Demarkacioni, ndërmjet tradhtarëve dhe patriotëve

  • 25 August 2016 - 07:43
Demarkacioni, ndërmjet tradhtarëve dhe patriotëve

Këmbëngulja qeveritare për humbjen e territorit, e paturpshme.

“Është faktike se kufiri është shitur nga ekipi kosovar, prandaj kokëfortësia e Qeverisë, që ta kalojë me çdo kusht në Kuvendin e Kosovës për miratim, dëshmon se kjo Qeveri më të rëndësishme e ka lëkurën e trashë të Hashim Thaçit, sesa që t’i ruajë 8500 hektarë tokë”, ka thënë analisti Jeton Kelmendi,raporton Gazeta Kosova Sot

P aralajmërimi i seancës së radhës së Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të bëhet votimi i Demarkacionit me Malin e Zi, në fillim të shtatorit dhe në të njëjtën kohë edhe kërcënimi i lëvizjes "Vetëvendosje" për një protestë brenda dhe jashtë Kuvendit, sipas deputetëve opozitarë dhe njohësve të rrethanave politike e ndërkombëtare, pritet që edhe më tepër ta tensionojnë situatën në vendin tonë. Deputeti Enver Hoti (Nisma për Kosovën) thotë se nuk përjashtohet mundësia se çështja e Demarkacionit mund të ndodhë që ta tensionojë edhe më tepër situatën edhe më tej, kur të hidhet në votim në seancën e 1 shtatorit. Deputeti Hoti thotë se, ndonëse nuk ka një marrëveshje paraprake dhe pavarësisht disa dallimeve në mes të opozitës, protesta është një tregues se situata do të mund të bëhet me tensione të mëdha. Sipas opozitarit Hoti, edhe tensionimi i ri i situatës është një tregues se politikanët e Kosovës janë shumë të papërgjegjshëm për të arritur konsensus kombëtar për çështje të mëdha, kur është në pyetje fati i kombit. Opozitari Hoti, por edhe shumë analistë të politikës, vlerësojnë se e vetmja shpresë për të ardhmen e Kosovën është një klasë e re politike, e cila, sipas tyre, që në themelet e saja do ta ketë prioritet ndërtimin e një demokracie të shëndoshë, një shtet funksional e ligjor, me depolitizim të bordeve, prokurorive e gjykatave dhe punësim me meritokraci e jo në baza partiake.

Qeveria 'Mustafa' po i hedh popullit hi syve Njohësi i rrethanave politike, dr. Jeton Kelmendi, ekspert i politikave ndërkombëtare dhe të sigurisë, tha për "Kosova Sot" se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi është një nga çështjet më komplekse për politikën kosovare. "Demarkimi është bërë gabim dhe këtu Qeveria e 'Isa Mustafës' po tenton që t'u hedh hi syve popullit, duke thënë se është në rregull", potencon ai. Sipas Kelmendit, komisioni qeveritar i 'Muratave' përditë nxjerr nga një mashtrim, me qëllimin që t'i bindë deputetët që të votojnë pro Demarkacionit. "Në fakt Qeveria nuk ka probleme me opozitën, sepse edhe pa opozitën koalicioni i ka numrat, por ka edhe deputetë të koalicionit që do të votojnë kundër", tha ai. Analisti Kelmendi e tërheq vërejtjen se një gjë duhet pasur parasysh se nuk është vetëm opozita ajo që po e kundërshton këtë Demarkacion, por janë banorët e brezit kufitar veçanërisht ata të Rugovës, të cilët janë shumë të vendosur që ta pengojnë, madje malësoret atje janë të gatshëm edhe të vdesin për ata kufij, ku u janë vrarë të parët e tyre. "Këtu duhet pranuar tanimë dhe kjo është faktike se kufiri është shitur nga ekipi kosovar, prandaj kokëfortësia e Qeverisë që ta kalojë me çdo kusht në Kuvendin e Kosovës për miratim, dëshmon se kjo Qeveri më të rëndë- sishme e ka lëkurën e trashë të Hashim Thaçit sesa që t'i ruajë 8500 hektarë tokë", vijoi më tej ai. Kelmendi nuk beson që mund të ratifikohet, por nëse do ratifikohet do të jetë tragjike. 

