Dështakët e ‘Brezovicës’ dhe " Trepçës" të japin llogari

  • 25 August 2016 - 07:50
Dështakët e ‘Brezovicës’ dhe

Qeveria nuk ka marrë asnjë masë ndaj ministrave përgjegjës.

Analistët thonë se dështimi i projektit të investimeve në "Brezovicë" dhe në kombinatin "Trepça" është dështim direkt i ministrave përkatës, por edhe i krejt Qeverisë së Kosovës, me në krye Isa Mustafën dhe, si rrjedhojë, duhet të pasojnë masat përkatëse,raporton Gazeta Kosova Sot

Dështimi i dy projekteve madhore ekonomike nga ana e Qeverisë së Kosovës, sikurse që ishte dështimi me privatizimin e kompleksit të "Brezovicës" dhe dështimi i miratimit të Strategjisë dhe Projektligjit për "Trepçën" deri tash ka kaluar pa asnjë llogaridhënie, qoftë të Qeverisë apo edhe ministrave kompetentë për këta sektorë. Ndërkaq, kjo indiferencë e krerëve të shtetit dhe heshtja e tyre përballë këtyre dy dështimeve, sipas njohësve të kësaj fushe dhe opozitës, tregon se në çfarë niveli të ulët ka rënë kjo qeverisje. Deputeti opozitar, Bali Muharremaj (AAK) thotë se është për keqardhje që nuk do të ketë asnjë lloj përgjegjësie as nga Qeveria "Mustafa", e madje askush edhe nga ministrat përkatës të kësaj Qeverie, që janë përgjegjësit dhe fajtorët kryesorë për dështimin e projekteve të mëdha ekonomike, sikurse që ishin "Brezovica" apo edhe "Trepça". Ndërsa, analistët e ekonomisë janë të mendimit se me të gjitha këto lëshime nga Qeveria dhe ministrat tanë lirshëm mund të thuhet se aktualisht në vendin tonë nuk është e qartë se çka është përgjegjësi publike dhe se në tërësi nga paslufta e deri më sot mungon llogaridhënia e pushtetarëve.

Premtime boshe dhe krekosje qeveritare Bankieri Milazim Abazi është i mendimit se dështimi i projektit të investimeve në "Brezovicë" dhe në kombinatin "Trepça" është dështim direkt i ministrave përkatës, por edhe i krejt Qeverisë së Kosovës me në krye Isa Mustafën. Analisti Abazi thotë se në veçanti kjo vlen sidomos për kombinatin "Trepça", të cilin nuk mundën madje as ta shndërrojnë në një Ndërmarrje Publike "për të cilën gjë na kanë mbushur me premtime dhe krekosje boshe ". Analisti Abazi, thotë me bindje të plotë se për shkak të dështimit të këtyre dy projekteve madhore për vendin, sivjet investimet e huaja direkte do të jenë më të ulëtat pas pavarësisë së Kosovës". Eksperti i ekonomisë, Visar Hapçiu, menaxher i Politikave dhe Marrëdhënieve me Qeverinë e Kosovë në Odën Ekonomike Amerikane(AMCH), tha se në rastin konkret, mosrealizimi i suksesshëm i projektit të "Brezovicës", siç dihet, ka të bëjë me pamundësinë e kompanisë fituese që të sigurojë financimin e projektit. Megjithatë, në përgjithësi, shqetë- sues mbetet numri i vogël i investimeve të huaja direkte në vend, që do të duhej të ishte shtytës i zhvillimit ekonomik. Ai shtoi se kjo situatë, mirëpo edhe dështimi i projektit të "Brezovicës" edhe më tej e theksojnë nevojën e të pasurit të Ligjit për Investime Strategjike, në mënyrë që të mundësohet negocimi direkt me investitorë të interesuar për projekte të mëdha, gjithnjë duke pasur kujdes që të respektohen normat më të larta të transparencës dhe llogaridhënies. 

