Thaçi: Më 1 shtator përmbyllet çështja e demarkacionit - kriteri për liberalizim

  • 24 August 2016 - 16:40
Thaçi: Më 1 shtator përmbyllet çështja e demarkacionit - kriteri për liberalizim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kanë pritur në takime të ndara lamtumirëse shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Thaçi ka theksuar se gjatë këtyre katër vjet e gjysmë ka pas një bashkëpunim shumë të ngushtë me Zhbogarin dhe zyrën e BE-së.

“Roli i Bashkimit Evropian në Kosovë është i pazëvendësueshëm, sepse edhe qëllimi, synimi dhe vizioni jonë është që të jemi në një të ardhme të afërt pjesë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se Kosova është në rrugë të mirë për të zbatuar në tërësi të gjitha kriteret dhe standardet demokratike të nevojshme për këtë proces integrues, në veçanti reformat në sistemin demokratik, reformat në sistemin e drejtësisë, në rend dhe ligj dhe në sistemin e ekonomisë së lirë.

Sipas tij, më një shtator do të përmbyllet me sukses edhe kriteri shtesë për liberalizimin e vizave, ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi.

Nga ana tjetër, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar ka falënderuar presidentin Thaçi për bashkëpunimin të mirë që ka pas më të sa ishte kryeministër, ministër i jashtëm, tash president. Sipas tij, gjatë kësaj periudhë ka pas ndryshime pozitive në Kosovë, me gjithë sfidat që e presion Kosovën në të ardhmen.

Ndërkaq, Tahiri shprehu falënderimet e saja dhe të Qeverisë së Kosovës për angazhimet e Zhbogar si përfaqësues shumëvjeçar i BE-së në Kosovë. Ajo tha se çmon lartë kontributin e tij për zhvillimin evropian të shtetit të Kosovës duke theksuar se në këtë periudhë Kosova shënoi një përparim historik në integrimin evropian me nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociim me BE-në.

Tahiri po ashtu u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin konstruktiv me Zyrën e BE-së në Kosovë gjatë udhëheqjes së Zhbogar duke potencuar se së bashku kemi arritur progres në shtrirjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës në pjesën veriore të vendit dhe normalizimin e gjendjes atje përmes proceseve integruese dhe shuarjes së strukturave paralele, në saje të procesit të dialogut të Brukselit.

Ajo shprehu bindjen se jemi në përfundim të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave gjithashtu dhe kontributi i Zhbogar do të kujtohet me respekt.

Nga ata e tij, Zhbogar shprehu falënderime të veçanta për bashkëpunimin e ngushtë me ministren Tahiri. Ai tha se është shumë i lumtur që ka pasur mundësi të jetë në Kosovë në një kohë të rëndësishme për vendin, dhe se do të marrë me vete kujtime të bukura nga Kosova bashkë me respektin për qytetarët e Kosovës.

Ai shtoi se do të ndjekë me vëmendje zhvillimet pozitive të Kosovës drejt aspiratës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian ndërsa theksoi se Marrëveshjet e Brukselit padyshim që kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e sovranitetit të Kosovës. 

(Kosova Sot)