Donacionet milionëshe avullohen në xhepat e menaxherëve

  • 25 August 2016 - 08:58
Donacionet milionëshe avullohen në xhepat e menaxherëve

IKadriaj: Kemi regres në shëndetësi e jo progres.

"Udhëheqja e dobët e këtij sektori, duke filluar nga koka (Qeveria dhe MSH-ja) dhe shtrihet në nivele të tjera të funksionimit të tërë sistemit, dhe interesi i dikujt që të mbetet kjo gjendje palëve të involvuara që përfitojnë sot, e ka degraduar tej mase shëndetësinë", ka thënë eksperti i shëndetësisë, Jusuf Ulaj,raporton Gazeta Kosova Sot

Në shëndetësinë kosovare çdo vit hyjnë miliona euro si donacione, por jo të gjitha janë shfrytëzuar aty ku ka pasur nevojë. Si rezultat i kësaj, spitalet po përballen me mungesë të aparaturave e deri te barnat më elementare. Analistët për shëndetësi, por edhe vetë qytetarët, pacientë, kanë adresuar kritika në drejtim të menaxherëve të shëndetësisë, duke kërkuar më shumë llogaridhënie. Ndërkohë, sipas drejtorit të zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Skender Syla, ka përmirësime në sistemin shëndetësor, por megjithatë ka potencuar faktin se ka pasur edhe mungesë edhe të shfrytëzimit të resurseve."Viteve të fundit ka pasur përmirësime në disa fusha; shërbimet për kujdesin e nënës dhe fëmijës, ku kemi zvogëlim të shkallës së vdekshmërisë së foshnjave prej vitit në vit, shërbimet e vaksinimit, të cilat kanë qenë efektive, përmirësim të shërbimeve të shëndetit mendor të bazuar në bashkësi, përmirësim të qasjes në trajtim të pacientëve të sëmurë nga kanceri, akreditimin e mjekësisë familjare nga kolegji Mbretëror i Mbretërisë së Bashkuar", ka shpjeguar ai. Syla ka shtuar se shteti i Kosovës ndan më së paku mjete në rajon për shëndetësi, qoftë si shumë absolute apo edhe si përqindje të GDPsë. "Krahas buxhetit të kufizuar, shpesh ndodh që edhe shfrytëzimi i resurseve në dispozicion nuk bëhet në mënyrë racionale dhe pa planifikim të mirë- filltë", është shprehur Syla. 

Gjendja në spitale, e mjerueshme Në anën tjetër, deputetja dhe anëtarja e Komisionit për shëndetësi, Time Kadriaj ka pohuar për "Kosova Sot", se premtimet për përmirësim të gjendjes në shëndetësi nga donacionet, shpresohet të mos jenë vetëm premtime koti, sepse siç po e shohim kemi regres në shëndetësi e jo progres. Ajo shtoi se gjendja nëpër spitale është e mjerueshme. Ndërkohë edhe eksperti për shëndetësi nga radhët e VV-së Jusuf Ulaj, në një bisedë për gazetën, ka deklaruar se nuk po shihen përmirësime në sektorin e shëndetësisë. "Udhëheqja e dobët e këtij sektor duke filluar nga koka (Qeveria dhe MSH-ja) dhe shtrihet në nivele të tjera të funksionimit të tërë sistemit, dhe interesi i dikujt që të mbetet kjo gjendje palëve të involvuara që përfitojnë sot, e ka degraduar tej mase shëndetësinë", ka thënë Ulaj. Sido që të jetë, shumë pacientë shprehen të zhgënjyer me kushtet, të cilat ofrohen në disa shërbime shëndetësore në vend. Luan Gashi, qytetar nga Prishtina, thotë se është befasuar kur ka parë se në çfarë gjendje punojnë mjekët, por edhe presin në radhë të gjata pacientët tek ambulancat specialistike në bodrumin e Qendrës së Klinikës Universitare. " Aty nuk ka kurrfarë kushtesh për të ofruar shërbime shëndetësore për pacientë . Prandaj, nuk kam idenë se ku shkojnë paratë e buxhetit të Kosovës, por edhe të donacioneve dhe nuk investohet në shëndetësi ", është shprehur ndër të tjera Gashi.

Nuk investohet asgjë në shëndetësi Por, në anën tjetër, edhe qytetari tjetër nga Prishtina, Ismail Mustafa është ankuar për mungesë të gjerave më elementare nëpër institucionet shëndetësore ."Thuhet se ofrohen shërbime shëndetësore pa para, por kur të kërkosh ndihmë shëndetësore nëpër spitalet në vend duhesh edhe mbulesat me i marr me vete ,e të mos flasim për terapinë që duhet ta sigurojmë vetë", ka thënë ky qytetar i shqetë- suar. Për mungesë të kushteve dhe marrjes së shërbimeve të duhura mjekësore nëpër institucionet shëndetësore në vend është ankuar edhe Luljeta Nimani , e cila ka theksuar se është për keqardhje që kemi një shëndetësi ku nuk është investuar asgjë . "Nuk është investuar asgjë, prandaj kemi ardhur në këtë gjendje. Më shumë është përkrahur sektori privat sesa ai publik. Kjo që po ndodh po ndikon që edhe personeli mjekësor të ikë nga Kosova", ka pohuar ajo. Ndërkohë, gazeta ka kërkuar një përgjigje edhe nga zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, por që gjatë të mërkurës nuk kanë arritur të përgjigjen.

(Kosova Sot)