PDK-Ferizaj: Drejtoria e Arsimit, drejtori e manipulimeve dhe falsifikimeve

  • 24 August 2016 - 13:28
PDK-Ferizaj: Drejtoria e Arsimit, drejtori e manipulimeve dhe falsifikimeve

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj ka akuzuar Departamentin e Arsimit në këtë komunë se është drejtori e manipulimeve dhe falsifikimeve.

Agim Berisha nga kjo parti thotë se informata e korrikut e këtij viti për përfundimin e gjysmëvjetorit të dytë për vitin shkollor 2015-2016, ka shpërfaqur shumëçka që është manipuluar e falsifikuar nga DA e Ferizajt, në mënyrë që dështimet në punën e tyre të paraqiten si suksese, duke gënjyer vetveten në radhë të parë, Kryetarin, asambleistët dhe qytetarët ferizajas.

Sipas tij, po të krahasohen shënimet e Raportit të Punës për vitin shkollor 2014-2015 dhe ato të Informatës për përmbylljen e vitit shkollor 2015-2016, shënime këto që e demantojnë njëra-tjetrën.

“Pra, kur flet kjo Drejtori me gjuhën institucionale dhe të argumenteve statistikore; atëherë apo tash? Por, gënjeshtra është brenda njërës gjithsesi!. Në Raportin e Punës për vitin shkollor 2014-2015 për nivelin e Arsimit fillor (kl.I-V), suksesi i nxënësve ka qenë 99.5% e kalueshmërisë, kështu paraqitet në faqen 136 të Raportit, ndërsa në Informatë, faqe 3 shkruan se gjatë vitit shkollor 2014-2015, suksesi i nxënësve ka qenë 95%, pra për të njëjtin nivel arsimor na paraqiten përqindje të ndryshme?!”, ka thënë Berisha.

Ai ka theksuar se edhe për Arsimin e Mesëm të Ulët (kl.VI-IX), në Raportin e Punës, në faqen 138 për të njëjtin vit shkollor 2014-2015, kalueshmëria është 99.86%, ndërkaq në faqen 5 të Informatës shkruan se kalueshmëria për vitin 2014-2015 është 97%.

Sipas tij, DA e zbresin përqindjen e kalueshmërisë nga Raporti i Punës, sepse u duhet që vitin 2015-2016 ta paraqesin si vit të sukseseve të tyre, me vetëdije apo pa vetëdije kanë bërë falsifikime të dokumenteve të Institucionit të tyre.

“Gjithashtu, manipulime e falsifikime gjejmë edhe te Arsimi i Mesëm i Lartë (kl.X-XII), gjithashtu në Raportin e Punës për vitin shollor 2014-2015, faqe 142 paraqitet kalueshmëria e suksesit të nxënësve me 98.5%, kurse në Informatë, faqe 6 shkruan se suksesi pozitiv i nxënësve për të njëjtin vit shkollor (2014-2015) është paraqitur me 86% kalueshmëria. Prandaj, kemi rënie të suksesit për 16.5% vetëm në këtë nivel të arsimit, kjo është skandaloze dhe nuk mbulohet dielli me shoshë, kryetar. Në faqen 7 të Informatës pasqyrohen edhe mungesat e nxënësve të këtij niveli arsimor dhe kur t’i krahasojmë mungesat e vitit shkollor 2014-2015 me ato të vitit 2015-2016, kemi mbi 3000 mungesa më shumë në gjysmëvjetorin e dytë të këtij viti shkollor”, ka thënë tutje Berisha.

Ai vlerëson se këtë gjë nuk do ta bënin as infantilët, e le më Insititucioni i edukimit dhe dijes!. “Të avullohen mbi 3000 mungesa, kjo është e patolerueshme, deri kur kështu z.Kryetar?”, pyet Berisha.

Sipas tij, si mund t’i besohet kësaj Drejtorie, e cila përpiqet ta mbulojë papunësinë dhe paaftësinë me manipulime e falsifikime para Asamblesë Komunale, falsifikime këto që tërheqin përgjegjësi pas vetes.

“Unë shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje publike Prokurorisë së Ferizajt që të merret me këtë çështje. Kryetar, a tolerohet që Institucioni në fjalë, në të tri nivelet e arsimit ka falsifikuar hiç më pak se 19.86% të suksesit të nxënësve. Përçudi, institucionin ku vetë punojnë herë e emërtojnë si Drejtori e Arsimit, herë si Drejtori për Arsim dhe Shkencë, kjo tregon shumëçka… Zotri Kryetar; çka është tepër, tepër është?! Siç shihet keni vendosur ta shkatërroni sistemin arsimor me këtë udhëheqje të papërgjegjshme dhe të paaftë profesionalisht, por ta dini se ju jeni më meritorët për të gjitha këto…”, ka përfunduar Berisha. 

(Kosova Sot)