Kundërshtarët e demarkacionit kanë mungesë të njohurive elementare, thotë Mustafa

  • 23 August 2016 - 23:43
Kundërshtarët e demarkacionit kanë mungesë të njohurive elementare, thotë Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka goditur kundërshtarët e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke thënë se ata kanë "mungesë të njohurive elementare".

Mustafa ka thënë se shkenca po keqpërdoret për të mbrojtur një kauzë të trilluar politike - dhe, sipas tij, po devalvohet në këtë mënyrë.

"Fjalia më e përfolur e atyre që kundërshtojnë shënjimin e kufirit me Malin e Zi është: “Kosova rrezikon të humbë 8200 hektarë”. Pastaj vazhdohet me konkluzionin se , komunat nuk po humbin, duke iu referuar Pejës, por po humb Kosova. Kjo flet për një mungesë të njohurive elementare nga kjo fushë", ka shkruar Mustafa në faqen e tij zyrtare në Facebook.

"Kosova nuk ka territor që nuk përfshihet në një komunë, nuk ka territor të veçuar të komunave dhe territor të shtetit të Kosovës. Ai është një. Shuma e territoreve të komunave e përbëjnë territorin e Kosovës. Ndryshon vetëm pronësia, e cila mund të jetë private, publike (komunale , e ndërmarrjeve publike dhe institucioneve qendrore), shoqërore (e firmave që nuk janë privatizuar). Tjetër territor nuk ka", ka theksuar Mustafa në shkrimin e tij në rrjetin social.

"Gabimi është kur keqpërdoret shkenca për të mbrojtur një kauzë të trilluar politike. Shkenca dhe trillimet politike janë si karriga dhe fizkultura. S’kanë asgjë të përbashkët. Veç se e devalvojmë shkencën", thuhet më tej në shkrimin e Mustafës.

"Shkenca definohet si veprimtari njohëse dhe përgjithësim teorik i dijeve objektive për natyrën, shoqërinë dhe të menduarit, të cilat paraqiten në trajtën e sistemeve të njohurive në fusha e degë të caktuara. Çfarë deri sot është prezantuar nga ata që thirren se janë shkencëtarë të fushës së shënjimit të kufijve (gjeografë, gjeodetë, juristë) nuk përngjan në shkencë. Është një grumbull hartash, që përdoren pa burime empirike dhe pa një metodologji shkencore që do të mundësonin që të faktet të paraqiten në trajtën e sistemeve dhe të jenë të krahasueshme me rastet e tjera", përfundon shkrimi i Mustafës në Facebook.

(Kosova Sot)