Shteti i xhunglës i tremb investitorët

  • 24 August 2016 - 07:49
Shteti i xhunglës i tremb investitorët

Qeveria po dështon në tërheqjen e investimeve të huaja.

Mosfunksionimi i shtetit, gjykatave, korrupsioni, shantazhet dhe informaliteti ndikojnë drejtpërsëdrejti në investimet e huaja,raporotn Gazeta Kosova Sot

Në të gjitha raportet e huaja si, BE-së, KE-së, BB-së dhe FMN-së, që flasin për efikasitetin e shtetit të ri të Kosovës nga paslufta e deri më sot e veçanërisht kohën që nga pavarësia e deri më sot, ato tregojnë qartazi se njëra nga pikat më të dobëta të funksionimit të këtij sistemi pa dyshim se është sistemi i drejtësisë. Ndaj analistë të ekonomisë, deputetë opozitarë dhe përfaqësues të biznesit, janë të mendimit se vetëm rritja urgjente e efikasitetit të institucioneve të drejtësisë, si edhe një sundim i mirë- filltë i ligjit në vendin tonë është faktori kyç, që do të mund të përmirësonte dukshëm ofertën e palës kosovare përballë investitorëve të huaj. Mirëpo, analistët e ekonomisë dhe deputetët nga opozita, janë skeptikë se me këta politikanë që janë kapur për interesa dhe inate nuk mund të ketë sundim të ligjit për të pasur investime të mëdha të huaja që gjenerojnë punësim. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga tabori opozitar, Bali Muharremaj(AAK), pajtohet me konstatimin se vetëm rritja e efikasitetit të institucioneve të fushës së drejtësisë dhe një sundim i mirëfilltë i ligjit do të mundeshin që të përmirë- sonin ofertën e palës kosovare karshi investitorëve të huaj. Mirëpo, opozitari Muharremaj thotë se me këta politikanë aktualë e me këtë koalicion që është pushtet nuk mund të ketë sundim të ligjit për të pasur investime të mëdha të huaja, që gjenerojnë punësim.  

Kjo Qeveri nuk po hap vende pune Njohësi i çështjeve të ekonomisë në Kosovë, Haki Shatri, ka thënë se mosfunksionimi i shtetit dhe gjykatave, korrupsioni, shantazhet dhe informaliteti ndikojnë drejtpërsëdrejti në investimet e huaja dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Sipas Shatrit, Qeveria e tanishme ka dështuar në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për investime dhe punësim. "Qeveria nuk po hap as vende pune, por edhe nuk po krijon as ambient për zhvillim, rritje ekonomike dhe përmirësim të gjendjes sociale, përmes punësimit dhe programeve të tjera. Këto asnjërën nuk i ka arritur kjo Qeveri", theksoi ai. Sipas Shatrit, Qeveria ka dështuar në përmirësimin e ambientit për biznes, për siguri më të madhe për investimeve, si edhe për rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë te institucionet shtetërore. Ndërsa përfaqësues të shoqatave ekonomike, të cilat mbrojnë interesat e bizneseve në Kosovë kërkojnë nga autoritetet që të rrisin efikasitetin e institucioneve të drejtësisë, si dhe kërkojnë sundim të mirëfilltë të ligjit. Kjo, thonë ata, është parakusht për përmirësimin e ofertës para investitorëve të huaj, për të cilët Kosova ka nevojë. Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se çështja për të cilën flitet është e një rëndësie të veçantë për komunitetin e bizneseve për të diskutuar mbi funksionimin e institucioneve të drejtësisë, të cilën Oda Amerikane e konsideron si vital për të garantuar mes të tjerash funksionimin e institucioneve demokratike dhe ofrimin e mjedisit të barabartë për të bërë biznes. "Rritja e efikasitetit të institucioneve të drejtësisë dhe një sundim i mirëfilltë i ligjit, është parakusht edhe për përmirësimin e ofertës para investitorëve të huaj, për të cilët vendi ka nevojë", ka thënë Zeka. .(Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)