Qytetari aktive, për një qeverisje kredibile Analisti politik, Arsim Haziri, tha se situata e sotshme është rezultat i dy faktorëve, njëri përbën pamundësinë për t'i dhënë kahe më të favorshme qytetarisë, dhe faktori i dytë është joshja e një pjese nga pushteti politik. "Tashmë në këtë frymë, qeverisja shihet në pozitë më të avancueshme në raport me shoqërinë, dhe fakti se shoqëria udhëhiqet prej mentalitetit të heshtur automatikisht krijon mundësinë që këtu të ketë manipulim të theksueshëm. Në këtë kah, mendoj se politika udhëhiqet në pamundësi reaguese dhe duke qëndruar nën këto premisa, ajo arrin të ketë ndikim negativ në çdo institucion publik, duke shkaktuar mjerim të përgjithshëm social, moskonsolidim të nevojshëm institucional, si dhe reduktim të fuqisë shtetërore ndaj shoqërisë në tërësi", thekson më tutje ai. Sipas Hazirit, qytetarët aktualisht janë në pozitë të vështirë, mbase në vete s'mund të ketë elementin e parimin e vendosjes për çështje të rëndësishme dhe duke qëndruar kështu kemi këtë situatë e cila çdo ditë është më e dhunshme. Haziri foli edhe për rolin e opozitës, duke thënë se kjo forcë nuk është duke arritur të plasojë tërësisht alternativën e saj në publik dhe ende s'ka arritur të ketë vëmendje më të gjerë qytetare. Ai tha se duhet të ketë një qeverisje të re më të mirëfilltë qytetare dhe një klasë e re politike, duke thënë se klasa aktuale duhet t'i nënshtrohet një procesi zgjedhor. "Nëse një proces elektoral mund të përfundojë me një klasë më të re politike, besoj se mund të flasim për një qeverisje më premtuese dhe më të përshtatshme për qytetarin? si koncept", theksoi ai. Sipas Hazirit, problemi ekskluzivisht qëndron tek shoqëria, aty ku përcaktohet niveli legjitim i çdo qeverisjeje, aty ku ndërtohet e ardhmja e mëtejshme politike, ekonomike dhe sociale, por këtij procesi duhet t'i prijë një mendësi më e lirë drejt një qeverisjeje kredibile dhe të besueshme për gjithsecilin.

Ambienti politik i kontaminuar Politologu Albinot Maloku i tha gazetës se ambienti politik në Kosovë është aktualisht tej mase i kontaminuar, saqë në disa raste frikshëm po e humb busullën, duke shkuar drejt një degradimi absolut. Maloku ka pohuar se për këtë kontribut kanë dhënë politikanët e subjektet politike, të cilat nuk njohin tjetër parim veç papërgjegjshmërisë e pandërgjegjshmërisë si ndaj vendit, proceseve të vështira, që po kalon vendi ynë e më pastaj edhe ndaj profesionales. "Konform kësaj, pa dyshim se një alternativë politike po bëhet domosdoshmëri e këtij ambienti politik të Kosovës. Mirëpo, jodomosdo vetëm kasta intelektuale duhet ta ketë një grupim të vetin politik. Nga intelektuali e intelektualët e përndritur kërkohet të jenë kujdestarë i politikanit, ngaqë intelektuali i vështron rrjedhat politike e shoqërore, ai rekomandon për to në bazë të kredive shkencore e profesionale, ndërsa politikanët i ndërtojnë dhe aplikojnë rrjedhat politike, e që mund të jenë edhe të gabueshme, ditore e pa kohezion. Gjithsesi, kasta aktuale politike e Kosovës ka qëlluar të jetë më shumë përjashtuese për intelektualët e profesionistët sesa përthithësit e tyre", tha Maloku për "Kosova Sot". Sipas tij, lakmia për pushtet e liderëve aktualë dhe për përmbushjen e interesave të ndryshme grupore përreth tyre ka bërë që të humbasë përfundimisht shpresa në këtë klasë politike, pozitë apo edhe opozitë. 

Intelektualët të zgjohen nga gjumi "Rekomandimi ka qenë që brenda subjekteve ekzistuese politike të bëhet hapësirë për intelektualë, profesionistë dhe të ndodhë reforma e thellë brenda tyre e që mos të kemi emra të rinj subjektesh politike. Kjo nuk ka ndodhur, por e kundërta. Hapësirë kanë marrë ata që e sollën vendin deri në këtë derexhe. Nisur nga kjo, edhe mendimi për një alternativë, pra një subjekt i ri politik është i pranuar", tha Maloku për "Kosova Sot". Alternativën e re politike, si të vetmin shpëtim të këtij vendi, nga përmbytja e madhe dhe humbja e shpresës qytetare në këtë kastë të degraduar politike me ambicie absolutiste për dominim të interesave klanore, e sheh edhe analisti Ali Hertica, që vlerëson se tani është moment kyç që një klasë e intelektualeve të pakonsumuar, të painfektuar nga klasa e tanishme politike, qoftë e pozitës apo opozitës joserioze, duhet të mobilizohet dhe t'i japë alternativë të re vendit për shpëtim nga degradimi i mëtejmë. Analisti Hertica për "Kosova Sot" tha se gjithsesi dhe pa vonesë duhet të ngrihet një shoqëri e mirëfilltë intelektuale dhe ta bashkojë fuqinë e saj me popullin për ta shpëtuar vendin nga fundosja në veprime të klasës kriminale. "I vetmi shpëtim dhe e vetmja shpresë është që sovrani- populli dhe intelektualët e mirëfilltë të bashkohen në një zë për ta transformuar dhe për ta fuqizuar shtetin në bazat e mirëfillta ligjore", ka thënë ai.

(Kosova Sot)

(Kosova Sot)