10 anëtarë pa kulm mbi kokë

  • 23 August 2016 - 16:28
10 anëtarë pa kulm mbi kokë

Familja Tora në kryeqytet po vazhdon të jetojë në kushte të vështira ekonomike. Jeta në skamje e kësaj familjeje, mungesa e një kulmi mbi kokë, ia kanë bërë jetën e vështirë kryefamiljarit Islam Torës. Për më shumë ai ka shpjeguar se ai dhe familja e tij kanë mbetur pa kulm mbi kokë, pa punë e shpesh edhe pa gjërat më elementare për jetë. Që nga paslufta kjo familje është e detyruar të jetojë në një shtëpi të një romi në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë, shkruan gazeta Kosova Sot.

 Duke u përpjekur që për anëtarët e familjes të sjellë të paktën një copë buke në shtëpi, Tora ka shtuar se gjithë dita i kalon në Treg të gjelbër, duke u endur lart e poshtë me karrocën e tij në shërbim të blerësve të këtij tregu. “Mundohem ta nxjerr ndonjë euro nga puna me karrocë, mirëpo jo gjithherë ka para nga kjo punë. Nuk kam pagë të rregullt, ndërsa me 100 euro ndihmë sociale sa marr nuk arrij të siguroj as gjërat më elementare”, është shprehur ky qytetar.

100 euro ndihmë sociale nuk i dalin as për ushqim

Në anën tjetër, shtëpia ku bën jetë kjo familje nuk i plotësonte as kushtet minimale të jetesës. Familja jetonte në një ambient të ngushtë dhe në kërkim të një standardi më të mirë të jetesës. Çdo gjë në këtë shtëpi të kujtonte të kaluarën, kohën e shkrimtarit të madh Migjenit, që fliste për mjerimin. Duke folur për mungesë të kushteve, një gjë me të cilën edhe ai vetë ishte i preokupuar, Tora u shpreh: “Edhe kushtet në shtëpi janë të këqija dhe përveç që nuk po kemi mundësi të bëjmë zgjidhje për një kulm mbi kokë, me 100 euro ndihmë sociale mezi po arrijmë të sigurojmë gjërat me elementare për jetë, e nganjëherë edhe ato janë në mungesë”. Duke i munguar përkrahja institucionale, madje edhe vetë duke mos ditur se nga t’ia mbajë Tora ka edhe hallin se një ditë mund të përfundojnë në rrugë, pasi që shtëpia nuk është pronë e tyre, andaj thekson se nuk ka kurrfarë zgjedhje tjetër të banimit.

“Edhe kjo mund të ndodhë. Shtëpia ka një pronar që është rom, ndërsa kam hallin se një ditë edhe ai mund të na nxjerrë në rrugë dhe nuk dimë se nga t’ia mbajmë. Nuk kemi mundësi vetë të bëjmë zgjidhje, ndërsa shpresat tek institucionet tanimë janë sosur”, është shprehur ndër të tjera ai. Por, hallet e këtij qytetari nuk përfundojnë këtu. Mungon veshmbathja për familjarët. “Po ku t’i bëjmë paret për rroba të reja. Janë dhjetë anëtarë të familjes, të cilët mezi po arrijë ta sigurojnë ushqimin. Po më dhimbsen fëmijët, ata kanë dëshirë për rroba të reja. Shpesh ua kanë lakmi bashkëmoshatarëve të tyre, por realiteti është ky”, u shpreh Tora për gazetën.

“Frikësohem se do të na zërë shtëpia”

Tora kërkon ndihmë nga ata, të cilët kanë mundësi t’i ndihmojnë, përderisa shton se tashmë i ka humbur të gjitha shpresat se dikush nga institucionet do t’i dalë në ndihmë. “Shpresat i kam humbur për ditë më të mira. Institucionet na kanë harruar. Askush nuk qan hallin për ne edhe nëse na rrënohet dhe na nxë shtëpia, prandaj i kam humbur të gjitha shpresat për ditë më të mira. Vetë nuk kemi mundësi të dalim nga kjo gjendje. Me një punë të një karroceri nuk po arrijmë të ngopemi me bukë e lërë më të bëjmë investime. Vërtetë jemi në hall. Nuk po di nga t’ia mbaj. Jam lodhur nga kjo mënyrë e të jetuarit. Prandaj, nuk më ka mbetur tjetër veçse të kërkoj ndihmë nga të gjithë, ata të cilët kanë mundësi të më ndihmojnë”, ka thënë Tora.

Mungesa e një kulmi mbi kokë, gjendja e rëndë ekonomike, mungesa e gjërave elementare sigurisht se ishin bërë një preokupim më i madh për kryefamiljarin. “Gjerat njëherë për një herë nuk mund të ndryshohen, por edhe jeta me gjithë këto zbrazëtira gjithnjë e më shumë po rëndon supet e mia, andaj çfarëdo ndihme nga dikush që ka mundësi të na ndihmojë do të ishte e mirëseardhur“, është shprehur nder të tjera ai. Prandaj për të gjithë ata të cilët kanë mundësi t’i ndihmojnë këtij qytetari këtë mund ta bëjnë duke thirrur në numrin e telefonit direkt të familjes 044 557 316.

(Kosova Sot)