Certifikimi i automjeteve motorike me gaz si të tjerat

  • 24 August 2016 - 10:19
Certifikimi i automjeteve motorike me gaz si të tjerat

Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ nr.03/2016 për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ 01/2013 mbi stabilimentet dhe pajisjet për ngasje të automjeteve me gaz.

Me këtë udhëzim janë përcaktuar kushtet, kriteret dhe procedurat për marrjen e autorizimit për atestimin dhe certifikimin e automjeteve motorike me gaz dhe marrjen e licencës për punë të punëtorisë për servisim të automjeteve, thuhet në njoftim, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është krijimi i lehtësirave administrative-teknike dhe ligjore për subjektet që ushtrojnë këtë veprimtari, duke iu mundësuar qasje të barabartë e jodiskriminuese dhe krijimin e një tregu të lirë në këtë fushë.

Me ndryshimet dhe plotësimet e bëra përmes këtij akti nënligjor hiqet barriera e autorizimit të më tepër institucioneve për atestimin dhe certifikimin e automjeteve motorike me gaz, që është në përputhje me vendimin nr. 17/44, datë 12.08.2015, të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi eliminimin e të gjitha veprimeve që kufizojnë konkurrencën e lirë. 

(Kosova Sot)