Devalvimi i llogaridhënies publike Eksperti i ekonomisë, Ismajl Kastrati, ishkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë për "Kosova Sot" se nuk ka përgjegjësi për aferën e pasaportave, andaj edhe nuk do të ketë përgjegjësi as për rastet e dështimit të "Brezovicës" dhe "Trepçës". Sipas analistit Kastrati, llogaridhënia e përgjegjësia në Kosovë është relativizuar dhe është përgjithësuar, për shkak të paqartësisë dhe apatisë në të cilën ka rënë opinioni publik. "Aktualisht, nuk është e qartë se çka është përgjegjësi publike. Kjo po ndihmohet nga ata që duhet qartësuar këtë dukuri, pra, nga ambasadorët e Kuintit. Para një kohe kishim deklaratën e ambasadores së atëhershme amerikane, se të gjithë shqiptarët janë të korruptuar. Kjo ndodhi pikërisht në kohën kur flitej se kryeministri aktual ka shtatëdhjetë akuza në Prokurori. Tani, kur me të madhe flitet për aferën " Pronto", pastaj ambasadori i Anglisë, deklaron se të gjithë në Kosovë kanë punësuar me intervenime, duke mos dalluar a është punësim, apo emërim në borde të ndërmarrjeve publike", theksoi më tej ai.

Korrupsioni largoi kompanitë e mëdha Ish-ministri i Financave, Haki Shatri tha për "Kosova Sot' se fajtorët e dështimeve dihen dhe ata janë Qeveria "Mustafa" dhe ministrat e kësaj Qeverie, që janë jo vetëm përgjegjësit, por edhe fajtorët kryesorë për dështimin e projekteve të mëdha ekonomike, sikurse që ishin "Brezovica" apo edhe "Trepça". Shatri tha se pushtetarët tanë aktualë iu kanë kërkuar mitë të gjitha atyre kompanive të mëdha që kanë qenë të interesuara të investojnë në Kosovë, qoftë atyre që kanë kërkuar ta bëjnë privatizimin apo koncesionimin e NSH-ve, duke ia filluar nga PTK-ja e deri te kompanitë e tjera. "Janë negociatat e pushtetarëve tanë dhe kërkesat e tyre për mitëmarrje fajtorët që i kanë larguar investitorët e huaj seriozë ", ka thënë ai. "Tash së fundmi, si një rast të tillë llogaritet edhe rasti i dështimit të privatizimit të Kompleksit Rekreativ e Sportiv të "Brezovicës", që është i ngjashëm. Të gjitha këto veprime janë bërë në baza korruptive dhe të mitëmarrjes. Ndaj kemi dështuar që të tërheqim investitorët e huaj seriozë, partnerë strategjikë, duke rënë në disa kompani që thuajse nuk vlejnë asgjë dhe janë sa për sy e faqe dhe kjo ka ardhur vetëm si pasojë e pushtetarëve tanë që e patën synim primarë marrjen e mitës dhe interesin e tyre në mënyrë të paligjshme", ka thënë Shatri.

Përkeqësimi i imazhit të të bërit biznes në Kosovë Eksperti i ekonomisë, Muhamet Sadiku tha se këto largime të investitorëve janë jashtëzakonisht të dëmshme në aspektin e imazhit. "Largimet e tyre e pengojnë edhe më tej këtë proces", theksoi ai. Sadiku ankohet se këto dështime po na ndodhin vetëm e vetëm se në Kosovë, që nga paslufta e deri më sot, po na mungon llogaridhënia dhe përgjegjësia e pushtetarëve tanë për punën e kryer apo atë që nuk është kryer, andaj jemi këtu ku jemi. Ndërsa, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), thotë se ashtu si jemi edhe i kemi punët, ndaj edhe nuk ka llogaridhënie dhe përgjegjësi institucionale. "Kemi mësuar dhe nuk ka fije dyshimi se në Kosovë investitorëve të huaj kur vijnë në shumë raste po u kërkohet mitë. Por, e keqja më e madhe është se Kosova nuk po di t'i trajtojë investitorët e huaj. Kjo po dëshmohet nga viti në vit, sepse nga viti në vit kemi më pak investime, largim apo tentim për t'u larguar nga Kosova", theksoi ai.

 

(Kosova Sot)