një spastrim i listave të të gjithë njerëzve që merren me politikë në mënyrë që të shikohet e kaluara e tyre, pasi në të kundërtën nuk do të ketë mundësi që të krijohet një politikë e pavarur, demokratike ku sundon ligji. "Shpeshherë shtrohet mendimi se duhet të krijohet edhe një polici speciale gjyqësore sikurse në vendet e ndryshme, por në vendet e zhvilluara demokratike nuk ka polici gjyqësore, por ka polici vetëm që bën zbatimin e vendimeve të gjykatave, pasi policia duhet t'i ketë mekanizmat e ndryshëm policorë për fushat e veçanta dhe të caktuara, të cilat bashkëpunojnë ngushtë njëra me tjetrën në drejtim të luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit e dukurive tjera negative, ashtu sikurse i kanë policitë e vendeve të zhvilluara", është shprehur Kelmendi.  

Vetëm me një segment nuk korret sukses Sipas Kelmendit, duhet që në këtë drejtim të bëhet një analizë më e detajizuar, të bëhet spastrimi i strukturave të politikës nëpërmjet caktimit të listave të politikanëve, deputetëve, ministrave, këshilltarëve, etj. Pra, të bëhet spastrimi natyrisht edhe i policisë, edhe i prokurorisë dhe gjykatave e që kjo shkon si tërësi, pasi vetëm me një segment është shumë vështirë që të korrim sukses, kur në tërësi sistemi dështon. Deputeti nga radhët e lëvizjes 'Vetëvendosje', Rexhep Selimi, thotë se Kosova ka kapacitete njerë- zore për ta krijuar një polici profesionale, derisa këto kapacitete, sipas tij, nuk i kanë munguar asnjëherë Kosovës në saje të resurseve njerë- zore që gjenden brenda policisë. Por, Selimi thotë se pengesa kryesore për të pasur një polici profesionale dhe efektive është politizimi i Policisë së Kosovës me elemente politike dhe jo vetëm kaq. "Kështu, duke e ditur se policia po vazhdon të jetë e atakuar nga politizimi, ajo s'po mund ta thotë fjalën e vet në drejtim të luftimit të krimit dhe po ashtu është e vërtetë se duhet një polici dhe një njësi, polici speciale për hetimin e krimit të organizuar dhe krimeve të caktuara të veçanta", ka theksuar për gazetën "Kosova Sot" deputeti nga radhët e lëvizjes 'Vetëvendosje', Rexhep Selimi. Avokati Tomë Gashi ka bërë me dije për gazetën "Kosova Sot" se dihet se një pjesë e segmenteve të caktuara të policisë apo thënë më qartë në Policinë e Kosovës janë të politizuar aq shumë, saqë, sipas tij, ata urdhrat i marrin nga shefat e tyre të politikës, apo nga eprorët vartës të të cilëve janë. "Por, pavarësisht kësaj PK-ja në përgjithësi vepron me përgjegjësi me dispozitat ligjore, përveç në raste të caktuara ku bëhet ndikimi i shefave politikë. PKja është e pavarur në punën e saj, dhe në anën tjetër mungesa e hetuesisë gjyqësore, e cila do të ishte vartëse e prokurorisë e vështirëson punën e prokurorisë dhe për këtë arsye kemi edhe zvarritje të lëndëve penale", ka deklaruar avokati Tomë Gashi.

(Kosova Sot)

(Kosova Sot)