“Nëse ke fëmijë të sëmurë, mbaje në shtëpi”. Drejtorët e shkollës refuzojnë shkollimin e 7 vjeçarit

  • 24 August 2016 - 09:06
“Nëse ke fëmijë të sëmurë, mbaje në shtëpi”. Drejtorët e shkollës refuzojnë shkollimin e 7 vjeçarit

Leo është një djalë guximtar që deri para një viti vuante nga “osteogenesis imperfecta” (anomali që ka të bëjë me deformimin e kockave të këmbëve).

Pas disa fushatave të bamirësisë ai ai arriti të kryente me sukses operacionin. Ndërhyrjen e fundit e kreu në Greqi teksa vijoi të ndjekë disa terapi intensive për forcimin e kockave.

Por pavarësisht kësaj beteje që duket se djali po e fiton, atë po e privojnë nga një e drejtë themelore, edukimi.

Shkollat shqiptare nuk e pranojnë Leon në Shkollë. 7 vjecari Leart Hasanllari nuk do të mund kështu të shkojë në klasë të parë, pasi sipas drejtorëve të shkollave, fëmijët si ai, që nuk e cin, duhet të qëndrojnë në shtëpi.

E indinjuar nga kjo pamundësi e ëma e djalit ka bërë një postim në facebook ku shpreh shqetësimin e saj si nënë. Ajo thotë se  nga shumë drejtues shkollash që ka takuar, njëri prej tyre i është drejtuar me fjalët, “kur ke fëmijë të sëmurë, mos e ço në shkollë, por mbaje në shtëpi”!

Anxhela Hasanllari i bën thirrje Ministrisë së Arsimit të gjejnë një zgjidhje për djalin e saj dhe të gjithë fëmijët me këto nevoja.

“Këtë vit me Leon vendosëm të shkonim në shkollë në klasë të parë. U interesuam në shumë shkolla madje dhe në shkolla private, ku njëra prej tyre ishte “Mrekullia”. Më shumë për shkak të kushteve që mundësojnë ato shkolla, sepse unë nuk mund ta çoj dot Leon në krahë në shkollë dhe kur bie shi atij i duhet një ambient i ngrohtë. Normalisht çdo gjë do paguhej ashtu si për fëmijët e tjerë. Nuk kërkuam gjë falas, por kur drejtorët të tregojnë derën dhe të thonë që, “kur ke fëmijë të sëmurë mos e ço në shkollë fare, por mbaje në shtëpi, se shkollat tona nuk janë për fëmijë të sëmurë dhe unë e kam biznes privat dhe bëj ç’të dua me të”… vetëm këtu në Shqipëri gjen. I bëj thirrje ministres së Arsimit dhe kryetarit të bashkisë të bëjnë diçka dhe për këta fëmijë, sepse dhe për këta fëmijë shkolla është shumë e rëndësishme dhe nuk kanë përse të privohen të drejtat e tyre vetëm, sepse ata ndodhen në një fatkeqësi”, shkruan e ëma e 7- vjeçarit, Leart Hasanllari në Facebook ditën e sotme.

(Kosova Sot)