Biden në Turqi përballet me kërkesën për ekstradim të Gylenit

  • 24 August 2016 - 09:42
Biden në Turqi përballet me kërkesën për ekstradim të Gylenit

Kur nënpresidenti amerikan, Joe Biden, e vizitoi Turqinë në muajin janar, ai arriti të baraspeshojë ofrimin e përkrahjes për aleatin e NATO-s që përballej me kërcënime të ndryshme, derisa kritikonte shtypjen e lirisë së shprehurit dhe pakënaqësive, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters.

Tani, kur marrëdhëniet amerikano – turke janë në nivelin më të keq prejse mbahet mend, ai do e ketë edhe më të vështirë që të përçojë këto mesazhe derisa e viziton Turqinë të mërkurën.

Biden do të jetë zyrtari më i lartë amerikan që e viziton Turqinë prej dështimit të grusht shtetit të 15 korrikut.

Turqia e akuzon klerikun turk, Fetullah Gylen, i cili jeton në SHBA që 17 vjet, si organizator të puçit.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan dhe shumë zyrtarë të tjerë turq vazhdojnë të kërkojnë ekstradimin e Gylenit. Mospranimi i kësaj kërkese nga SHBA-të me arsyetimin se ende nuk kanë dëshmi të qarta për përfshirjen e Gylenit në grusht shtet, e kanë zemëruar presidentin Erodgan, derisa mediet pro qeveritare po nxisin antiamerikanizmin me të madhe. Gylen disa herë ka deklaruar se nuk ka qenë organizator i grusht shtetit.

Perëndimi, në anën tjetër, është i shqetësuar me spastrimet e mëdha që po bëhen pas puçit, gjatë të cilit, sipas Reuters, rreth 40 mijë njerëz janë paraburgosur, 20 mijë prej të cilëve janë arrestuar formalisht.

Duke u mbështetur në burime anonime brenda administratës së presidentit amerikan, Barack Obama, Reuters shkruan se Biden “do të bëjë përpjekje që të ofrojë përkrahje për Turqinë, derisa do e ngritë si shqetësim nivelin e masave të ndërmarra pas puçit të dështuar”.

Reuters shkruan më tej se Ankaraja, në anën tjetër, do të kërkojë me ngulm ekstradimin e Gylenit.

Pandjeshmëria Perëndimore

Turqia është anëtare e NATO-s, por edhe e koalicionit që udhëhiqet nga amerikanët kundër grupit Shteti Islamik në Siri dhe Irak. Turqia në të njëjtën kohë është në luftë edhe me kryengritësit kurdë.

Marrëdhëniet amerikane janë komplikuar nga kjo e fundit, pasi Uashingtoni përkrah kurdët sirianë të grupit YPG, të cilët luftojnë kundër Shtetit Islamik. Ankaraja është e shqetësuar me avancimin e grupit YPG, pasifrikësohet se kjo do të ndikojë edhe në rajonin juglindor turk që dominohet nga kurdët. Të hënën, Turqia i granatoi pozicionet e YPG-së në Sirinë veriore.

Në mesin e akuzave të shumta nga zyrtarët turq për përfshirjen e amerikanëve në puçin e dështuar të 15 korrikut, është edhe akuza e ministrit të punës të Turqisë.

Më 16 korrik, ai ka thënë se është e qartë që “Amerika qëndron prapa” grusht shtetit, ndonëse më vonë zëdhënësi i Erdoganit ka thënë se ministri ka folur pa menduar mirë, i emocionuar nga ngjarja.

Biden, që pritet të takohet sot me presidentin Erdogan dhe kryeministrin Binali Yildirim, sipas Reuters, po e realizon këtë vizitë njëditore, pasi ai ka aftësi që të balancojë diskutimet e vështira me mesazhe përkrahjeje.

Zyrtari anonim gjithashtu i ka thënë Reuters se fatkeqësisht “ka pasur disa deklarime jo zyrtare nga autoritetet turke se në një mënyrë apo tjetrën, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol (në grusht shtet). Por, ashtu siç do të thotë nënpresidenti Biden, të gjitha ato akuza janë pa pikë kuptimi”.

Në orët e vona të mbrëmjes të së martës, Uashingtoni njoftoi se e ka pranuar kërkesën formale nga Turqia për Fetullah Gylenin.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, ka thënë më 23 gusht se Shtetet e Bashkuara po e konsiderojnë nëse kërkesa ka bazë për mbështetje.

Megjithatë, Toner ka thënë se kërkesa për ekstradim nuk ka të bëjë me grusht shtetin. Ai nuk ka pranuar të japë ndonjë detaj.

Deri më tash Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë duke studiuar informacionet që ka ofruar Turqia për dyshimet mbi klerikun turk që jeton në Pensilvania.

Kërkesa turke është dorëzuar të martën gjatë takimit të zyrtarëve që merren me çështje të drejtësisë të të dyja shteteve.

Gjatë këtyre bisedimeve, zyrtarët e ministrisë turke të drejtësisë iu kanë ofruar zyrtarëve të Departamentit të Drejtësisë dhe Departamentit amerikan të Shtetit “dëshmi dhe deklarime që janë mbledhur deri më tash” sa i përket përfshirjes së Gylenit në organizimin e puçit të 15 korrikut.

Qeveria turke e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka nisur shtypjen masive të përkrahësve të Gylenit menjëherë pas dështimit të grusht shtetit.

Marrëdhëniet ‘Gjysmë të Ëmbla’

Gjatë një paraqitje para gazetarëve në Stamboll mbrëmjen e së martës, kryeministri turk, Binali Yilidirim, ka thënë se ekstradimi i Gylenit do të jetë tema kryesore gjatë vizitës së nënpresidentit amerikan, ndonëse Biden po shkon në Turqi edhe për të përmirësuar marrëdhëniet.

“Pse po vjen Zoti Biden? Që marrëdhëniet tona gjysmë të ëmbla, të bëhen të ëmbla”,ka thënë ai.

Yildirim ka thënë se ai dëshiron që të përshpejtohet procesi i ekstradimit, ndërsa Gylenit ndërkohë t’i shqiptohet masa e arrestit të përkohshëm.

Para grusht shtetit të 15 korrikut, Turqia i ka dërguar 84 dosje për Gylenin dhe lëvizjen e tij në SHBA, ndërsa pas puçit ka dërguar edhe katër dosje të tjera, ka thënë më tej Yildirim, përcjell rel.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë thënë se Turqia ka kërkuar ekstradimin e Gylenit duke u mbështetur vetëm në ngjarjet që kanë ndodhur para puçit.

(Kosova Sot)