Programi ekonomik i qeverisjes PDK&LDK e varfëroi Kosovën

  • 23 August 2016 - 07:44
Programi ekonomik i qeverisjes PDK&LDK e varfëroi Kosovën

Nokaj:Në vend të punësimit të 200 mijë vetave,u larguan 130 mijë kosovarë.

"Prej kur në vend po sundon kjo klasë e pushtetarëve të paskrupullt, Kosova ditaditës po varfërohet, që nuk realizoi asgjë nga premtimet për rritje të punësimeve dhe mirëqenies qytetare. Kjo dëshmoi se vetëlavdërimet qeveritare më nuk po pinë ujë. Hapja e 200 mijë vendeve të reja të punës ishte një premtim i parealizueshëm dhe si i tillë ka mbetur vetëm në letër", shprehet deputeti Enver Hoti,raporton Gazeta Kosova Sot

Kur kërkonin votat e qytetarëve, partnerët aktualë të koalicionit PDK e LDK krekoseshin me premtimet që jepnin për rritje të punësimit dhe një ekonomi të zhvilluar dhe lihej përshtypja se Kosova do të këndellej ekonomikisht. Por, sot kur ka kaluar gjysma e mandatit qeverisës e premtimet janë larg realizimit dhe ajo që paraqitej si program ekonomik nuk është realizuar fare. Të dhënat e deritashme për punësim dhe ekonomi tregojnë se ky koalicion ka dështuar në realizimin e programit ekonomik. Deputetët dhe ekonomistët e fushës shprehen se koalicioni aktual ka arritur që të realizojë vetëm një përqindje shumë të vogël të programeve ekonomike, që doli të jetë një program miks i kombinuar në mes të dy partnerëve të koalicionit në mes të PDK-së dhe LDK-së. Po t'u referohemi shifrave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në vitin 2015, me ndërmjetësimin e Ministrisë së Punës kanë gjetur punë ndërmjet 6-7 mijë veta, ndërkohë që në tregun e punës çdo vit futen nga 30 mijë të rinj. Në listat e të evidentuarve të papunë në kuadër të Ministrisë së Punës figurojnë më shumë se 130 mijë veta. 

"Vetëlavdërimet qeveritare më nuk po pinë ujë" Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Nisma për Kosovën, Enver Hoti, shprehet për "Kosova Sot" se koalicioni PDKLDK dështoi në tërësi me programet e tyre ekonomike dhe efektet në praktikë të programit ekonomik me shifra janë minore. "Prej kur në vend po sundon kjo klasë e pushtetarëve të paskrupullt, Kosova dita-ditës po varfërohet që nuk realizoi asgjë nga premtimet për rritje të punësimeve dhe mirëqenies qytetare. Kjo dëshmoi se vetëlavdërimet qeveritare më nuk po pinë ujë. Hapja e 200 mijë vendeve të reja të punës ishte një premtim i parealizueshëm dhe si i tillë ka mbetur vetëm në letër". Sipas tij, shifrat zyrtare të institucioneve tona mbi shkallën e papunësisë nuk janë aspak reale, sepse të dhënat dhe raportet e Bankës Botërore, që flasin mbi papunësinë në Kosovë, tregojnë dikur rreth 60 për qind e të rinjve të papunë në një vend që nuk ka mbi 1.8 milion banorë. Zyrtarë të lëvizjes 'Vetëvendosje' janë shprehur se shteti ka dështuar në premtimet e dhëna me programet e tyre ekonomike bombastike dhe për krijimin e vendeve të reja të punës dhe të një ambienti më të mirë ekonomik. Adonis Tahiri nga kjo lëvizje ka thënë se planifikimi ekonomik i qeverisjes " Mustafa -Thaçi" vetëm sa i ka varfëruar shumë qytetarë. "Doli që Qeveria e Kosovës të jetë mjet i Serbisë për realizimin e interesave të veta politike dhe ekonomike brenda Kosovës. Në vend se të merret me rritjen e prodhimit, si parakusht për zhvillim ekonomik dhe për hapje të vendeve të reja të punës ajo negocion me Serbinë", u shpreh Tahiri. Ai shton se në Kosovë nuk mund të ketë punësime, përderisa nuk krijohet ambient i sigurt për investitorët."Derisa në vend do të ketë krim të organizuar, korrupsion, si dhe përqindja që duhet ta japin tek klanet e pushtetarëve, nuk do të ketë punësime", ka shtuar ai

Papunësia shkon deri 60 për qind Nënkryetari i BSPK-së, Alush Sejdiu, thotë se sipas hulumtimeve të kësaj sindikate rezulton se papunësia arrin deri në 60 për qind. Ai thotë se Qeveria ka dështuar me realizimin e premtimeve për punësime. Njohësi i çështjeve të ekonomisë në Kosovë, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se Qeveria e tanishme ka dështuar në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për investime dhe punësim. "Qeveria nuk hap vende pune, por krijon ambient për zhvillim, rritje ekonomike dhe përmirësim të gjendjes sociale, përmes punësimit dhe programeve të tjera. Këto asnjërën nuk i ka arritur kjo Qeveri". Rexhepi thekson se mosfunksionim i shtetit, gjykatave, korrupsioni, shantazhet dhe informaliteti ndikojnë drejtpërsëdrejti në investimet e huaja dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Andaj, sipas Rexhepit, Qeveria ka dështuar në përmirësimin e ambientit për biznes, për siguri më të madhe për investimeve, si edhe për rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë te institucionet shtetërore. Ndërkohë, Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, shprehet se gabimet në premtimet mbi punësimin në Kosovë janë shumë- palëshe dhe shumëdimensionale, por që natyrisht barra më e rëndë e përgjegjësisë bie mbi të gjitha qeveritë, posaçërisht pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Sipas Zekës, mungesa e një strategjie nacionale zhvillimore, ngathtësia në reduktimin e burokracisë, perceptimi i keq për korrupsionin, që vendi i ka ndërtuar vetes ndër vite dhe aq më keq mungesa e përpjekjeve për eliminimin e tij, sundimi i dobët i ligjit dhe mosfunksionimi i gjykatave janë disa prej aspekteve që e kanë përcjellë vendin gjatë gjithë këtyre viteve. Analisti i ekonomisë, Ardian Nokaj, thotë se po kalon gati gjysma e mandatit të kësaj Qeverie dhe premtimet elektorale për punësime dhe realizim të programit ekonomik nuk po duken gjëkundi. "Koalicioni PDK-LDK kishte premtuar se brenda mandatit do të punësojnë shifra megalomane dhe me këto premtime e morën pushtetin. Në vend të punësimeve për vitin 2015 dhe 2016 patëm largimin nga Kosova të rreth 130 mijë vetave, pikërisht për shkak se kjo Qeveri nuk ofroi kushte për punësime, por thelloi varfërinë". Sipas Nokajt, ende nuk po shihen aktivitete ekonomike të Qeverisë, të cilat do të mund të përmbushnin premtimin e dhënë gjatë fushatës elektorale për krijimin e qindra vendeve të reja të punës. "Ishte dhjetori i vitit 2014, kur PDK-ja e Hashim Thaçit dhe LDK-ja e Isa Mustafës e patën nënshkruar marrëveshjen e bashkëqeverisjes për vitet 2014-2018 dhe fill pas këtij koalicioni kryeministri Mustafa u shpreh se ajo që kishin dhënë si premtim ishte një fushatë elektorale e pamundur për të ndodhur në realitet"

 

(Kosova Sot)