Oligarkët kushtëzojnë paqen

  • 25 August 2016 - 07:47
Oligarkët kushtëzojnë paqen

Sajimi i tensioneve po bëhet në mënyrë të qëllimshme.

"Porosia është se pa ta mund të destabilizohet eventualisht Kosova. Ngjashëm është vepruar edhe vitin e kaluar dhe në të kaluarën, siç ishte rasti i 'Llapushnikut', kur filluan disa lloj trazirash rreth tentimit të dëmtimit të një muri të varrezave katolike, kështu që këta njerëz janë në gjendje që të krijojnë gjithfarë situatash të tensionimit, vetëm që bashkësisë ndërkombëtare t'i japin sinjal se vetëm me këta mund të ruhet paqja e përgjithshme në Kosovë", ka deklaruar avokati Tomë Gashi,raporton Gazeta Kosova Sot

I ncidentet e fundit në Kosovë po shihen si të qëllimshme ashtu sikurse edhe moszbulimi i aktorëve, të cilët qëndrojnë pas rasteve në fjalë. Kështu të paktën thonë njohësit dhe analistët e kësaj fushe, të cilët tregojnë edhe qëllimin e incidenteve në fjalë se ato po ndodhin, sipas tyre, pikërisht nga vetë njerëzit në pushtet, pasi ata janë në gjendje të krijojnë lloj-lloj situatash të tensionimit, në mënyrë që bashkësisë ndërkombëtare t'i japin sinjalin se vetëm me njerëzit në fjalë mund të ruhet paqja e përgjithshme në Kosovë. Ndaj në këtë drejtim është shtuar edhe dilema se a po përpiqet nëntoka që të krijojë imazhin e një Kosove të pasigurt, ku vetëm oligarkët aktualë mund ta vendosnin paqen, dhe a është ky një kushtëzim në prag të Gjykatës Speciale, e cila pritet që do të akuzojë dhe sjellë para drejtësisë krerë të lartë të pushtetit? Profesori i së drejtës, Riza Smaka, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se kjo fare nuk kontestohet dhe pothuajse askush nuk e dyshon se në vendin tonë mjerisht ekziston nëntoka e konsoliduar mirë, derisa, sipas tij, po të ishte e konsoliduar në masën e njëjtë dhe asisoj prokuroria, gjyqësori, administrata, atëherë, siç tha, do të kishim pasur një shtet shumë më serioz.

Nëntoka do të rezistojë fort "Pra, është e konsoliduar mirë në bazë të solidaritetit negativ, që do të thotë në dëmin e parasë publike, të interesit publik, por në dobinë egocentrike të grupeve mafioze, derisa këto grupe mafioze të nëntokës tani janë duke u përpjekur dhe në rikonsolidim për të bërë një rezistencë për ekzistencë të jesh apo mos të jesh", theksoi Smaka. Sipas profesor Smakës, pritet rezistencë e fuqishme e nëntokës për të paralizuar qoftë Gjykatën Speciale, po ashtu në anën tjetër për ta paralizuar sistemin gjyqësor, që praktikisht nuk merret dot me akte penale të natyrës së rëndë që kanë peshë, ku janë të implikuar ata që kanë pushtet në vendet kyçe, ku nga atje bëjnë presione të ndryshme, duke e paralizuar këtë apo atë hallkë qoftë të administratës publike, apo të gjyqësorit.

Gjykata Speciale do t'ua prishë rehatinë "të fortëve" Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, thotë se kjo oligarki paqen e sheh përmes përfitimeve për interesa partiake dhe personale e familjare, derisa, sipas tij, kjo oligarki nuk është e interesuar fare për asgjë me rëndësi, që ka respektuar agjendën ndërkombëtare për krijimin e një rehatie regjionale dhe ndërkombëtare por për pozicionet e brendshme, e po ashtu, siç tha, nuk është interesuar për mirëqenien ekonomike dhe sociale e shëndetësore. "Por, Gjykata Speciale pritet ta prishë këtë rehati të disa njerëzve oligarkë, por mund të prishë edhe balancën e rrjeteve oligarkike, që merren me punësim familjar, me kontrolle të biznesit privat dhe ndërmarrjeve publike, si dhe punësimin nëpër ambasada të Kosovës, që janë shndërruar në oda të fshatrave, dhe të gjitha këto gjëra po ndodhin në Kosovë dhe asgjë nuk ka mbetur pa u kuptuar madje edhe nga qytetarët e zakonshëm", ka thënë ai. 

Incidentet e fundit, me prapavijë pushtetin Më tej, Burjani ka nënvizuar se në këtë drejtim fitohet përshtypja se të gjitha këto gjëra të sajuara po ndodhin për shkak se disa njerëz e liderë politikë mund të jenë, siç tha, objekt i hetimeve nga kjo Gjykatë. "Individë të pozitës dhe opozitës janë në listë të kësaj gjykate, e këto gjëra jo të rehatshme mund të ndodhin edhe për këtë arsye, ani edhe pse në rrafsh primar kanë dalë kërkesa politike, që mohojnë se kanë të bëjnë me disa njerëz të pozitës dhe opozitës, të cilët do të jenë pjesë e ngritjes së aktakuzave ndaj këtyre personave", ka theksuar për gazetën "Kosova Sot" eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani. Avokati Tomë Gashi tha për gazetën "Kosova Sot" se është shumë e qartë se po tentohet që të ruhet një lloj imazhi apo një lloj bindjeje se vetëm me ata, të cilët tani udhëheqin me Kosovën e që kanë qenë në pushtet përafërsisht për 17 vite, mund të ruhet paqja e përgjithshme në Kosovë, derisa, sipas tij, incidentet e fundit janë faktikisht të qëllimshme. Por, siç tha, në anën tjetër edhe moszbulimi i atyre që i krijojnë këto incidente, sikurse që ishte ai ndaj RTKsë dhe incidenteve tjera të ngjashme, nuk janë duke u zbuluar për ta ruajtur kredibilitetin e këtyre, që janë në pushtet. "Kështu që ndërlidhja nuk mund të jetë direkte as me Gjykatën Speciale dhe as me ndonjë institucion tjetër, por porosia është se pa ta mund të destabilizohet eventualisht Kosova. Ngjashëm është vepruar edhe vitin e kaluar dhe në të kaluarën, siç ishte rasti i 'Llapushnikut', kur filluan disa lloj trazirash rreth tentimit të dëmtimit të një muri të varrezave katolike, kështu që këta njerëz janë në gjendje që të krijojnë gjithfarë situatash të tensionimit, vetëm që bashkësisë ndërkombëtare t'i japin sinjal se vetëm me këta mund të ruhet paqja e përgjithshme në Kosovë", ka deklaruar avokati Tomë Gashi. 

(Kosova Sot)