De-SHIK-izimi e shpëton Republikën

  • 24 August 2016 - 07:40
De-SHIK-izimi e shpëton Republikën

PDK-ja, me mbështetjen e LDK-së, ka uzurpuar gjithçka.

Analistët politikë, deputetë opozitarë dhe shoqëria civile i vlerë- sojnë të sakta pohimet e ishkryekuvendarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ditë më parë përmes medieve ka folur për metodologjinë e futjes në marrëdhënie pune të njerëzve vetëm e vetëm për shkak të përkatësisë si pjesëtarë i SHIK-ut, një organizatë spiunazhi e PDK-së,raporton Gazeta Kosova Sot

Sipas tyre, me këtë koalicion në mes të PDK-së dhe LDK-së do të jetë e vështirë, e mbase edhe e pamundur, që të bëhet çrrënjosja e armatës se SHIK-ut nga administrata e shtetit, e cila, sipas ish-kryekuvendarit Jakup Krasniqit, e ka fjalën dhe dorën kryesore në emërimet e njerëzve në borde e agjenci, dhe në institucione të tjera të administratës publike në Kosovë. Edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në tryezat e organizuar më herët me temën "Funksionimi i Agjencive të Pavarura dhe Ndërmarrjeve Publike", ka theksuar se ka probleme të theksuara me politizimin e bordeve si dhe emërimin dhe përfshirjen e militantëve partiakë, por edhe të njerëzve të SHIK-ut nëpër këto borde. 

Bordet joshëse Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Enver Hoti (Nisma) thotë se i vlerëson të sakta pohimet e bëra ditë më parë nga ish- kryekuvendari i Kosovës, pasi ai së bashku me ish-shefat e tij të dikurshëm Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e di shumë mirë punën se si asokohe ata i futnin njerëzit nëpër punë vetëm e vetëm për shkak të përkatësisë si pjesëtarë i shërbimit sekret të PDK-së, që në opinion njihet me emrin SHIK-u. Hoti thotë se nuk ka fije dyshime se Bordet e Ndërmarrjeve Publike vazhdojnë të jenë "strehë" për njerëzit e SHIK-ut dhe njerëzit partiakë dhe një ndër vendet më të lakmuara për militantë. "Inkuadrimi i tyre nëpër borde tashmë është bërë "modë" dhe nuk përbën ndonjë lajm. Pothuajse në të gjitha rastet e përzgjedhjes së anë- tarëve të bordeve kanë qenë SHIK-u dhe politika që i kanë "futur hundët", edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar më ligj". Hoti sqaroi se Neni 17.2 Pika K tregon qartë se për të qenë pjesë e bordeve të ndërmarrjeve publike në 36 muajt e fundit para datës së aplikimit nuk guxon të ketë qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike. Por, opozitari Hoti është shumë skeptik dhe thotë se do të jetë shumë e vështirë çrrënjosja e armatës së pjesëtarëve të SHIK-ut nga administrata e shtetit, e cila, ashtu edhe si ka deklaruar Krasniqi, e ka dorën kryesore në emërimet e njerëzve në borde e agjenci, dhe në institucione të tjera të administratës publike.

Të dilet me emra konkretë Analisti politik Fadil Lepaja tha për "Kosova Sot" se tash Jakup Krasniqi e di këtë punë si njëri nga ish-udhëheqësit e lartë të PDK-së dhe i institucioneve të shtetit. "Për futjen e njerëzve në punë për shkak të përkatësisë të SHIK-ut, bashkëpërgjegjës është me siguri edhe ai dhe shumë të tjerë të cilët i kontribuuan kësaj politike të sjelljes në vende kyçe të bordeve apo institucioneve pikërisht të njerëzve të kësaj kategorie ". Analisti Lepaja tha se duke qenë se do të jetë e pamundur që të rishikohen të gjitha këto emërime, e sidomos të dëshmohet se ky ka qenë kriteri bazë, aq më tepër pasi dokumentacioni i ishSHIK-ut nuk është dorëzuar ende askund, atëherë mbetet kriter themelor të shihet a janë shkelur procedurat ligjore dhe a janë plotësuar kërkesat profesionale, por edhe të vlerësohet performanca, përpos në rastet kur ka dëshmitarë validë, si në këtë rast Krasniqi, i cili me siguri e di dhe duhet që të flasë më konkretisht, përfshirë edhe emrat konkretë të të emëruarve nëpër pozitat të larta sipas këtij çelësi. "Natyrisht se de-SHIK-izimi do të jetë një proces po aq i vështirë sa po rezulton të jetë edhe demilitarizimi i shoqërisë tonë, por unë besoj se vetvetiu struktura si e tillë nuk duhet të kriminalizohet, sa duhet të shihen involvimet individuale në ngjarje që mund të cilësohen si kriminale", theksoi ai..(Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)